visi baner 5

Bujaria e Doktorit

Bujarinë, këtë cilësi të spikatur të tij, Doktori nuk po e praktikon sot, si po thonë ca që s’dinë, ca që s’kuptojnë, e ca të tjerë që edhe dinë edhe kuptojnë por s’duan ta pranojnë. Nga punët më të thjeshta e deri te zgjedhja e dinjitarëve e bujarëve më të lartë të shtetit, Doktori ka qenë dhe është më i madhi Bujar, pa asnjë dyshim.

Doktori nuk ka qenë dhe është Bujar kot, sepse, ta zëmë, ashtu dua unë. Doktori është Bujar sepse jep, dhe jo pak. Nga ana tjetër, s’do mend që Doktori ynë nuk është Bujar aq primitiv sa të japë drejtpërdrejt. Se Doktori e di që shqiptarit po t’i japësh e t’i falësh hapur e me gjithë zemër, ndershmërisht, dhe sidomos me pasion, shqiptari nis e dyshon, me ‘të gjen belanë, zë e të godet, e sidomos të dëshpëron. Kjo është  arsyeja që Doktori ynë Bujar i madh, që bujaria të mos i iki dëm, kurrë nuk është Bujar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por gjithmonë në mënyrë të tërthortë, me marifet, me takt.

Çfarë u jep Doktori shqiptarëve përmes Bujarisë së tij?

S’do mend që nuk u jep qiellin dhe yjet. Se qiellin dhe yjet, me gjithçka në mes, shqiptarët i kanë në gjoks si cilësi të racës, që s’pranojnë t’ua prekë kush, qoftë edhe Doktori Bujar. Doktori, me Bujarinë e tij, shqiptarëve u jep gjëra më të vogla se qielli, dhe më pak të rëndësishme se yjet.

Së pari, një ekuilibër të vështirë, apo një zap të zorshëm mes tyre, pa të cilin zap, e provuar kjo edhe historikisht, shqiptarët të cilët duan të bëhen të gjithë jo më pak se deputetë dhe ministra, do hanin njëri-tjetrin më zi se kanibalët. Si dhe stabilitet ekonomik. Aq sa është i mundur në një vend të rrethuar me buzëvarrësa ekonomikë. Si fqinjët tanë jugorë, për shembull. Që historinë e tyre e nisën me tragjedi të pavdekshme dhe po e mbyllin me komedi qesharake.

Dhe plot gjëra të tjera, si rrugët, tunelet, mbjelljen pas pak të sipërfaqeve të mëdha me arra, lajthia, bajame e të tjera e të tjera. Që ndoshta do mund të bëheshin edhe sikur Doktori dhe bujaria e tij të mos ekzistonin, por jo para se të kalonin edhe të paktën nja 50 vjet etj. etj.

Një nga tiparet më interesante të bujarisë së Doktorit është se Doktori Bujar me bujarinë e vet u fal të gjithëve pa dallim. Edhe atyre të cilët nuk i binden duke i futur shkopinj në rrota, dhe për pasojë Doktori u simpatizon mamin. Si mund të shpjegohet kjo dukuri kaq bujare dhe kaq e zhbalancuar? A ka në këtë mes ndonjë kundërshti, ndonjë nonsens? Jo. Në të qenët e Doktorit Bujar i pacak, nuk ka asnjë kundërthënie, asnjë paradoks. Sepse Doktori ynë ka një cilësi të rrallë: Ai sa më tepër jep aq më tepër ka. Natyrisht që budallenjtë nuk mund ta kuptojnë sesi kjo është e mundur. Prandaj me këtë rast, më e mira që budallenjtë e kudondodhur mund të bëjnë, është thjesht nga bujaria e Doktorit të përfitojnë dhe të mos shtrojnë pyetje për të cilat askush nuk ua ka ngenë t’u japë përgjigje.

Lum ne për ç’Doktor Bujar kemi.

Për Doktorin tonë Bujar, meqenëse Shqipëria është e madhe, edhe Bujaria e tij është e madhe.

Për përgojuesit e Doktorit Shqipëria është e vogël dhe nga bujaria s’kanë haber fare.

Në fakt, për të mos ua ngrënë hakun, sa i përket interesantizmit, edhe përgojuesit e Doktrit nuk mbeten mbrapa. Ata, në emër gjoja të kujdesit për shëndetin e tij, pretendojnë, për shembull, që Doktori Bujar, i cili paradite ka qenë në Prizren, të vijë pasdite në Parlament po aq i freskët sa dhe ata që sapo janë ngritur nga gjumi i pasdites.

Pavarësisht nga gomarllëku i përgojuesve të Doktorit tonë Bujar, bujaria më e madhe e Doktorit është ajo që dihet: Që Doktori  vazhdon të jetë doktor që nuk ankohet, ndërkohë që ndaj Doktorit ankohen ata që kanë nevojë të kurohen. Që është edhe kjo një mister më vete. Por jo i pa zbërthyeshëm. Sepse Doktori di disa gjëra:

Se Shqipëria është aq e vogël dhe shqiptarët janë aq pak, sa Sami Frashëri diku në librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet”, përtej optimizmit të tij intencional rilindës zjarrndezës, mes tjerash thotë se, që punët e bujqësisë në Shqipëri të venë mbarë, për këtë Shqipërisë i duhen vetëm 3 agronomë, një në veri, tjetri në Shqipërinë e mesme, i treti në jug. Po, i dashur lexues. Nuk e shkrova gabim, dhe nuk të bënë sytë. As 300 e as 3000, por pikërisht për 3 agronomë thotë Sami Frashëri i duhen Shqipërisë, dhe këtë Doktori ynë Bujar e di fare mirë.

Se një varfanjak s’ka sesi të jetë Bujar.

Se, që të jesh Bujar, duhet së pari të jesh pasunar.

Se çdo poezi është një procesverbal, dhe çdo procesverbal (përjashto procesverbalet e spiunllëkut të kohës së kurvit, që s’dihet sesi janë në pikëpamje stilistike) duhet të jetë një poezi.

Doktori di këto dhe ca të tjera, prandaj është Bujar.

Doktori vërtet është Bujar, dhe përmes bujarisë shëron, por bujarinë Doktori nuk e përdor si qëllim, por vetëm si mjet, domethënë si ilaç. Se Doktori nuk është industri farmaceutike që të prodhojë medikamente, por Doktor Bujar Kryeministër që jep receta. Të cilat po deshe përdori, në mos, për belanë tënde, grisi, po deshe dhe vdis. Ama për Doktorin mos u anko. Ose ankohu, por po u ankove kot e di vet’ ti çfarë të ndodh pas pak me mamin.

Doktori priti gjatë që opozita të propozonte ndonjë kandidat të vetin për President. Pastaj, kur pa që opozita s’u tund vendit, vendosi vetë njërin pas tjetrit disa kandidatura, të cilët të gjithë u refuzuan nga opozita. Ra në sy me këtë rast se kandidaturat nga Shoqëria Civile, opozita i refuzoi sepse nuk ishin nga ‘Sorosi’. Dhe pas kësaj, më së fundi, Doktori zgjodhi më Bujarin e vet.

Kështu ndodhi që edhe pse para ca ditësh Doktorit ia hodha llafin për të zgjedhur një më të qeshur, për shkak të qëndrimit absurd të opozitës, Doktori vuri një më të vrenjtur.

Por, megjithatë, s’ka asnjë të keqe. Se po ta shohësh hollë, pas çdo refuzimi të opozitës, kandidatura tjetër s’do mend që ishte pasojë e atij refuzimi. Që, sipas një logjike të thjeshtë dhe të sigurt, do të thotë se në fund të fundit të gjitha kandidaturat ishin kandidatura të opozitës. Kështuqë edhe për Doktorin Bujar edhe për Bujarin e Doktorit, në pikëpamje të konsensualitetit, s’ka ku të vejë më mirë. Ama opozita të mos bëjë sikur nuk i kupton efektet e refuzimeve të veta. Se po ndodhi edhe kjo, atëherë Doktorit Bujar s’i mbetet rrugë tjetër veçse t’i lërë të gjitha mamit e të gjithë të tjerëve dhe të merret vetëm me mamin e opozitës.

Se ka vështrim edhe më të thellë të kësaj çështjeje. Që është ky konkluzion superinteresant: Gjatë rrugës nga një kandidaturë në tjetrën, me pasojë largimin e një kandidature nga më të mirat, zbuluam se Sigurimi i Shtetit jo vetëm s’ka vdekur, por opozita po e përdor.

Në këtë pikë, bujaria e Doktorit i kaloi caqet. Por Doktori Bujar, megjithatë, mund të justifikohet. Sepse atë që e bënë me dorën e vet qindra mijëra shqiptarë, nuk e zhduk dot një njeri i vetëm. Sado Doktor. Sado Bujar. Sado gjenial.

 

Reklama-Eagle

9 Përgjigjet për "Bujaria e Doktorit"

  1. Kolin çun Tirone dje -shtetas europjan sot  14/06/2012 në 3:03 pm

    Antikonformist dhe i madh Z. Ypi. Sapo e thitha shkrimin tënd që nga koncepti duket sikur është shkruar nga ndonjë kritik-opinjonist ktu tek ne në Francë. Automatikisht dola në konkluzjonin se: QENTË LE TË LEHIN, KARVANI ECËN DHE VETËM ECËN PËRPARA. Ti o zotni nuk je për në Shqipëri pse spermatozoidët që ka lënë pas kurvi, janë as më sh. e as më pak, vetëm me spinë dorsale dhe kanë vështirësi të kuptojnë një koncept të shkruari apo sistem tjetër nga ai i kurvit. Mir thot Dritëroi për ktë specje: kta nuk korrigjohen kurrrrrë!!!

  2. moralisti  14/06/2012 në 9:43 pm

    Qe Doktori eshte Bujar, kjo mund te jete e vertete, por qe te jete gjenial ky gjel plakaruq, qe duket si i deleguari i Mesjetes ne shekullin e 21, Mbreti i Anarkise (alias Doktor Rrumpalla), mesherim i nje autoritarizmi sa qesharak,aq edhe anakronik, njeriu qe guxon te vrase kur edhe Mubaraku nuk guxon ose kur Gedafit i fusin dicka te forte nga prapa po per te njejten arsye… kjo sigurisht eshte apoteoza e marrezise.
    Por bravo Ypi, asgje nuk i sherben me mire demaskimit te nje ideje se sa ekzagjerimi i saj deri ne absurd.

  3. Servet Progri  14/06/2012 në 10:31 pm

    Te lumshin duart e mendja o i nderuati Edison Ypi.Ky,dhe cdo shkrim i juaj eshte fantastik,ndaj nuk na mbetet gje tjeter vec te te urojme qe te kemi sa me shume keso mrekullish prej jush.Pershendetje

  4. Sali Lela  15/06/2012 në 2:33 am

    O Ypi nese ti je rrace shqiptare une nuk dua te jem i nje race me ty dhe sigurisht qe nuk jam sepse ti duhet te jesh rrace turku me siguri , nga ata turqit qe i benin dylbere.a mundesh ta ndrosh emrin nga Eduard qe s’ka lidhje me ty se eshte emer anglez ne Dylber, o sa te shkon,Dylber Ypi hahaha.

  5. Robi  15/06/2012 në 6:01 am

    Shkrim prej lakeu autentik!

  6. studenti.  15/06/2012 në 9:33 am

    Surealizmi eshte perdorimi i vegimeve ireale per te shfaqur faktet reale.Nepermjet nje publicistike histerike/ portretizohet dr.bujari dhe bujaria e tij fantazmogorike/ne pafundesine e supersticioneve mitike/ne Alzauristanin e marrezive politike.Ai eshte shpellar, ulerites, kafshues, vrastar/ eshte puthador i tiranit, sahanlepires, oborrtar/eshte gurgullima e te gjitha ligesive/ qe i burojne nga shpirti prej urrejtjes e merive/ai perpara krimit nuk skuqet, nuk nxihet/para çdo fatkeqesie qesh e zgerdhihet/ ai di te ndote, te shaje, te fyeje/ ate qe ka peshtyre di ta lepije/ ai vetem shpif e genjen kurdohere/nga goja zbraz vetem helm e vrere/ai di t’i bie kryq e terthor vendit/eshte trim pas beteje, i mençur pas kuvendit .Rrofte personazhi yne sureal/qe ulerine si ariu ne mal!

  7. Joni TR  15/06/2012 në 9:35 am

    Ypi je shume, po vertet shume argetues! Perzjerja e sarkazmes, ironise therese gati anglo/saksone (qe ne shqipostan ngaterrohet me avokat tremije te vrare-sin), tallje dhe…te verteta!
    Si besoj je i sigurte, do lexosh shume moralista senduku ketu, kjo te tregon se ke te drejte, se ketyre ju mungon ai bujari tjeter, i ka marre malli per ate xhaxhin qe ju vizitoi gjyshet, mbase edhe mamate per gati 50 vjet!
    Yp je i madh, jepi !!!

  8. hydajet  15/06/2012 në 11:40 am

    brilant ky ypi si gjithnje ne shkrimet e tij .

  9. Nik Kodra  16/06/2012 në 1:13 am

    YP XHIXHI!!!!

    Nik

Komentet janë mbyllur