visi baner 5

Nano, një kthim i vështirë

Një prej lajmeve që po përcjell realitetin post President duket e quajtura “Lëvizja Nano”. Pyetja e parë që të vjen ndërmend është se a do ta kishim këtë “lëvizje” sikur Nano të qe ulur në karrigen e Presidentit? Përgjigjja: Jo. Kushtëzimi i lëvizjeve me rezultatin e një iniciative individuale, duke mos qenë faktor institucional, e ka lënë Nanon në periferi të zhvillimeve reale politike dhe e ka bërë të shfaqshëm sa herë i duhet dikujt që mendon se mund ta bëjë President.

Fatos Nano ka qenë i suksesshëm në lëvizjet e tij përgjatë ciklit të një karriere të plotë, që pakkush e ka bërë në politikën shqiptare. Suksesi i parë i erdhi papritur prej kundërshtarit, kur në vitin 1993 përfundoi në burg e u kthye në simbol të socialistëve. Lëvizja e vitit 1996, nga burgu, dorëheqja dhe rizgjedhja në krye të PS-së në vitin 1999 dhe “Lëvizja për Katharsis” e vitit 2001, që e riktheu në krye të Qeverisë, janë pjesë të biografisë së pasur politike të Nanos, e cila përfundoi me humbjen e zgjedhjeve të vitit 2005 dhe dorëheqjen e tij nga kreu i PS-së. Ky moment u duk se shënoi mesazhin e parë të një kulture të re politike në Shqipëri. Por nuk rezultoi ashtu. Nano nuk hoqi dorë asnjëherë nga ambicia për t’u rikthyer. Madje në mënyrë shumë komprometuese.

Ardhja e Edi Ramës në krye të PS-së, përkundër dëshirës së ish-liderit, krijoi një hendek të thellë mes tyre. Që prej kësaj kohe Nano ka lëvizur dy linja, njëra për rrëzimin e Ramës nga kreu i PS-së dhe tjetra për marrjen e postit të Presidentit. Linja e parë ka qenë gjithnjë në funksion të së dytës. Për t’i realizuar këto, pas vitit 2007 (kur dështoi në përpjekjen për t’u bërë President), Nano zgjodhi rrugën e mbështetjes për kundërshtarin e tij historik Berisha. Duke menduar se nëpërmjet humbjes së PS-së do të bënte të mundur largimin e Ramës dhe në këmbim të postit të Kryeministrit për Berishën do të kompensohej me postin e Presidentit. Por edhe pse PS-ja i humbi zgjedhjet e vitit 2009, as njëra as tjetra nuk ndodhi, as Rama nuk u largua e as Berisha nuk e mbështeti Nanon në ëndrrën e tij presidenciale. Lëvizja anti-Rama, e iniciuar nga Nano dhe e lënë në rrugë, u shndërrua në një parti që nuk arriti të fitonte as 1% të votave. Më pas ajo u ri-aleancua me Ramën.

Bilanci i iniciativave politike të Nanos, pas vitit 2005, rezulton i pa suksesshëm. Dështimi më i madh tij është armiqësia e parikuperushme me vetë socialistët. Për shkak të gabimit strategjik të mbështetjes te kundërshtari për të arritur në destinacion e projektuar. Mbështetje e cila i rezultoi nul.

Fushata parazgjedhore presidenciale tregoi se Nano mbetet një ish, respektohet si një ish, pavarësisht moshës së tij relativisht të re. Shfaqja e Nanos për të njëjtën arsye, me të njëjtat mjete, thuajse me të njëjtit mbështetës, ngjan me përsëritjen e një filmi të vjetër në një shoqëri dinamike ku njerëzit lindin, rriten, piqen e përparojnë, ndërsa Nano ikën e vjen njëherë në pesë vjet për të parë gozhdën presidenciale.

Rikthimi i Nanos në PS nuk është çështje rehabilitimi të një tradhtari. Çdokush ka të drejtë të bëjë çfarë do e kurdo, në një shoqëri pluraliste. Aq më tepër në një vend ku thuajse asnjë prej politikanëve që startuan para 20 vjetësh nuk është larguar me dëshirë, edhe pse të gjithë kanë rezultuar humbës më shumë se një herë. Problemi është se çfarë përfitojnë socialistët nga një rikthim i Nanos dhe jo çfarë përfiton ky i fundit. Sepse përkundër arsyes së krijimit të “lëvizjes për fitore”, Fatos Nano nuk është se i ka udhëhequr ndonjëherë tamam socialistët në fitore. Ata kanë fituar ose kur në krye nuk ka qenë fizikisht Nano (referendum i vitit 1994) ose kur i kanë shtruar atij rrugën për fitore (zgjedhjet e vitit 1997 me Nanon e sapodalë nga burgu dhe 2001 me Nanon kryetar partie pa pushtet) dhe kanë humbur kur në krye ka qenë një Nano i fortë (zgjedhjet e vitit 1992 dhe 2005).

Fatos Nano e ka kuptuar, më në fund, se e kaluara, sado e pasur, nuk është e mjaftueshme për të realizuar ambicie të reja dhe se faktorizimi institucional është mënyra e vetme për t’u bërë imponues në politikë. Ky faktorizim mund të vinte vetëm nëpërmjet provës së krijimit të një partie të re. Por Nano nuk ka gjetur momentin më të mirë për të prodhuar një lëvizje tjetër. Ai ka humbur shumë kohë, për të kanë rënë shumë arsye. Ja pse rikthimi i Nanos në krye të socialistëve është i vështirë, për të mos thënë i pamundur.

 

Reklama-Eagle

2 Përgjigjet për "Nano, një kthim i vështirë"

  1. Lucio  17/06/2012 në 4:13 pm

    arsyet e nje faktorizimi institucional per Nanon e penguar ne ambicjen e tij per te qene imponues ne politike ashtu si edhe per kedo tjeter, qe di te ndertoje kushtet per te patur nje mbeshtetje duket nenvleftesimi i rradhes i socilaisteve. Te tilla nenvleftesime i kane bere te humbasin zgjedhjet nepermjet nje rruge te moskapercimit te ndasive te brendshme pikerisht ne date lindjeve duke ringjallur kundershtarin fizionomogjikisht, perballe paaftesise se tij per tu preballur me nevojen e dhenjes se zgjidhjeve per zgjedhjet e shqiptareve. Aktualisht ne Shqiperi ka nje situate me shume komike se politike, qe hostinohet te shkaktoje nje fryme bllokuese per procesin me te rendesishem te integrimit ne adten me te rendesishme te Shqiperise, kur edhe faktoret nderkombetare po humbasin goditje te cmuara ne te drejten institucionalizuese dhe mebshtetese per Shqiperine, duke derguar kohet e fundit komike per te permbushur perkrahjen politike euro atlantike per qeverine. Shkoqur 3 PD perballe 3 PS dhe ku ka jo me dy lider, por 6 te tille, te jete kriza e vitit te gjashte edhe presidenti i gjashte nuk jep ndonje zgjidhje te perkryer, pervecse ndonje zgjidhjeje te Shqiperise se mesme per Shqiperine e mesme. Te gjithe jane te pushtetshem, te gjithe kane perkrahje ne popull dhe levizja per faktorizimin e Nanos po te dije te reflektoje aleancat e 2011 rezulton percaktuese ne politike

  2. Illo  17/06/2012 në 4:22 pm

    Nje analize e shkelquer dhe e pa anshme . Nano eshte politikan i perkedhelur nga rrasti dhe nga miqte e deshtuar . Ne te tera fushat dhe ne te tera rrastet eshte i pa afte . Me shume ka luftuar njerzit e afert te familjes politike . I ka luftuar pa skrupull dhe pa llogjike politike . Mjer kush e ben shok kete njeri , qe une nuk kam pse ta quaj sharlatan . Illo

Komentet janë mbyllur