Një javë për Çamërinë, nis ndërtimi i varrezave në Kllogjer

Jehona e Çamërisë ka zgjuar dje kryeqytetin, duke e rikthyer kohën 100 vite më parë, kur në sheshet e Tiranës banorët kishin dalë për të protestuar lënien jashtë trungut të shtetit shqiptar të krahinës çame. Ditën e djeshme, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) ka çelur nga lulishtja “Tre vëllezërit Frashëri” aktivitetet e “Javës së Kulturës dhe të Historisë së Çamërisë”, ku dhjetëra qytetarë, shqiptarë të Çamërisë apo të viseve të tjera u grumbulluan për të ndjekur nga afër dëshmitë e të shpërngulurve nga shtëpitë e tyre, si dhe materialet muzikore të përzgjedhura që do të vazhdojnë të transmetohen përgjatë gjithë javës. Në hapje të “Javës Çame”, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, duke vlerësuar rëndësinë e saj u shpreh: “Këtë vit ne e kemi nxjerrë ‘Javën Çame’ nga sallat e mbyllura të konsumit të brendshëm, në sheshet kryesore të vendit. 100 vite më parë, në sheshet e Tiranës banorët e qytetit kishin dalë për të protestuar lënien jashtë trungut të shtetit shqiptar, Kosovën dhe Çamërinë. 70 vjet më parë, në këto sheshe kishin protestuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë që u dëbuan gjatë Traktatit të Lozanës. 68 vjet më parë pritën refugjatët, bashkëkombësit e tyre nga Çamëria që u dëbuan me anë të një genocidi nga më të ashprit. Sot, ne bashkohemi të gjithë për të përkujtuar martirët e Çamërisë. Kjo javë është e të gjithë shqiptarëve, se Çamëria është e të gjithë shqiptarëve. Ne mund të themi me bindje se çështja çame është sot më e fortë se kurrë, e ka fituar betejën me kohën dhe jemi më të vendosur se kurrë të çojmë deri në fund kauzën çame”, – tha Idrizi. “Java Çame” do të shoqërohet nga një sërë aktivitetesh, duke nisur nga dita e sotme për të kulmuar në marshimin e përvitshëm çam në Qafë-Botë. Këtë vit lajtmotivi do të jetë ditën e shtunë, në Kllogjer të Sarandës, ku më shumë se 3000 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën e nuk u lejuan të kishin as një gur mbi varr. Aty do të nisë ndërtimi i një varreze monumentale për t’i nderuar dhe për të kujtuar atë genocidin mbi shqiptarët e Çamërisë.

Në kuadër të “Javës Çame”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të qëndrojë gjatë gjithë javës i dekoruar me banderolat “I Love Çamëria” (Unë e dua Çamërinë) dhe me flamuj shqiptarë, ndërkohë që në sheshin “Skënderbej” dhe në sheshin “Nënë Tereza” janë vendosur dy monumente – shkronja tredimensionale – me parullën “I Love Çamëria”.

Aktivitetet për “Javën e Kulturës dhe të Historisë së Çamërisë” këtë vit janë zhvendosur nga sallat e mbyllura, në sheshet kryesore të kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera të vendit. Kështu, në gjashtë pika në kryeqytet do të shfaqen në mjedis të hapur materiale filmike, dokumentare, dëshmi të të mbijetuarve nga genocidi dhe muzikë e traditë çame përgjatë gjithë javës. Më konkretisht, përveç led-wall-it të vendosur në shëtitoren “Abdi Toptani”, që në periudha të caktuara kohe do të transmetojë materiale mbi Çamërinë, videoprojektorë të ndryshëm janë vendosur në Parkun Rinia, në monumentet e “Tre Vëllezërve Frashëri”, në ish-Fushën e Aviacionit, në zonën e ish-Bllokut dhe në pika të tjera të kryeqytetit. Të gjithë qytetarët që do të jenë të interesuar do të marrin në këto pika edicionin special të Revistës “Çamëria”, si edhe informacione mbi aktivitetet e “Javës Çame” dhe të marshimit të përvitshëm në Qafë-Botë.

 

We cannot load blog data at this time.

2 Përgjigjet për "Një javë për Çamërinë, nis ndërtimi i varrezave në Kllogjer"

  1. Visi  26/06/2012 në 4:02 pm

    paskan harruar te shkruajne “cameria” ne anglisht

  2. Sali Bollati-Paramithioti  27/06/2012 në 11:58 pm

    Ne ketu ne NY parakaluam me parulla ku shkruhej me germa te Kuqe CHAMERIA IS ALBANIAN DHE HUMAN RIGHTS FOR CAMERIA. Gjate parakalimit ne avenune kryesore te NY-Ave of America,hidhnim parulla POSHTE GREQIA
    RROFTE SHQIPERIA DHE CAMERIA!
    Parlamenti Shqiptar duhet te miratoi Rezoluten per Camerine;ate rezolute qe u rrezua me 2004 sepse Berisha, Topalli dhe Mustafaj dolen nga parlamenti para votimit?!

Komentet janë mbyllur