Thirrja e Arvizu: Veproni tani për të drejtat/ Kadare: Mos lejoni greminat morale

TIRANË-  “Vepro tani!”, kjo është ftesa që u ka bërë shqiptarëve ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, përmes një fushate që u shpall dje në Tiranë, në prani të aktorëve të shoqërisë civile.“…Disa prej jush mund të kujtojnë që pak kohë më parë u takuan me një vizitor nga Washingtoni. Unë dhe ai u goditëm nga një shprehje e njërit prej jush, i cili tha se vitet e fundit hapësira ku vepron shoqëria civile është zvogëluar ndjeshëm dhe kjo na goditi të dyve. Sepse përgjigjja nuk është në krijimin e një zyre qeveritare që mbikëqyr dhe drejton shoqërinë civile. Përgjigjja është te dhënia e më shumë hapësire, jo vetëm e shoqërisë civile, por edhe individëve, në mënyrë që t’u përgjigjemi sa më shumë shqetësimeve të qytetarëve. Të dëgjojmë atë që kanë për të thënë”,- tha Arvizu. Përmes një fjalimi të ndjerë, ambasadori amerikan ka renditur disa nga çështjet që rëndojnë sot mbi shqiptarët dhe për të cilat qytetarët shqiptarë nuk duhet të heshtin. “Jam i bindur që shumëkush nga ju në këtë sallë thotë me vete, i shkreti z. Arvizu, ndoshta e ka për mirë, por kjo është Shqipëria, gjërat janë ndryshe këtu, nuk është ShBA. Por unë nuk mendoj se duhet të jetë kështu!”, u shpreh dje ambasadori amerikan. Në këto kushte, duke folur pikërisht për zërin e qytetarit dhe të drejtat që ai ka, ambasadori amerikan kujtoi edhe pengimin e realizimit të referendumit për plehrat nga KQZ-ja. “…Përse KQZ-ja, e cila duhet të veprojë brenda një afati kohor të përcaktuar, nuk ka dhënë një përgjigje, edhe pse kërkesa është firmosur nga më shumë se 50 mijë qytetarë? Le te ndalemi pak te kjo nismë, që është ‘Vepro tani!’ Kjo është për çdo qytetar të Shqipërisë dhe është për ndryshimin që ne duam, për atë që gjendet në çdo cep të këtij vendi të bekuar, që gjendet në pikëllimin e studentëve dhe pedagogëve të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, ku një autobus i mbushur me studentë ra në një luginë, nga një qafë e rrezikshme pranë Himarës; gjendet në hidhërimin e një familjeje në Dukagjin, ku një vajze 17-vjeçare u bë pre e një dhune të pakuptimtë, e cila s’duhet të ketë vend në Shqipërinë e shekullit të 21-të; gjendet te banorët e Sarandës, të cilët kanë parë sesi qyteti i tyre ka humbur nga hijeshia e është kthyer në një kanion të betonuar; gjendet në Gjirokastër, ku qytetarët shohin sesi bien shtëpitë historike; gjendet në Tiranë, ku nga drejtimi i makinave lëvizja është e rrezikshme për këmbësorë, por edhe ngarësit e makinave, ndaj ‘Vepro tani!’, – tha Arvizu, duke shprehur mbështetjen për të gjithë ata që kërkojnë të drejtën e tyre: “…Mendoni për një çast për një çështje që është e rëndësishme për fëmijën tuaj, vendin, familjen, punën tuaj. Ju takon juve të jeni agjentët tuaj të ndryshimit. Ne do t’ju ndihmojmë. Ne në ambasadë duam të dëgjojmë mbi veprimet që doni të ndërmerrni. Kemi krijuar një hapësirë në facebook për idetë tuaja si do veproni të ndryshoni gjërat. Na thoni historitë tuaja, sukseset tuaja, jetën në komunitetin tuaj, në mënyrë që këto histori të frymëzojnë dhe të tjerët dhe ne do përhapim lajmin”.  Më pas ambasadori amerikan i shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka vizituar një panair të organizatave të shoqërisë civile.

 

Thirrja e Kadaresë: Të zgjohet nisma qytetare

 

TIRANË Nisma “Vepro tani” e inicuar nga Ambasada amerikane në Tiranë, u përshëndet dje përmes një video-konference edhe nga shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare. Ai iu përgjigj pozitivisht ftesës së ambasadorit amerikan për t’u angazhuar me këtë nismë, për dy arsye kryesore. Sipas tij, nisma jo vetëm vjen nga një shtet i madh aleat, por zgjon edhe energjitë qytetare. “Para ca ditësh, zoti Arvizu më kërkoi, më shfaqi mendimin e tij për një nismë, aksion, strategji të tij për të angazhuar opinionin qytetar shqiptar për zgjidhjen e punëve. Me kënaqësi pranova ta mbështesja. Për dy arsye kryesore: Kjo vjen nga një shtet i madh aleat dhe për mua është prekëse që ai vazhdimisht i ndjek punët në mënyrë të hapur, të gjerë, të gjithanshme. Kjo nismë bën pjesë në këtë përkushtim të aleatit tonë të madh. Është fjala për të zgjuar një energji qytetare, që ndihmon në mënyrën e vet, se në fund të fundit, qytetërimi njerëzor, europian, botëror, ka lindur atë ditë kur qytetarët patën idenë të grumbullohen diku, në qendër të qytetit, për të marrë pjesë në punët e vendit. Ishte kaq e fortë kjo në fillim, saqë donin të merrnin pjesë në gjëra të mëdha, si shpallja e luftës apo vënia e paqes. Pati luftë të madhe njerëzimi për ta kryer, përpunuar këtë ide. Pati luftë të madhe mos fitonte, por ajo fitoi më në fund”,- tha Kadare, duke shtuar se për arsyet sa më sipër e quan idenë të vlefshme. “…E quaj shumë të vlefshme, të lumtur një ide të tillë. Për probleme që na duken se mund të zgjidhen. Por nuk zgjidhen lehtë. Veshët na janë mësuar me fjalë: luftë për mbrojtjen e mjedisit, kafshëve. Kanë ekzistuar edhe më parë: “duajini lepujt”, “mbroni kafshët”, “duajeni natyrën”, por njerëzimi ka ecur në kah të kundërt. Kjo luftë, që dukej e vogël, tani ka marrë peshë dramatike, tragjike, përmasa botërore. Një bregdet, peizazh i shkatërruar është si pas një lufte, bombardimi. Ka probleme në dekulturimin e vendit, prishje të sistemit arsimor.  Ka 1 milion njerëz, fati i të cilëve varet nga kjo gjë. Dhe njerëzit duhet të japin mendimin e tyre, energjinë e tyre. Një tjetër greminë morale sot është humbja e besimit te drejtësia. Nuk duhet lejuar kurrsesi. Është katastrofë e vërtetë. Këto duken probleme të ndryshme, por kanë lidhje kauzale mes tyre. I uroj ambasadorit që ta zhvillojë këtë nismë, siç duhet! Të përfshijë sa më shumë qytetarë, njerëz, ide!” .

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login