Incident në FRESSH, Spiropali braktis Asamblenë

Procesi i zgjedhjeve në Forumin Rinor Eurosocialist ka përfunduar me një incident mes kryetares së sapozgjedhur të këtij forumi, Erisa Spiropali, dhe drejtuesve të tjerë të kësaj organizate, i cili dje duhet të zgjidhte dhe kreun e saj, si dhe nënkryetarët. Kryetarja e sapozgjedhur e këtij forumi, Elisa Spiropali, ka kundërshtuar listën e paraqitur në asamble të anëtarëve të zgjedhur sipas formulës së miratuar nga Kongresi, duke pretenduar se këtë gjë duhet ta bënte ajo në cilësinë e kryetares, duke kërkuar në njëjtën kohë që ajo të verifikohej si dhe të shtoheshin disa anëtarë të tjerë, duke e ç00uar numrin e këtij forumi nga 90 në 150. Duke hasur në kundërshtimin e pjesës tjetër të drejtuesve të këtij forumi, Spiropali është larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja e djeshme e Asamblesë, së bashku me disa nga mbështetësit e saj.

Asambleja

FRESSH pasi mbylli me sukses kongresin e tij, ku zgjodhi dhe drejtuesit e rinj, ka zhvilluar dje mbledhjen e Asamblesë Kombëtare për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e saj. Por ndërsa mbledhja nuk kishte nisur ende, anëtarët e kësaj asambleje janë përfshirë në një konflikt të hapur mes njeri-tjetrit. Kjo për shkak të listës së anëtarëve të Asamblesë, e cila nuk është miratuar nga kryetarja e sapozgjedhur e FRESSH, Erisa Spiropali. Kështu mësohet se Spiropali ka patur pretendime mbi anëtarët e Asamblesë, duke ngritur shqetësimin se lista nuk ishte korrekte. Por drejtues të tjerë të këtij forumi kanë argumentuar se lista është krijuar sipas formulës së miratuar nga Kongresi, ku anëtarë të Asamblesë do të ishin kryetarët dhe nënkryetarët e FRESSH në rrethe, kryetarët e FRESSH në bashki si dhe 12 anëtarë të propozuar 2 nga secili prej 6 superdelegatëve të kongresit, ose secili prej kandidatëve për kryetar të FRESSH. Por veç kësaj mësohet se Spiropali ka kërkuar që në tagrin e kryetares së këtij forumi kishte të drejtë që të propozonte apo kooptonte dhe anëtarë shtesë në Asamble për ta çuar numrin nga 90 në 150. edhe kjo kërkesë është kundërshtuar nga pjesa tjetër e drejtuesve të FRESSH, të cilët kanë argumentuar se kryetari mund të kooptoj një numër të vogël anëtarësh, por jo 30 apo më shumë të tillë. Gjithashtu ata kanë kundërshtuar faktin se Spiropali ka kërkuar të bëjë pjesë të Asamblesë edhe nënkryetarë nga forumet e atyre qyteteve apo rretheve ku nuk janë bërë ende zgjedhje. Ndaj, për shkak se nuk është gjetur mirëkuptimi, Spiropali në prani edhe të medieve së bashku edhe me disa nga mbështetësit e saj është larguar nga salla dhe s’ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë. Situatën është përpjekur ta qetësojë kryesocialisti Edi Rama, i cili i ka bërë thirrje Spiropalit që të kthehet në mbledhje, por pa patur ndonjë rezultat konkret. Më pas Rama ka zhvilluar dhe një takim tjetër me Spiropalin, por kësaj here në ambientet e PS-së, ku është përpjekur të sqarojë situatën. Pavarësisht kësaj, Spiropali mësohet se ka bërë të ditur se nuk do i njohë zgjedhjet e djeshme në Asamble, pa verifikuar më parë listën e anëtarëve të saj.

Rama

Ndërkohë gjatë fjalës së tij në Asamble, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi se PS-ja është forca që do ta bëjë Shqipërinë pjesë të Europës. Ai nënvizoi rëndësinë që të rinjtë t’i japin më shumë politikës dhe vendit. “Ashtu si në këtë dallgë të RE-FRESSH-it erdhën shumë të rinj dhe të reja, tanimë FRESSH-i i riorganizuar të mund të kthehet në një hapësirë publike për të tjerë të reja e të rinj. Sfida që kemi përpara është një sfidë e vështirë, por është një sfidë që ne do ta fitojmë së bashku. Jemi në anën e duhur të historisë, jemi një forcë politike, një familje e madhe politike, pjesë e së cilës është edhe FRESSH-i, që është qartësisht e përcaktuar si një forcë me vokacion të patjetërsueshëm europian. Jemi forca që do ta bëjë Shqipërinë europiane, që do ta bëjë Shqipërinë pjesë të familjes europiane.”- u shpreh Rama.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Incident në FRESSH, Spiropali braktis Asamblenë"

  1. FOLKLORIST DUA TE JEM  22/06/2012 at 2:29 pm

    Se fundmi Ms Spiropali l ndergjegjesua se I perket nje shkolle perendimore ku cdo vote eshte e barabarte me cdo vote tjeter …njelloj e rendesishme ne thelb ..ku dhe nje bord studentor .ka ne baze dialogun …dhe se babilonasit mund ta perdorin sistemin romak si mjet ….per arritje te vogla babilonase kuptohet !!!!

You must be logged in to post a comment Login