visi baner 5

Ekspozita për Çamërinë, Idrizi mbledh bashkë Ramën dhe PD

Java e Çamërisë dhe ekspozita e çelur dje në Muzeun Kombëtar “Kultura dhe Historia e Çamërisë” bashkon si rrallëherë të gjitha forcat politike në vend. Kreu i PDIU, Idrizi ka pritur dje në këtë ekspozitë kreun e  PS-së, Edi Rama dhe disa deputetë të PD-së, si Sula, Doda, kreun e PR, Mediu, atë të PLL-së, Spahiu etj. Rama dhe deputeti i PS-së, Klosi janë parë në shoqërinë e deputetit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Ekspozita

Në këtë ekspozitë, e cila u zhvillua pikërisht në 68-vjetorin e nisjes së genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë më 27 qershor 1944, u shfaqën dokumente origjinale të sekuestrimit të pasurive të shqiptarëve të Çamërisë, vërtetime të lëshuara nga shteti grek, protestat origjinale të dërguara nga Shqipëria, si edhe fotografi të vjetra të krahinës, krahas personaliteteve të shquara të Çamërisë. Po ashtu u prezantua vepra “Monumentet natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, një punë dyzetvjeçare e prof. dr. Selman Sheme.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi vlerësoi nevojën e një kohezioni mbarëkombëtar për zgjidhjen e çështjes çame. Duke falenderuar të ftuarit për pjesëmarrjen në një datë kaq të rëndësishme për këtë trevë të kombit shqiptar, Idrizi theksoi se bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pa dallim ngjyrimesh krahinore, politike dhe fetare është pikënisja e zgjidhjes së çështjes çame.

“Ndodhemi në sallën e Muzeut Kombëtar, ku ruhen trashëgimitë kryesore historike të kombit, nga rrugët kryesore të Tiranës, zbukuruar me shprehje të ndryshme vizuale të motos ‘Unë e dua Çamërinë”. Çamëria është dheu i të parëve tanë, ku janë varret e gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve tanë, atje janë gjurmët më të vjetra të ekzistencës sonë njerëzore, janë themelet e autoktonisë sonë, domethënë, pse ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë aty, në ato vise të mrekullueshme, është qytetërimi i pestë në botë, Nikopoja. Në Çamëri janë gjurmët e vijimësisë sonë etnike, kulturore, fetare dhe gjeografike, e pse jo dhe kanunore, domethënë të ligjit zakonor shqiptar, atje ka lindur dhe është rritur folklori ynë i mrekullueshëm. Në Çamëri kanë lindur mitet më të rëndësishme të Europës. Atje në Çamëri, dy kombet më të vjetra të Europës, shqiptarët dhe grekët pretendojnë pronësinë e këtyre miteve. Nëpërmjet këtyre miteve, nëpërmjet shumë gjurmëve monumentale që gjenden në Çamëri, grekët duan të provojnë se rrjedhin prej helenëve të lashtë. Ndoshta si thotë Aristidh Kolia, patriarku i madh kombëtar shqiptar, dy kombet s’kanë arsye pse të grinden, por të bashkëjetojnë, duke nderuar rrënjët e tyre të përbashkëta. Ndaj ka ardhur koha që Greqia, përfundimisht të kuptojë se asnjë e keqe nuk i vjen prej kombit tonë, prej bashkëjetesës me shqiptarët, kudo ku ata kanë jetuar dhe ku duhet të jetojnë!” – tha Idrizi.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur