Agasi: Garë mes Nanos dhe Ramës për kreun e PS-së

Cila është strategjia që do të ndjekë “Lëvizja Nano” për të marrë formë dhe a mund të na shpjegoni si do të arrijë ajo të rikthejë Nanon në PS?   

Kjo është një lëvizje në hapat e parë të saj, ku apeli që ka bërë ish-kryetari i partisë, (Fatos Nano), ka bërë që shumë anëtarë të vijnë nga rrethet dhe nga Tirana, të marrin kontakt me të dhe të shprehin gatishmërinë e tyre për t’u futur në këtë lëvizje. Kjo lëvizje nuk duhet kuptuar si një lëvizje për të dëmtuar PS-në, jo si një lëvizje për të futur frymën e përçarjes, por si një alternativë brenda PS-së, për ta shëndoshur këtë parti, për të mos pasur më humbje siç ka pasur deri më tani dhe në fund të fundit për të qenë të gjithë bashkë që, siç tha dhe vetë Fatos Nano, me Ramën apo pa Ramën. Por kryesorja është që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, PS të jetë fituese. Në këtë gjendje që është ka mjaft dyshime për  fitoren e saj në të ardhmen. Nano, një figurë me autoritet, si ish-kryetar dhe themelues i saj, njeriu që e transformoi këtë parti nga një parti staliniste nga më të ashprat në një parti anëtare të Internacionales Socialiste, të tipit perëndimor, me rikthimin e tij do të shënojë një hap pozitiv dhe të rëndësishëm për partinë. Mendoj që kështu duhet ta kuptojnë të gjithë edhe anëtarësia e partisë edhe ata që janë apo s’janë me Nanon.

Kjo lëvizje a ka si synim largimin e Edi Ramës nga Partia Socialiste dhe më tej nga politika?  

Unë nuk mendoj që mund të largohet Edi Rama nga kjo lëvizje, apo aq më tepër nga politika. Nuk e vendos kjo lëvizje që largohet Edi Rama nga politika, përkundrazi. Por nëse Edi Rama nuk arrin të reflektojë, pra ta kuptojë  synimin e kësaj lëvizjeje, natyrisht që do të ketë kërkesa për largimin e tij. Në fund të fundit, edhe brenda radhëve të partisë mund të ketë një garë, kush fiton nga alternativat të qëndrojë

Nga informacionet dhe kontaktet që ju keni, a ka anëtarë të tjerë të PS-së në Durrës apo më gjerë, që do t’i bashkohen Lëvizjes së Nanos?

Sigurisht që ka dhe mund të themi shumë madje (këtu kam pranë dhe Paqësor Zenelin, ish-anëtari i parë i kryesisë së parë të PS-së, ish-prefekt dhe zëvendësministër) dhe mund të themi që vetëm nga lajmi që është përhapur në qytet apo në gazeta këto ditë, kemi mesazhe të shumta, kërkesa nga njerëzit për t’u bërë pjesë e lëvizjes, nga anëtarësia aktuale e partisë, nga komunat e Durrësit etj. Ne nuk kemi ndërmend që t’i kundërvihemi partisë sonë, në asnjë mënyrë. Ne do të kontaktojmë gjatë gjithë kësaj kohe me bazën socialiste, me njerëz, me ata që kanë mendim krejt ndryshe për të  bindur njëri-tjetrin për alternativën që ka gjithsecili. Është e domosdoshme që pas tetë vitesh që kemi qenë në opozitë, për faj shumë të madh do të thoja nga ana e lidershipit (Edi Ramës), është e domosdoshme që socialistët ta shohin pas kaq vitesh, jo vetëm për të mirën e PS, por dhe për të mirën e vendit që të vijmë në pushtet

Si i keni rivendosur kontaktet me ish-kreun e PS-së, z. Nano?

Kemi marrë kontakt me të, dhe kam konstatuar atë që thashë pak më sipër; një qëndrim dhe angazhim serioz për ta çuar deri në fund këtë punë, me vullnet të plotë këtë herë, e theksoj këtë herë, në mënyrë që t’i shërbejë PS-së.

Cili do të jetë pozicioni juaj në këtë lëvizje?

Është kërkuar kontakti me bazën, me kryesinë e partisë për të sqaruar dhe dëgjuar mendimin e tyre dhe për të gjetur një komunikim pikërisht që të çojë drejt shëndoshjes së PS. Duhet thënë që në gjendjen që është PS ka një shans shumë të madh për humbjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Po nga kreu aktual i PS-së, keni pasur ndonjë reagim mbi vendimin që keni marrë për t’iu bashkuar lëvizjes së Nanos?

Në fakt jo, pasi ka qenë një vendim shumë i shpejtë, pasi ka vetëm dy ditë që unë i jam bashkuar kësaj lëvizjeje. Me Edi Ramën jam takuar në festën e PS, ku unë kam marrë pjesë, dhe unë nuk e shoh 12 qershorin si festën e partisë së Edi Ramës apo partisë së Fatos Nanos, megjithëse  kanë vlerat e tyre, por e shoh si festë të PS dhe kam shkuar të marr pjesë si gjithë anëtarët e tjerë që morën pjesë aty.

Sipas jush, cila ishte arsyeja që Edi Rama nuk propozoi si kandidat Fatos Nanon  për president?

Mentaliteti i një njeriu të vogël, një njeriu të ngushtë, inatçor, i cili nuk ka patur burrërinë që ta thotë hapur që nuk do të kandidojmë Fatos Nanon për president dhe që mos ta linte që Nano të vazhdonte fushatën e tij, por fliste për proces. Duke mos dashur  Nanon për President, PS nuk arriti që të nxirrte as kandidatë të tjerë, gjë që s’ka ndodhur kurrë më parë.

Krijimi i një partie brenda partisë ekzistuese a mendoni se do ta ndëshkojë këtë forcë politike me humbjen e saj të radhës më 2013?

Nuk do më pëlqente termi parti brenda partisë. Këta janë anëtarë të kësaj partie dhe duam që të shtohen radhët e partisë dhe jo të dobësohen. Ka një mendim ndryshe brenda një partie të madhe dhe duam ta forcojmë këtë parti. N.q.se nuk do të ketë reflektim nga lidershipi aktual i PS-së edhe pas kësaj shtrirje dore për bashkëpunim për të ecur dhe fituar të gjithë bashkë, natyrisht që kjo do të jetë e dëmshme për PS-në.

Intervistoi Elitjona Doko

 

6 Përgjigjet për "Agasi: Garë mes Nanos dhe Ramës për kreun e PS-së"

  1. Nikonestea  16/06/2012 në 12:30 pm

    Z.Agasi,mos ka te beje me shprehjen qe ti dhe Nano jeni te ndershem…!

  2. ladi  16/06/2012 në 1:51 pm

    Po a e ka PS-ja kryetarin?! Per cfare gare e ka fjalen ky qe ka vene kete titull.
    Le te konkuroje Nano dhe kushdo tjeter, por te jete me i besueshem kur premton e ben retorike. Nuk besoj se e hane kaq kollaj njerezit e te shkojne Agasit apo ndonje perfaqesuesi tjeter te levizjes se Nanos..

  3. emigrante  16/06/2012 në 2:25 pm

    Zoti Agasi mos e rreni veten. Se popullin nuk e rreni dot .
    Kuptohet qe me Nanon do te shkojne interesaxhinjte qe kane humbur keto vite.Jeni te gjithe njelloj.Fatosit ja kemi pare burrerite na leni te qete tja shohim aftesite edhe ketij tjetrit. Mos lifni kot per te cuar uje tek Mulliri i Sales e Ilirit.E beri kete pune edhe ne zgjedhjet e 2009.Ai kthehet ne shqiperi vetem per zarare. Ne qe jemi jashte e kemikuptuar por besoj qe populli nuk ha bar

  4. E verteta e hidhur  16/06/2012 në 3:24 pm

    Nje pyetje kisha perty emigrante.A nuk ja pate akoma “burrerine” Edit?Edhe sa humbje akoma duhen per ta pare akoma?Te shkretet ju militante patru te PS qe akoma doni te shkoni pas qeres se Edvinit duke share Berishen dhe Meten.Mbajeni Edvinin se keshtu na vjen mire.Keshtu ne opozite do tju shohim deri me 2023.

  5. owl  16/06/2012 në 4:55 pm

    Ik ore ti laro me keq se Nanua

  6. Lucio  16/06/2012 në 7:40 pm

    ashtu eshte 12 qershori nuk eshte festa e Rames apo e Nanos, eshte festa e PS, alternatives qe shpie perpara zhvillimin e vendit. PS nuk kufizohet nga askush dhe kerkon proces te hapur dhe konstruktiv per ballafaqimin e alternativave ne zgjedhje te lira e te ndershme ne frymen e re amerikane, ku lideret masin forcen e arsyes se bindjes se tyre dhe te platformave konceptuale brenda programit te nje rilindjeje mbarekombetare, qe nuk ka si synim vetem fitoren ne zgjehdjet e 2013, por alternativen e qarte qe i nevojitet vendit ne zgjidhjen e problematikave te keq qeverisjes se nje administrate te dobet dhe te keq trajnuar, moralisht dhe psikologjikisht per t’i sherbyer publikut dhe shtresave ne nevoje. Rama nese nuk kerkon te numeroje edhe nje tjeter humbje ne koleksionin e ditelindjeve te tij, duhet te shpalose prospektiven e programit te tij duke lejuar gare te ndershme dhe konkurruese, duke marre shembull nga zgjedhjet e zhvilluara brenda FRESSH

Komentet janë mbyllur