visi baner 5

Edhe studentët te z.Arvizu e shohin dritën?

U bënë dy ditë që gazetat botojnë, pothuajse të gjitha, një shkrim me titull “Studentët, zoti Arvizu!”. E tërhequr nga fjala ‘studentët’, me të cilët punoj, flas në auditore, i ndjek në aktivitete, i këshilloj, fillova të shfletoj gazetën për te ky artikull. Ndërkohë, mendova-sa mirë që më në fund studentët po shkruajnë për veten, por përse i qenkan drejtuar Ambasadorit?

Në fakt, jetojmë kohë fort të çuditshme, edhe i duam edhe nuk i duam ndërkombëtarët, edhe i akuzojmë se na ndërhynë ca si shumë në punët e vendimmarrjet e brendshme, por edhe i ftojmë të marrin pjesë/më mirë të jenë të pranishëm p.sh. në gjyqet tona…fort çudi!

Para ca ditësh një deputet i opozitës, në vend që të ftonte një grup juristësh nga shoqëria civile për të ndjekur gjyqin ende të pafilluar të quajtur ‘i padrejtë’ e ‘i korruptuar’, fton z.Arvizu të jetë aty. Po përse? Kaq shumë nuk i kuptojmë gjyqet ne shqiptarët, edhe kur flitet shqip?

Bëhet një ndërhyrje në Parkun Kombëtar të Tiranës, bëhet apo jo referendum për plehrat, dhe ne presim me ankth ç’po thotë z.Arvizu! Po përse? …Pa përmendur komentet për reagimin e z.Arvizu për zgjedhjen e presidentit, ankthin e tavolinave të analistëve dhe politologëve nëse do jetë z.Arvizu në sallë apo jo, kur të bëhej votimi, nëse ai do të buzëqeshë apo do jetë buzëvarur?… Po përse? Nuk zgjedhim dot ne një President edhe pa konsensusin e simbolit “Arvizu”?

Sikur ta kisha parandjerë, ndërsa lexoja artikullin në gazetë, vura re që edhe studentët na ishin “infektuar” dhe i kërkonin “llogari” z.Ambasador që mori një iniciativë “Vepro tani” e nuk i ftoi ata. Në fakt iniciativën duhet ta kishin ndërmarrë ata, Këshilli Kombëtar Studentor, dhe të ftonin Ambasadorin. I kërkojnë “llogari” pse ai është tronditur e që përmendi me shumë dhimbje tragjedinë e Himarës, ku mundësia e Këshillit Kombëtar Studentor (KKS) për të ndërhyrë e për të qenë pjesë e vendimmarrjes për ekspeditat mësimore është e përcaktuar në ligj, ku ata janë pjesë e Senateve në Universitetet përkatëse. Ndërkaq, KKS ka bërë një projekt intensiv (po përdor të njëjtën shprehje si në artikull) mbështetur nga AMSHC, për  perceptimin e studentëve për korrupsionin në 11 universitete publike, dhe rektorët e dekanët, le pastaj Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i paskan injoruar rezultatet… Edhe këtu i kërkojnë “llogari” z.Ambasador…Po vallë, vetë studentët reaguan për këtë? A mos vallë u shkrua një rresht prej tyre në gazeta për rezultatet e pyetësorit, (përveç një shkëndije në Universitetin e Shkodrës, e cila pa marrë dritë mirë u shua-jo nga protesta e studentëve!). A mos vallë i pamë të dalin studentët në protestë në sheshet universitare, për të protestuar kundër një fenomeni që gërryen jo vetëm auditorët e universiteteve, por edhe shoqërinë shqiptare, ashtu siç i shohim të protestojnë kur steka e cilësisë në arsim çohet qoftë edhe me një gradë, ku anglishtja (gjuha që flet dhe z.Ambasador) vendoset si kriter për të rritur cilësinë në studimet Master? A mos vallë presim nga z.Arvizu të na e ndërtojë Europën në çdo cep të Shqipërisë? Mbase edhe znj.Merkel mund të ishte një alternativë…

Nuk e di dhe nuk dua ta di se çfarë ka menduar z.Arvizu kur ka lexuar ato radhë në gazetë. Mbase ka thënë: më në fund vepruan. Por në fakt unë u trishtova, u trishtova që edhe studentët, e ardhmja e këtij vendi, ata te të cilët ne po përpiqemi të projektojmë shpresën, të ardhmen si qytetarë të denjë të kësaj Europe ku bëjmë pjesë, e shohin zgjidhjen dhe i bëjnë thirrje dikujt për të na sjellë demokracinë, për të na ruajtur rendin, plehrat, mjedisin, të na rregullojë financat e OJF-ve, të na shtojë buxhetin për arsimin për shkencën, të na hapë vende pune etj. etj.

Unë ju falenderoj z.Arvizu që ndërmorët nismën “Vepro tani”, sepse ne shqiptarët kemi nevojë të veprojmë për veten, për familjet tona, për shoqërinë tonë, për Europën që e duam aq shumë, dhe meqenëse nuk kemi vepruar deri tani, ndoshta e thënë nga ju do ketë më shumë vlerë. Por duke qenë përditë me studentët, kam mësuar shumë prej tyre, dëshirat, ambiciet, kam dëgjuar protestën e tyre (nëpër tavolina) për gjërat që nuk shkojnë ashtu siç duhet, dhe dua shumë që atë mençurinë që e tregojnë  auditoreve, atë shpirtin revolucionar dhe progresist, ta projektojnë në shoqërinë shqiptare. Dëshirat, ëndrrat, sfidat, ambiciet studentët shqiptarë i bëjnë realitet duke studiuar, punuar e luftuar shumë dhe përditë. Ndoshta artikulli është veç një “trendy”, duke ndjekur trendin e politikës shqiptare.

*Zv.rektore-Universiteti Europian i Tiranës.

Reklama-Eagle

5 Përgjigjet për "Edhe studentët te z.Arvizu e shohin dritën?"

  1. ina shahu  28/06/2012 në 10:22 am

    Shkelqyeshem,znj. Xhindi,me thjeshte e sakte nuk mund te shpreheshit.

  2. kujtim  28/06/2012 në 11:44 am

    me pelqen mendimi juaj, per sa i perket politikanve ata po mesojne brezin e ri si veten ,arsya esht qe jan ne sherbim te tyre. dhe jo ne sherbim te qytetarve,keta persona qe kerkojne nderhyrjen e ambasadorv a nuk e kuptojn qe ata jan ne sherbim te po pullit te tyre,dhe te interesave te tyre,dhe japin ok vetem kur persni qe zgidhet u sherben atyre.un ftj te rinjet te jen te pa mvarur nese don ti sherbjn vendit te vet.

  3. ona  28/06/2012 në 5:01 pm

    Po moj Z.Nevila me pelqeu shkrimi juaj,por perderisa keta ambasador i fusin hundet kudo dhe deri te numeri i votave asnje gje te keqe nuk ka,vetem nje fakt po te jap u deshe nderhyrja e Amasadorit Arvziu qe RISTANI te hapte dosjen e plehrave.
    Pra z.Nevila kjo vjene nga QEVERIA qe kemi ne krye.
    Me respekt qe komenti do me postohet .

  4. edi  28/06/2012 në 6:33 pm

    O Nevi,
    Po pse mo nuk i shkruajte keto rreshta me pare se te zgjedhej presidenti sepse me keto qe thua kishe vertete shance per tu kualifikaur per short liste. Apo shikove Ardian Civicin e shkrete qe gjate dy javeve qe u diskutua per presidentin shkruante nga dy artikuj (i thencin) ne dite, gjoja per ekonomiene, por asnjeri nuk u kujtua per te. Ai ka qene bashkepuntor i Sali-Nanos, e per me teper i kane dale edhe ca plagjiature posht e lart neper internet, por ti o Nevi kishe vertet shance per tu zgjedhur. Vazhdo o Nevi e shkruaj, se edhe permiresohesh, dhe ndoshta Arvi-Sala do te zgjedhe te zevendesosh Zhozin.

    P.S. E di qe Mapo nuk i boton komenet qe nuk lavdroje stafin e UET-se, por sinqerisht duke bere kete nxit mediokritetin dhe nuk i sherben as UET-se as vetes.

  5. Elton Hasanaj  29/06/2012 në 8:44 am

    shume shkrim i gjetur!
    Bravo!

Komentet janë mbyllur