Lisa Kujofsa: Të jesh plakë është një rol shumë i vështirë

Lisa Kujofsa është aktorja e re karizmatike, e cila është pjesë e grupit të aktorëve të AP2XL dhe ‘Sketch show’. Lisa, vajza e aktorit të njohur, Fadil Kujofsa, tregon në këtë intervistë se pasionin për aktrimin nuk e ka ushqyer në fëmijërinë e hershme kur të gjithë fëmijët priren të imitojnë prindërit. Aktrimi ka qenë një dëshirë në të pandërgjegjshmen e saj, e cila mori formën e duhur me rritjen e Lisës. Lisa rrëfen se të bësh humor spontan asnjëherë nuk është e thjeshtë, pasi gjithmonë rrezikon të dështosh. “Vetëm profesionaliteti të bën të dalësh nga situatat e vështira”, – pohon ajo. Këto por edhe marrëdhëniet me tre djemtë simpatikë, Ermalin, Julin dhe Gentin, Lisa me humorin që e shoqëron, i ndan me lexuesin e “Mapomania”. 

Lisa, sa e vështirë është të bësh humor sot në Shqipëri?

Nuk mendoj se është e vështirë të bësh humor në Shqipëri, sepse humori nuk ka ndonjë diferencë të madhe në raport me të gjitha shtetet e tjera të botës. Si kudo edhe këtu njerëzit kanë nevojë të qeshin. Shqiptarët gjithmonë e kanë dashur humorin, sepse këtu ka traditë dhe e rëndësishme është që gjithmonë të bësh më të mirën dhe të mos zhgënjesh.

Ka më shumë tema sociale, mbi të cilat edhe mund të ironizosh?

Pa diskutim që ka. Aq më tepër që tani jetojmë në një kohë kur je i lirë të ironizosh çfarëdolloj fenomeni social, i cili është për t’u ironizuar. Gjithmonë në raport me këndvështrimin, kjo kuptohet, pa i rënë në qafë askujt.

Si ndihesh si vajza e vetme aktore, pas një kohe të gjatë në grupin e djemve?

Tashmë që prej dy sezonesh unë nuk jam më e vetmja vajzë, pasi stafit i është shtuar edhe një aktore tjetër, Cubi. Sigurisht që tani gjërat kanë ndryshuar dhe për mirë. Të paktën për mua, pasi nëse më parë unë isha vetëm, tani kam dhe një partnere tjetër në skenë, me të cilën mund të luaj shumë situata që më parë nuk kam mundur t’i luaj.

 

A ju ndodh shpesh që të ziheni?

Nuk na ndodh kurrë të zihemi, por na ndodh të debatojmë. Gjë që është shumë normale mes kolegësh dhe debatet, kur janë të bazuara në argumente janë gjithmonë produktive për punën.

Cli është më grindaveci, Juli, Genti apo Ermali?

(Qesh). Mendon vërtet se njerëz me kaq shumë humor mund të jenë grindavecë?

Cilat ngjarje ke më me qejf t’u kthesh në diçka për të qeshur?

Këtë nuk mund ta them me ekzaktësi, pasi ka aq shumë gjëra që të ngacmojnë sa nuk mund të bësh dot diferencën. Personalisht kam një dobësi për situatat që bazohen mbi fantazinë dhe diçka të trilluar, ndoshta edhe mbi një përrallë.

Babai juaj është aktor gjithashtu. A e imitoje shpesh e vogël?

Jo. Nuk mund të them se e imitoja, por që e vogël i ndiqja me shumë interes dhe dëshirë filmat dhe shfaqjet ku ai merrte pjesë. Për të qenë e sinqertë, dëshira për t’u bërë aktore më erdhi shumë vonë. Kur isha e vogël e deri në fund të gjimnazit nuk e mendoja kurrë se do bëhesha aktore, por mendoj dhe jam e bindur se fakti që kam një baba aktor ka ndikuar shumë tek unë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme.

Të ecësh në rrugën që dikur e ka bërë njëri nga prindërit e tu dhe të krijosh identitetin tënd, është më e lehtë apo më e vështirë?

Kjo varet dhe nga prindi. Babai im ka qenë gjithnjë i idesë se nëse unë duhet dhe dua të bëhem aktore, duhet të arrij vetë të çaj përpara. E vërteta është se ai ka qenë gjithmonë shumë tolerant me mua, sigurisht gjithmonë duke më këshilluar. Ama, asnjëherë nuk ka ndërhyrë as në vendimmarrjet e mia, apo të ndërhyjë për të zgjidhur “hallet e mia profesionale”. Ai është babai im dhe ne kemi të njëjtin mbiemër, për të cilin unë jam shumë krenare dhe sigurisht që do doja që identiteti im, jo vetëm ai artistik, të shkojë paralelisht me të tijin.

Ty të ka ndihmuar mbiemri, ta themi kështu?

Siç e thashë më lart, ai është një fakt i pamohueshëm. Unë nuk e di nëse më ka ndihmuar mbiemri im, por ta them me siguri se ai nuk do më prishë kurrë punë.

Lisa, cilat janë dukuritë që e shqetësojnë një artist në realitetin shqiptar?

Kjo është një pyetje shumë komplekse, së cilës unë nuk mund t’i përgjigjem dot kështu… Duke e nisur nga vetja, që jam një aktore e re dhe duke guxuar të flas në emër të shumë aktorëve të rinj, mendoj se shqetësimi primar është mungesa e mundësive që u jepet atyre dhe numri i vogël i institucioneve artistike në Shqipëri. Po ashtu, menaxhimi apo drejtimi korrekt i tyre në raport me përzgjedhjet e aktorëve, mungesa e audicioneve, pagesat e ulëta, marketingu i varfër etj.

A do të zgjidhje një vend tjetër për të jetuar, veç Shqipërisë?

Fakti që unë jetoj në Shqipëri do të thotë që zor se mund të jetoja në vend tjetër. Kjo ndoshta ndodh për shkak të profesionit që kam dhe kur në Shqipëri e kam kaq të vështirë, imagjino në një vend të huaj. Unë vetëm aktoren di të bëj dhe nëse nuk do ta ushtroja dot profesionin tim, edhe sikur të jetoja në Holandë, që e dua aq shumë si shtet, nuk do të isha kurrë e lumtur…

Na thuaj pak si është Lisa jashtë skenës së humorit?

Duhet të më ndiqni që të më njihni (qesh).

Cilat janë gjërat që të nervozojnë?

Nuk dua të prononcohem, se kam frikë (qesh).

Si reagon kur njerëzit kërkojnë të të takojnë, bezdisesh të jesh e njohur kudo që shkon?

Reagoj përgjithësisht mirë, sepse njerëzit janë shumë të sjellshëm në përgjithësi dhe mund ta kuptosh kur të flasin me përzemërsi. Pastaj nga ana tjetër, kur të njohin ke dhe shumë lehtësira në punë që duhen mbaruar shpejt dhe nuk ke kohë të presësh në radhë…

Ke më shumë fansa meshkuj apo femra?

Unë nuk e di me saktësi, sepse meshkujt nuk janë aq të drejtpërdrejtë sa femrat të çfarëdolloj moshe, të cilat nuk m’i kursejnë komplimentet. Edhe sikur të kisha më shumë fanse femra, më e lumtur do isha, më beso, femrat nuk kanë prapamendime.

Meqë jemi tek meshkujt, si i ke raportet me këta të fundit?

I kam të shkëlqyera!

Je po aq solare dhe “mistrece” sa në ekran, edhe në jetën e përditshme?

Kjo varet sipas rrethanave në të cilat ndodhem. Kuptohet që në skenë unë përçoj një pjesë të mirë të karakterit tim, apo të mënyrës se si i përjetoj apo mendoj unë gjërat. Kjo prapë është relative, sepse kur ngjitem në skenë unë nuk jam më Lisa, por jam një aktore që duhet të luajë veten në ato rrethana. Përgjithësisht jam një njeri pozitiv, por dhe “mistrece nëse të pëlqen ta quash kështu(qesh).

Si kanë ndryshuar meshkujt shqiptarë sot?

Ashtu siç kanë ndryshuar dhe femrat shqiptare. Çdo gjë shkon paralelisht, duke qenë se janë dy sekse që gjithë jetën do kenë të bëjnë me njëri-tjetrin në mënyrë të pashmangshme. Nëse kanë ndryshuar për keq meshkujt, mendoj se femrat duhet të kthejnë njëherë gishtin nga vetja dhe anasjelltas.

Sipas teje, a janë më kavalierë apo e kundërta?

Mua më duket sikur ka nga të dyja llojet njëlloj. Diferencën e bën vetëm koha në të cilën jetojmë.

Rolet më të vështira për të qenë brenda personazhit, cilat kanë qenë?

Jo se janë më të vështira (sepse kur punon çdo gjë arrihet dhe një aktor nuk duhet të thotë kurrë në fakt “nuk e bëj dot”), por vështirësitë më të mëdha i kam kur më duhet të luaj rolin e ndonjë gruaje në moshë të thyer, apo plakë dhe arsyet kuptohen vetvetiu pse.

Humori spontan mendon se është më cilësor, sesa ai kur ke muaj të tërë për t’u përgatitur?

Humori spontan është një gjë ndryshe, tendencë e vjetër, jo vetëm e këtyre kohëve. Sigurisht është më i vështirë dhe impenjativ sa dhe i rrezikshëm. Për këtë arsye duhet marrë parasysh dhe dështimi i mundshëm, por dhe suksesi i menjëhershëm. Ndërsa humori që përgatitet prej muajsh e ka në xhep si të thuash suksesin, sepse ti ke kohë që punon mbi të dhe mund ta rregullosh e përpunosh disa herë deri në premierë. I vetmi rrezik që mund të ketë, janë humbjet e vogla në aktualitet.

A ke rrezikuar në ndonjë moment mos ta kapësh situatën live në AP2xl?

Kam rrezikuar shumë herë të më iki situata nga duart, po ashtu sikundër më ka ndodhur dhe e kundërta. Një aktor duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për të tilla të papritura dhe nëse larg qoftë nuk ia del dot mbanë aty për aty, mundohet të mos e japë veten dhe të bëjë më të mirën në situatën e ardhshme.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login