Topi: Spiunë të sigurimit në politikë, Rama amator në 2008

TIRANË Presidenti në largim, Bamir Topi, i cili mbrëmë deklaroi se do të rikthehet në politikë si misionar, e ka cilësuar kryetarin e opozitës, Edi Rama, një amator politik në procesin e ndryshimeve kushtetuese që u bënë në prill të vitit 2008. “Unë jam shumë i qartë, nuk fshihem pas frazave. Nëse unë dua të them diçka, e them, se në atë lloj përballjeje ka pasur një predispozicion të dy personave që kanë menduar në të njëjtën gjatësi vale, nga njëra anë një njeri me karrierë të gjatë në politikë dhe nga ana tjetër, një njeri për fat të keq, në atë moment shumë të rëndësishëm ka treguar një amatorizëm të theksuar politik. Unë e kam thënë disa herë këtë. Unë kam tentuar t’i paralajmëroj. Unë nuk kam fyer njeri, kam gjetur gjuhën e argumentit”, – tha mbrëmë Topi në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare. Topi deklaroi gjithashtu se në rrethin e politikës ka njerëz që kanë qenë të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. I pyetur nëse ka të tillë edhe në nivele drejtuese, ai u përgjigj shkurt: “Në politikë”. Për pasojë, kreu i shtetit ka konsideruar të nevojshme hapjen e dosjeve. “Dosjet në Shqipëri duhet të hapen. Ndoshta duket sikur është një problem që ripërsëritet, por ndoshta ka ardhur momenti për ta koncentruar këtë tek pjesa e atyre që kërkojnë të bëjnë karrierë, që kanë në dorë me vendimmarrjen e tyre fatin e të tjerëve. Kam qenë me Pandeli Majkon, propozues i një ligji në 2006-ën për të bërë të mundur hapjen e dosjeve, meqenëse ligji ndryshoi e u atakua pjesa kushtetuese, Presidenti u vendos para dy momenteve të rëndësishme; nga njëra anë, pjesa e moralit të ligjit që dosjet duhet të hapeshin dhe pjesa tjetër që ligji ishte antikushtetues…Nuk kisha asnjë lloj preference për të kundërshtuar ligjin dhe nga ana tjetër, nuk do të doja ta bëja kundërshtimin duke thënë se ligji është antikushtetues. Kjo ka qenë arsyeja pse zgjodha heshtjen, duke ripërsëritur që në çdo moment është në të mirën e Shqipërisë”, – tha mbrëmë Topi. Presidenti i Republikës sfidoi mbrëmë mazhorancën, konkretisht PD-në, lidhur me akuzat që janë përcjellë nga kjo forcë politike për mënyrën sesi Topi i ka marrë pronat. Presidenti në largim sqaroi mbrëmë se pronat që ai ka, janë tërësisht transparente dhe publike. “Në rast se dikush di një pronë të Presidentit jashtë atyre që janë bërë publike, mund të bëj deklaratën më të fortë sonte për t’u tërhequr përfundimisht nga politika dhe për të hequr dorë nga prona ime. Gjërat janë transparente; është një vend i vogël, njerëzit i dinë, njerëzit flasin…”, – tha ai. Për ndryshimet në qeveri, Presidenti i Republikës tha se ai i kishte dekretuar shpejt dhe se do ta bënte një gjë të tillë në rast se do të vinin propozime të tjera. Për emërimin e Nokës në krye të Ministrisë së Brendshme, Topi nuk bëri komente të gjata, duke u përgjigjur shkurt se ai e njihte Nokën qysh në kohën kur ka qenë në PD. Përkundër predispozicionit të tij për t’iu përgjigjur pyetjeve, Presidenti i Republikës nuk pranoi të komentonte të ardhmen e tij politike në FRD, duke theksuar se një gjë të tillë ai do ta bëjë në momentin që do të largohet zyrtarisht nga Presidenca.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login