visi baner 5

Ekzekutohet në Tiranë të Re Bledar Balliu, 1 vit pas eliminimit të shokut të qelisë

Tiranë Shtatë plumba pistolete kanë prerë në mes rrugëtimin e Bledar Balliut drejt shtëpisë, rreth orës 23.00 të mbrëmjes së djeshme. Atentati ndodhi në të njëjtën zonë, thuajse një vit pas vrasjes së ish-mikut të qelisë së Balliut, krim që rëndonte mbi të edhe në mungesë të provave. Dëshmitarë në vendngjarje i thanë mbrëmë MAPO-s se i akuzuari për vrasjen e Aleksandër Koliçit u qëllua teksa po kthehej në shtëpinë e tij, që ndodhej pak metra larg gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. 35-vjeçari Bledar Balliu ka qenë duke ecur i vetëm, në momentin që një burrë në moshë i ka prerë rrugën dhe ka zbrazur mbi të gjithë plumbat që kishte në pistoletë. Autori më pas dyshohet të ketë hipur në një makinë “Audi” në ngjyrë gri, që sipas dëshmitarëve nuk kishte targa. Burime nga policia e Tiranës thanë mbrëmë se Bledar Balliu, një personazh ky i njohur i botës së krimit në vend, është dërguar në spitalin Ushtarak nga kalimtarë të rastit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Ai ka ndërruar jetë rreth mesnatës, gjatë kohës që shërbimet e policisë i ishin vënë pas makinës me të cilën dyshohej se udhëtonte vrasësi. “Autori i krimit është larguar me makinë në rrugën që të çon drejt Rinasit, por është detyruar të kthehet pas për shkak të postblloqeve të shumta të policisë”,-i thanë mbrëmë “MAPO”-s burime nga grupi hetimor. Vendi ku Bledar Balliu u qëllua për vdekje është rrethuar më pas nga forca të shumta të policisë së Tiranës, të cilët me të mësuar emrin e viktimës kanë ngritur pistat e para hetimore. Në ndihmë të hetimit kanë ardhur edhe disa roje private, të cilat ndodheshin në institucionet pranë vendit ku ndodhi atentati. Bledar Balliu, 35-vjeçari me origjinë nga Elbasani është një personazh i njohur për policinë që prej vitit 2006, kur u arrestua për trafik ndërkombëtar lëndësh, në kuadër të operacionit “Poter-Al”. Hetimet mbi grupin e drogës sollën edhe armiqësitë e para mes 7 të arrestuarve, pas dyshimeve se njëri prej tyre, Aleksandër Koliçi, kishte pranuar të bashkëpunonte me drejtësinë. Hakmarrja ishte pista kryesore e hetimeve, pas ekzekutimit me një plumb në kokë të Aleksandër Koliçit, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij në zonën e Tiranës së Re më 15 korrik të vitit të shkuar. Dhe historia e hakmarrjes duket  se është përsëritur mbrëmë, me ekzekutimin e të dyshuarit, thuajse në të njëjtat rrethana. Pas vrasjes së Koliçit, policia e Tiranës arrestoi Bledar Balliun si të dyshuarin kryesor për krimin. Ky i fundit qëndroi disa javë në qeli, për t’u liruar falë alibisë së një mikut të tij, që pohoi për gjykatën se në orën e vrasjes së Kuliçajt, ata kishin qenë bashkë. Për këtë alibi, Balliu paraqiti para gjykatës edhe disa pamje filmike të cilat i dhuruan lirinë, por jo shuarjen e dyshimeve se ishte ai personi që kishte eliminuar ish-shokun e tij të qelisë. Në këtë linjë janë fokusuar mbrëmë edhe hetimet për zbardhjen e vrasjes së Balliut, që sipas zyrtarëve të policisë së Tiranës dyshohet të jetë pjesë e së njëjtit zinxhir hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Koliçit.

 

Dëshmia e Balliut: Nuk jam unë vrasësi i Koliçit

Pas vrasjes së Koliçit,  dyshimet e para të policisë dhe prokurorisë kanë rënë mbi Balliun, ish-miku i dikurshëm dhe shoku i qelisë në një proces gjyqësor zhvilluar në Gjykatën për Krime të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve. Gjatë këtij procesi, Aleksandër Koliçi pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë për të rrëfyer gjithçka dinte mbi funksionimin e grupit të narkotrafikut, i cili përbëhej nga një numër i madh personash, një pjesë e të cilëve është dënuar për trafik narkotikësh. Paraprakisht, policia dyshon se vrasja e Koliçit ka ardhur si hakmarrje për bashkëpunimin me prokurorinë në procesin gjyqësor ku i pandehur ishte dhe autori i dyshuar Bledar Balliu. Sipas hetimeve, rezulton se familjarët e viktimës kanë deklaruar se Aleksandër Koliçi dhe Bledar Balliu kanë pasur konflikte të vazhdueshme mes tyre. Këto pretendime janë kundërshtuar nga i dyshuari Bledar Balliu, i cili gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë tha se ka qenë në një lokal që është i mbikëqyrur nga kamerat, mbante të veshur këmishë dhe jo bluzën që pretendon përfaqësuesi i akuzës. Bledar Balliu dyshohet si autor i vrasjes së Aleksandër Koliçit, ngjarje kjo e ndodhur më 15 korrik të këtij viti në rrugën “Ymer Kurti” në kryeqytet. Fillimisht Gjykata e Tiranës caktoi ndaj Balliut masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 ditë, por më pas u detyrua ta lirojë për mungesë provash.

Reklama-Eagle

3 Përgjigjet për "Ekzekutohet në Tiranë të Re Bledar Balliu, 1 vit pas eliminimit të shokut të qelisë"

  1. Anonim  28/06/2012 në 3:59 am

    Legalizimi i droges nuk do sillte kete shkalle kriminaliteti.

  2. Pingback: Ekzekutim mafioz në Tiranë : Freepress.al

  3. Kolin, çun tirone dje - shtetas europjan sot  28/06/2012 në 1:40 pm

    Shikojini ftyrën për të kuptu se sa njeri pa mëkate osht. Kta kan pastru njoni-tjetrin. 1 m…ut mo pak.

Komentet janë mbyllur