visi baner 5

Kosova duhet t’i kërkojë sqarime BE-së ose të largohet nga dialogu

Disa politikanë kosovarë në pushtet bëhen sikur kurrë nuk kanë dëgjuar se Serbisë, si garanci për të hyrë në dialog, pos premtimeve për status kandidati në BE, i është premtuar se asgjë në dialog, asnjë marrëveshje apo temë, nuk do të vërë në dyshim qëndrimin e Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës. Aq më tepër, kur Beogradi kishte refuzuar variantin e parë të kompromisit rreth fusnotës, të cilin e kishte pranuar Kosova, ani pse ishte diskriminuese ndaj Kosovës, ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper, shkoi aq larg saqë publikisht, në intervistë për gazetën “Veçernje Novosti“ të Beogradit, pati thënë pa asnjë dyshim se “duhet të pranohet fakti se Kushtetuta e Serbisë e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, por duhet të gjejmë zgjidhje praktike”.
Prej kur është nisur dialogu e deri në ditët e sotme Beogradi ka realizuar planin 100%. Ka arritur të ruajë qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës dhe e ka marrë statusin e kandidatit. Nuk është dënuar në asnjë hap për obstruksionin që i ka bërë zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tash apo arritjes së marrëveshjeve të tjera. Vërtet “lehtësuesit” e BE-së kanë pasur plot lëvdata për sjelljen konstruktive në dialog. Madje kanë thënë se “për moszbatimin e marrëveshjeve 90% ka faj Beogradi dhe 10% Prishtina“. Kjo në fjalorin diplomatik përkthehet në “të dyja palët kanë faj për moszbatimin e marrëveshjeve”.
Njerëzit e kyçur në dialog në emër të BE-së kishin kuptim të plotë për Beogradin, i cili, të njëjtën orë kur mori statusin e kandidatit, ndërpreu pjesëmarrjen në dialog dhe zbatimin e marrëveshjeve. Thoshin se “vetëm t’i ndihmojmë Tadiqit të fitojë edhe një mandat dhe do të vazhdojmë“. Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, madje ishte shumë i sinqertë duke thënë se “sapo të përfundojnë zgjedhjet në Serbi, do të kërkojmë të zbatohen marrëveshjet e arritura në dialog”. Fule nuk e ka dertin te nevoja praktike për të zgjidhur problemet praktike. Atij i intereson që të ketë argumente për të propozuar datën për nisjen e dialogut me Serbinë. E zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën nga vendet anëtare (pra nga vendet anëtare e jo nga BE-ja) është kusht për të ecur Serbia në  fazën e re.
Zyrtarët e BE-së me nervozizëm ndiqnin fushatën zgjedhore në Serbi, duke toleruar edhe arrestime të shqiptarëve, edhe hyrje të policisë serbe në territorin e Kosovës, edhe retorikë luftënxitëse. Vetëm e vetëm donin të siguronin ndihmën për një mandat të ri Boris Tadiqit. Thoshin se “në rast të fitores së Nikoliqit, Serbia do të kthehet nga e kaluara e errët“.
Tash kur fitoi Nikoliqi, ata e mirëpriten në nivelin më të lartë në BE. Flamuri i Serbisë në nder të Nikoliqit ishte vënë para ndërtesave të BE-së, ndërsa ai zhvillon edhe konferencë për gazetarë me kryetarin e Komisionit Europian. Së paku publikisht, askush nuk ia përmendi deklaratat nga e kaluara dhe rreth të kaluarës, ato për “Vukovarin si qytet serb, ku kroatët nuk duhet të kthehen“ apo se “Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid“ apo se “shqiptarët që nuk duan të jetojnë në Serbi, të shkojnë përtej Bjeshkëve të Nemuna“. Ndodhi e kundërta. Ofensiva e “sharmimit“ e diplomacisë serbe, e ndihmuar nga zyrtarët e BE-së (ata që e njohin se si duket Nikoliq, sepse Ashton nuk e dinte se dukej ai fizikisht) ka dhënë rezultate. Nikoliqit iu thurën lavde për politikën e tij proeuropiane. U shpreh mbështetje për të dhe Serbinë në rrugën drejt integrimeve në BE. U kërkua që të punojë në “normalizimin e raporteve me Kosovën”, por pa kërkuar që të pranojë realitetin se Kosova është shtet i njohur nga 22 anëtare të BE-së.

Mst: Kosova të mos marrë pjesë në dialog që garanton Kushtetutën e Serbisë
Ajo që ishte befasuese, ishte siguria me të cilën fliste Nikoliqi rreth garancive që ka marrë për qëndrimin rreth Kosovës: “Na u tha qartë se BE-ja kurrë nuk do të kërkojë nga ne ta njohim Kosovën“, tha ai. Pastaj shkoi edhe më larg, duke folur për marrëveshjet e arritura në dialog: “I pashë ato dhe u binda se asnjëra marrëveshje nuk shkel në asnjë mënyrë  Kushtetutën e Serbisë“, tha Nikoliq.
Pra, për të satën herë është thënë se të gjitha marrëveshjet në dialog janë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë. E  tha këtë në Bruksel, në prani të liderëve të BE-së edhe Presidenti i ri i Serbisë, “Proeuropiani“ Tomislav Nikoliq. Duke ditur se ajo Kushtetutë e përmend Kosovën si pjesë të Serbisë, vazhdimi i dialogut pa sqarime nga BE do të thotë për Kosovën vënie në dyshim të Deklaratës së Pavarësisë. Do të thotë se Kosova po merr pjesë në dialogun i cili garanton Kushtetutën e Serbisë. E Kushtetuta e Serbisë ka aspirata territoriale ndaj Kosovës.
Një diplomat i BE-së, duke u orvatur ta relativizojë peshën e garancive që i janë dhënë Serbisë, se “nuk do të vihet në dyshim Kushtetuta e Serbisë“, tha se “mund të thuhet se respektohet edhe Kushtetuta e Kosovës“. Kosova as në Kushtetutë e as në ndonjë dokument tjetër nuk thotë se Serbia është pjesë e Kosovës. BE-ja, në anën tjetër, nuk e trajton Kosovën si shtet, ndërsa Serbinë po. Kosova pranon se Serbia ekziston, ndërsa Serbia nuk pranon ekzistimin e Kosovës.
Sa u përket lëvdatave dhe simpative që ka fituar Kosova përmes dialogut, ato mund të jenë të vërteta. Simpatitë shkojnë për ata që pranojnë kërkesat pa kushtëzime, ata që janë “konstruktivë“. Beogradi nuk ka fituar simpati, por i ka arritur qëllimet e veta. Ka statusin e kandidatit, qytetarët e saj tash e sa vjet udhëtojnë pa viza nëpër Europë, ka ruajtur qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës,  ka arritur të parandalojë njohjen e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së. Kjo është dëshmia më e mirë se Beogradi ka qenë i përgatitur mirë për dialog, ka ditur se çfarë kërkon, ku mund të lëshojë pe, pa ia prishur vetes punët, e ku jo. Kosova ka hyrë në dialog pa kokë, pa plan dhe pa konsensus kombëtar. Sa të hutuar janë përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë rreth dialogut, dëshmon edhe deklarata e dr. Edita Tahirit, se “Kosova nuk do të pranojë kurrë dialog politik me Serbinë!“ E po e njëjta Edita Tahiri udhëheq Kosovën pikërisht në dialogun tejet politik me Beogradin dhe këtë e thonë qartë edhe në BE. Asnjë problem për të cilin bisedohet në dialog nuk është jashtë kontekstit politik dhe pikërisht janë probleme të shkaktuara nga qëndrimet politike.
Tash kur flitet për vazhdimin e dialogut, për marrëveshje të reja, nisjen e dialogut për Veriun, Kosova duhet të rishikojë mirë pozicionin e vet. Duhet të kërkojë sqarime nga BE-ja për deklaratat e Cooperit dhe Nikoliqit për “respektimin e Kushtetutës së Serbisë“ dhe rreth “garancive se kurrë BE-ja nuk do të kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës”. Ndoshta në Kosovë prapë duhet të krijohet ndonjë grup ndërpartiak mbarëkombëtar, i cili do të koordinonte veprimet, sepse Parlamenti është i pafuqishëm (edhe vetë kryetari i Parlamentit thotë se Qeveria nuk është e obliguar t’i respektojë rezolutat). Presidentja është pa legjitimitet demokratik, por rezultat i marrëveshjeve jashtinstitucionale e madje private. Kryeministri dhe Qeveria ose nuk e kuptojnë, ose qëllimisht bien në kurthet e BE-së dhe kënaqen me “Udhërrëfyes“. Kohë nuk ka shumë për Kosovën, sepse tash do t’i duhet Serbisë diçka nga dialogu dhe sa herë që ka nevojë për Serbinë, Kosovës i bëhet presion që të lëshojë pe. Kështu Kosovës i mbeti fusnota, e cila më shumë sesa “fjollë“ është “njollë“ për Kosovën, sepse e dallon sikur të ndryshme nga të gjithë të tjerët.

 

*Korrespondent i gazetës kosovare ‘Koha Ditore’ në Bruksel.

 

Reklama-Eagle

NJë përgjigje për "Kosova duhet t’i kërkojë sqarime BE-së ose të largohet nga dialogu"

  1. shqiptari  22/06/2012 në 7:32 am

    E vërteta është se Kosova s’mund të ketë një politikë “këmbëngulëse”.JO, përderisa ka këta liderë politik. Ama bash të gjithë janë të shantazhuar, pikërisht për shkak të kaluarës së tyre…!

Komentet janë mbyllur