Shitën 15 apartamente nga dy herë, pranga ndërtuesit, ortaku në kërkim

Dhjetëra qytetarë të Fierit dhe të rrethinave kanë rënë pre e mashtrimit të dy biznesmenëve të ndërtimit, të cilët shisnin dy herë të njëjtin apartament.

Mashtrimi i pretenduar u ka kushtuar këtyre qytetarëve jo pak, por gjithë kursimet e jetës për blerjen e një shtëpie. Policia e Fierit pohoi për MAPO-n se kanë marrë disa denoncime të personave që pretendojnë se kanë blerë shtëpi të shitura më parë nga dy ndërtuesit. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në 15 raste, një shtëpi dyshohet të jetë shitur të paktën dy herë, por ka raste që mendohet të jenë shitur edhe tri herë. Kështu, “pronarët” e shumëfishtë të këtyre apartamenteve janë gjetur përballë njëri-tjetrit, duke kuptuar se ishin mashtruar prej ndërtuesve të pallateve. Pas hetimeve paraprake, policia e Fierit ka vënë në pranga një prej ndërtuesve të firmës A&E-Construksion, 49-vjeçarin Eqerem Mehmetaj, ndaj të cilit gjykata e këtij rrethi ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të policisë së Fierit, të cilët sqaruan se po punohet edhe për identifikimin e vendndodhjes së biznesmenit tjetër, Agron S. Dyshohet se i gjendur nën presionin e klientëve të mashtruar, ky i fundit është larguar jashtë shtetit, disa kohë më parë. Arrestimi i biznesmenit të ndërtimit erdhi pas një hetimi disamujor të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, që ka bërë të mundur zbulimin e skemës së mashtrimit që dyshohet të kenë përdorur dy ndërtuesit. Qytetarët e mashtruar kanë trokitur në Prokurori për të zgjidhur problemin e mbivendosjes së pronësisë. Të pajisur me aktin e shitblerjeve të apartamenteve, ata kanë kërkuar ndjekje penale për 49-vjeçarin Eqerem Mehmetaj dhe Agron S., i cili nuk është kapur ende nga policia. Prej verifikimeve të kryera nga hetuesit mësohet të ketë rezultuar se në të paktën 15 raste e njëjta shtëpi u është shitur personave të ndryshëm. Por ka pasur raste kur një shtëpi rezulton t’u jetë shitur edhe tre klientëve të ndryshëm, duke i vendosur ata në konflikt me njëri-tjetrin. Në këto 15 raste, blerësit e të njëjtës shtëpi disponojnë akt shit-blerjet e firmosura nga dy ndërtuesit e dyshuar për veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit. Këta të fundit kanë qenë duke ndërtuar dy pallate në periferi të qytetit të Fierit, ndërsa shitjet e apartamenteve mësohet të jenë kryer që në projekt, pasi ndërtimi i tyre nuk ka përfunduar ende. Mësohet se qytetarët që kanë blerë këto apartamente janë përballur me njëri-tjetrin, kur kanë shkuar që të përfundonin punimet e brendshme të banesave të tyre. Kur kanë shkuar aty janë gjendur përballë faktit, se dikush tjetër pretentonte pronësinë e së njëjtës banesë dhe për këtë gjë dispononte dokumente si njëra palë, ashtu edhe tjetra. Pasi kanë kërkuar shpjegime te ndërtuesit, ata nuk kanë marrë përgjigje apo zgjidhje dhe rruga e vetme ka qenë denoncimi në prokurori. Kjo e fundit, pas hetimeve disamujore, ka arritur në përfundimin se dy të dyshuarit, Eqerem Mehmetaj dhe Agron S., kanë konsumuar veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit dhe kanë nisur procedimin ndaj tyre.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login