Ligji për Arsimin, debate në komision për mësuesit

Anëtarët e Komisionit të Edukimit, të cilët prej javësh po diskutojnë Ligjin e Arsimit Parauniversitar kanë debatuar gjatë nëse duhet ose jo që performanca e një mësuesi të vlerësohet nga notat që kanë marrë nxënësit. Sipas zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata, çështja e arritjeve nuk barazohet dhe nuk ka lidhje vetëm me notën. “Ai është një terren që ka lidhje me një sistem testimesh, vlerësimesh të brendshme dhe vlerësimesh të jashtme”, – tha Shamata. Të njëjtin qëndrim me të ka mbajtur edhe deputeti demokrat, Mark Marku, duke u shprehur se cilësinë e mësimdhënies nuk mund ta përcaktojë vetëm nota. “Kjo mund të çojë në degradimin e sistemit. Është njëlloj sikur gardiani të pushohet nga puna për shkak të vlerësimeve që mund t’i bëjë i burgosuri”, – u shpreh Marku. Por sipas kryetares së Komisionit, Valentina Leskaj, “arritjet e ulëta të nxënësit janë përgjegjësi e mësuesit, por mund të ndodhë që mësuesi për këtë shkak të mos vërë fare nota të ulëta në klasën e tij dhe nxisim fiktivitetin”. Pas debatit për mësuesit, deputetët janë ndalur tek neni 61 i projektligjit, ku opozita ka kërkuar që drejtori i një shkolle, për shkarkimin e mësuesve të marrë mendimin e Komisionit Përzgjedhës, që bën propozimin për emërimet e tyre. Propozimi i opozitës nuk është marrë parasysh. “Unë besoj se ka një zgjidhje, nëse drejtori i institucionit arsimor vendos largimin pasi merr pëlqimin nga ky komision”, – u shpreh Leskaj. Me ligjin e ri, për herë të parë emërimet e mësuesve dhe drejtorëve të shkollave nuk janë kompetencë e drejtorit të arsimit në nivel qarku, por bëhen nga një Komision Përzgjedhës, pjesë e të cilit janë edhe mësuesit dhe pushteti vendor. Pjesë e kësaj pakete janë bërë edhe disa propozime të shoqërisë civile, mes të cilave edhe kushtet që drejtuesit e arsimit dhe të shkollave të mos jenë në forumet drejtuese partiake në qendër dhe në bazë.

 

 

 

 

Komentet janë mbyllur