visi baner 5

Njeriu i mirë Nishani-President: kundër interesit publik, kundër interesit të PD-së

Presidenti u zgjodh. Është ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, një politikan i urtë, njeri korrekt, pa asnjë rekord negativ në konfliktualitetin politik brenda PD-së apo jashtë saj, i papërfolur për korrupsion apo për afera me krimin dhe korrupsionin. Deri këtu gjithçka mirë. Urime dhe suksese për Presidentin e ri, njeriun e mirë, Bujar Nishani. Tashmë që ai u zgjodh, nuk mbetet veçse të mbështetet nga gjithkush, t’ia dalë mbanë detyrës më të vështirë në Republikën e Shqipërisë.

Por procesi që e çoi atë President të Republikës, detyra e lartë që ka marrë përsipër, si dhe ata që e emëruan në këtë post, meritojnë një analizë dhe gjykim mbi këtë që ndodhi në sfondin e një procesi politik tejet të ngarkuar, delikat dhe kontekstualisht nga më të vështirët në këto 22 vjet të demokracisë së re shqiptare. Kjo sa i takon zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.

Paraprakisht mund të thuhet se, pavarësisht se çfarë ndodhi, për faj apo për meritë të kujt, përfundimi është ky: një President i Republikës si Bujar Nishani është një zgjedhje kundër interesit publik, është po ashtu një zgjedhje kundër vetë interesit të shumicës në pushtet, PD-së në radhë të parë.

Procesi: E vërteta e do ta themi ashtu sikurse është: Sali Berisha, falë presionit pozitiv të partnerit të koalicionit, Ilir Meta, dhe presionit të opinionit publik dhe miqve ndërkombëtarë, me mikun e paanshëm të demokracisë shqiptare, ambasadorin Arvizu në krye, e tejkaloi vetveten dhe në 3 raundet e para iu fut një procesi, serioz dhe i përkushtuar, për të gjetur me opozitën e Edi Ramës dhe me Ilir Metën, partnerin e vogël të koalicionit, një kandidat konsensual, të pranuar nga opozita, nga opinioni publik e faktori ndërkombëtar. Lista e emrave që ai paraqiti publikisht, në tavolinë me partnerët dhe kundërshtarët, apo pas kuintave të politikës, nuk ishte gjasme: ishte e vërtetë, ishte e hapur, ishte e qartë dhe shkonte në drejtimin e kërkuar nga opinioni publik. Për këtë mjaftojnë 3 ilustrime: Xhezair Zaganjori, Artan Hoxha dhe Arben Imami. (Nuk është faji i Sali Berishës që dy kandidatët e parë, brilantë, nga sfera të ndryshme të publikes, jashtë politikës, nuk patën guximin e mjaftë të pranonin edhe dafinat edhe domatet e prishura, që natyrshëm ka ngjitja në majë, në këtë rast: kur bëhesh President i Republikës.) Sa i takon Arben Imamit, ministrit aktual të Mbrojtjes, një emër sinjifikativ i politikës shqiptare, ilustrimet janë disa: një nga liderët e Lëvizjes së Dhjetorit, luftëtar gati epiko-idealist, në betejat demokratizuese kundër Sali Berishës e përkrah të majtës shqiptare dhe shoqërisë civile të kohës, me Edi Ramën në krye gjatë gjysmës së parë të viteve ‘90, pastaj bashkautor i Kushtetutës me të ndjerin Sabri Godo, e ministër i reformave të rëndësishme në qeveritë socialiste. Kurse në fillim të viteve 2000 e këtej ka luajtur një rol po ashtu tepër dinjitoz në reformimin e ristrukturimin ideologjik të PD-së dhe të djathtës shqiptare. Ofrimi prej Berishës i këtyre tre emrave, dinjitozë, me prova e dëshmi të rëndësishme në jetën e tyre profesionale dhe civile në shërbim të interesit publik dhe ideve të tyre, që të tre të hedhur poshtë me ligësi dhe destruktivitet nga kryetar i opozitës, Edi Rama, dëshmon për disponibilitetin e qartë, të shfaqur dhe publikisht të Sali Berishës gjatë 3 raundeve të parë për të pasur një president konsensual.

Në raundin e katërt Berisha befasisht luan kartën e kufizimit, të mbylljes në vetvete të shumicës dhe e kthimit te formulat politike kufizuese, me të cilat, paradoksalisht, e nisi që prej shtatorit të vitit të kaluar debatin e presidentit. Në ato 3 orë delikate të mazhorancës së të hënës, ai iu kthye zgjidhjes “Nishani”, një zgjidhje tepër e limituar në profil, në emër të përveçëm, në bazën e ngushtë përfaqësuese, në pamjaftueshmërinë intelektuale dhe politike për të qenë një kënaqje e aspiratës së opinionit publik dhe atij ndërkombëtar rreth emrit dhe profilit të Presidentit të Republikës që common sense-i publik ka ndërmend për një post aq të lartë. Në 100-vjetorin e saj, sidomos kur mendon se republika jonë e nisi me Ismail Qemalin dhe e mbyll me zotin Nishani president. E vetmja arritje e kësaj zgjidhjeje të minutës së fundit, apo ndoshta të minutës së parë, nëse Berisha e kishte ndërmend, është shmangia e profileve të larta partiake agresive nga PD-ja. Profile që do të ishin jo vetëm një garanci për agresivitet e të papritura në presidencë, por dhe një përzierje e sigurt në lojën brenda partiake të pozitës dhe opozitës, gjë e natyrshme kur në presidencë vjen një figurë me profil, ambicie e përfaqësim të lartë në krye të shtetit. Rasti Topi është një mësim i mirë për këtë. Çdo gjë tjetër lidhur me zgjidhjen Nishani është e mangët.

 

Aktorët: Berisha, aktori kryesor i kësaj zgjidhjeje, në fakt nuk arriti asgjë nga sfidat që kishte përpara nga opozita, Brukseli, Washingtoni dhe opinioni publik, pavarësisht nga shkaqet objektive apo subjektive që sollën në skenë “zgjidhjen Nishani”. Berisha nuk ka zgjidhur asgjë nga sfidat dhe objektivat që ai ka përpara: të arrinte një kompromis me opozitën, për të fituar statusin e kandidatit në vjeshtën e këtij viti; të fitonte qetësimin e opinionit publik lidhur me pandehmën alarmante që është më shumë se kurrë në këmbë: A do të penalizohet Shqipëria, dhe a është ajo e rrezikuar, kur, paradoksalisht, ndodhi ajo që duhej evituar dhe kërkohej të evitohej nga të gjithë: Shqipëria ka për president “ministrin e 15-të të kabinetit”. A do të jetë ai në një monitorim të rreptë dhe paragjykim konstant nga Brukseli dhe Washingtoni tani e tutje lidhur me alarmin tashmë të shndërruar nga potencialitet, thuajse në realitet, të krijimit të një vertikaleje pushteti nga Presidenti i Republikës, SHISH, Prokurori, Gjykatat e Lartë dhe ajo Kushtetuese e deri te Bashkia e Tiranës e kontrolluar nga Sali Berisha? Ky është guri sizifian që Berisha duhet të mbartë në shpinë në sfidat e ardhshme politike, sidomos në funksion të zgjedhjeve të 2013-ës, të cilave ky bilanc politik do t’u rëndojë padrejtësisht mbi shpinë një shumicë ndërkohë kaq të ngushtë e të konsumuar nga 8 vite pushtet. Në vend që të kishte një zgjidhje për presidentin që i jepte marzh shumicës për të manovruar politikisht me një mandat të tretë, Sali Berisha dhe koalicioni i tij do të vuajnë si kosto një mbi-pushtet që nuk i duhet dhe aq, por sidomos një mbi-pushtet që është joshës në pamje afat-shkurtër për është anti-elektoral për garat elektorale të së ardhmes. Si përfundim, “Zgjidhja Nishani” ishte një zgjidhje anti-elektorale për PD-në, pra kundër interesit të saj strategjik.

Profili. Ndërsa theksuam të gjitha rekordet pozitive të Shkëlqesisë së Tij, Bujar Nishani, në krye të shkrimit, duhet të themi gjithashtu dhe tjetrën: Bujar Nishani nuk ka dëshmuar deri tani asnjë element që mund ta bënte atë një President probabël për të qenë i suksesshëm në detyrën e re. Edhe pse ai përfiton nga mos-paragjykimi që duhet të kemi kur dikush nis një detyrë, gjatë karrierës së tij politike ai nuk ka asnjë rekord për të qenë një president mbi palët, një president që mund të përballojë presionin e shumicës, ose më saktë të shefit të tij të deri-djeshëm Sali Berishës. Nuk ekziston asnjë dëshmi, publike ose jo, që ka autoritetin e përshtatshëm për të qenë i pavarur apo autonom, për të marrë vendime të pavarura në favor të interesit publik, pavarësisë së institucioneve, balancimit të tyre e kështu me radhë. Sfidat e një presidenti janë që njëkohësisht të mos konfliktohet me shumicën, por të mos jetë noter i saj; të mos vihet në shërbim të opozitës, por të përfillë pjesën tjetër të popullit opozitar që opozita përfaqëson, të jetë luajal ndaj partnerëve ndërkombëtarë euro-atlantikë lidhur me mirëfunksionimin dhe pavarësinë e shërbimeve sekrete, prokurorisë, drejtësisë, këshillit të lartë të drejtësisë, gjykatave të larta të vendit.

Profili i tij i deritashëm edhe pse korrekt, është i pamjaftë për të qenë ai presidenti i formatit për të realizuar këto sfida, të cilat fillojnë shpejt, shumë shpejt, që janë dekretet e para që e presin në tavolinë: SHISH, Prokurori i ri i Përgjithshëm, vendet bosh në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, beteja për drejtësinë e pavarur dhe profesionale në KLD etj.

E mira do të qe, që të gjitha këto paragjykime në nisje të rrugëtimit të tij presidencial, ai t’i hidhte poshtë më vepra, por druaj se do ta humbë këtë betejë, o në një drejtim o në një tjetër. Ose ka shanse të bëhet, sikurse e paragjykon opozita, “një noter i Kryeministrit”, ose mund të ndodhë dhe parodia tjetër, të shkojë në të kundërt, që sot mendohet më pak, por që nuk përjashtohet: të hyjë në konflikt me shumicën e të instrumentalizohet gjetkë e për arsye të tjera kundër saj, si paraardhësi. Që të dyja të dëmshme për interesin publik. Ndaj me “zgjidhjen Nishani” ka dalë i humbur dhe interesi publik. Në këto kushte, Zoti e ndihmoftë Presidentin Nishani! Për të mirën e Shqipërisë. I vetmi urim për të cilin ai ka realisht nevojë.

 

 

 

 

Reklama-Eagle

14 Përgjigjet për "Njeriu i mirë Nishani-President: kundër interesit publik, kundër interesit të PD-së"

  1. naimi  16/06/2012 në 11:59 am

    po mire o Cili, kush duhet te ishte president sipas teje, ndonje qe te te pyeste ty? Shume i ceket si shkrim.

  2. astrit  16/06/2012 në 1:48 pm

    U lodhe more Cil, por nuk po e marrim vesh se me ke je, me Zaganjorin, A. Hoxhen apo me “njeriun e mire Nishanin”. Me mire thuaj se jam me cdo zgjedhje te Berishes.

  3. abc  16/06/2012 në 2:35 pm

    Nje keshille shoqerore me duhet ta jap:Me ne fund ndergjegjesou njehere Cili, per pozicionin tend: Shqiptaret te kane perjetuar, per tere kohen si nje pudel fshati i Berishes.Sa me shume prononcohesh ne linjen e medias, aq me shume shqiptaret ndjejne zhurmat e tua, qe vijne nga bahcja e kryevezirit.Eshte mire, para se gjithash per ty, qe te merresh me ate peshqesh“universitet“qe ta ka bere Saliu.

  4. Zamir  16/06/2012 në 2:49 pm

    Interesi publik eshte aq i brishte e i amullt jo vetem ne vendin tone(dhe jo vetem te PIGS-at) sa rastet e Zaganjorit dhe Hoxhes jane deshmi e gjalle.

    Kur flitet per republike parlamentare(rasti i presidentit Berisha lidhet me ate presidenciale)na kane rastisur 3/4 lloje presidencash:

    Nje president apolitik ishte nje vegim shkretinor(sepse menjehere do t’i dilnin kembet e te politizuarit gati ne skaj-rasti Moisiu).

    Nje president qe del nga njera pale dhe behet pale me njeren pjese ta pales se tij, kunder pjeses tjeter dhe opozites, eshte edhe ky nje rast i deshtuar -rasti Mejdani dhe konflikti ende i pazbardhur imtesisht, Klosi-Mejdani-Nano, ne rastin e vrasjes se Azem Hajdarit)

    Nje president qe “r(r)uan pavaresine” si qellim ne vetvete mund te konsiderohet vetem ai qe i kthen shpinen te veteve dhe gërmuqet kokeshpine nga pala tjeter-rasti Topi).

    Nje president qe del mëtej pales se tij(pa mohuar vetveten dhe te vetet), do te ishte rasti me ideal. Rasti Nishani mbetet te jetë me i miri i mundshem.

    Nje president kokekembe mbi palet, ne kuptimin platonik, e gjen vetem ne libra, por veshtire ta hasesh ne jete. Per me teper qe ne nje zheg te tille politik e atmosferik, “toka e zhuritur nuk e mban vesën”.

    Megjithate, personalisht ndjej keqardhje te thelle vecanerisht per rastin e çuar dem te Artan Hoxhes; qe edhe pse kembet i kishte mënjanë, koken vertet e mbante drejt e mbi te dyja shpatullat.

    Me duket se me kete artikull z.Cili ka kerkuar gjilperen ne kashte, ku nje perpjeke e tille, moralisht nuk mund te fajesohet.

  5. ermal  16/06/2012 në 5:18 pm

    Z.Cili me kete shkrim cfaq mendimin e tij e nderkaq edhe zhgenjimin e tij. I kam ndjekur disa shkrime te fundit te z.Cili ku eshte shprehur pothuajse hapur per kandidaturen e Fatos Nanos.
    Ndryshe nga militantet socialiste qe komentojne me siper, abc e astrit te cilet me verberine e militantit, duket pa e lexuar fare shkrimin, e akuzojne z.Cili si zedhenes te Berishes, ai ne kete shkrim hapur i kundervihet atij, vetem se nuk zgjodhi “te aftin Nano”, po “njeriun e mire Nishani” qe nuk ja mbush syrin per president.
    Me kete rast te bie ne sy mentaliteti pergojues qe ka zene rrenje tek shqiptaret kur nuk ju plotesohen deshirat e tyre. Me e keqja eshte se ky mentalitet eshte i dukshem tek persona publike sic jane analistet apo gazetaret e mediave, qe duke ju percjelle niveleve te ulta te lexuesve, degjenerojne ne sharje e merira primitive banale.
    Presidenti u zgjodh. Ai e ka emrin Bujar Nishani.
    Le te shpresojme qe ashtu sic e ka emrin, dhe sic ka deshmuar deri tani me natyren e formimin e tij te maturise e qetesise, te jete bujar i durueshem edhe edhe me kete kategori njerezish zevzeke qe kujtojne se bota rotullohet vetem perqark mendjes se tyre. Sapo lexova nje shkrim te M.Nanos qe e degjeneron akoma me keq mendimin mediatik, duke pergojuar z.Nishani se qenka “i pa afte nga ana shendetesore” te kryeje detyren e presidentit.
    O zot deri ne cfare marezirash shkon ky zoteri !
    Sigurisht mund te analizohej zgjedhja e Nanos per president, sepse ka qene kryetar i partise socialiste i emruar nga Ramiz Alia e gjithashtu edhe kryeminister. Por eshte e parakoheshme qe te intrigojme per “njeriun e mire Nishani” duke bere parashikime fantaziste e tendencioze, vetem me paragjykimin se ai eshte pjese e qeverise demokratike dhe i perzgjedhur nga “Saliu”.
    Me kushtetute eshte percaktuar se presidenti i zgjedhur, automatikisht largohet nga perkatesia partiake, dhe z.Nishani deklaroi publikisht se do ti permbahet kesaj kerkese kushtetuese.
    Ai akoma nuk ka filluar te ushtroje detyren e tij, dhe mediat shqiptare filluan te hedhin balte mbi te. Po prisni ore te uruar dhe gjykoni punen e jo zhgunen e tij.

  6. Zeqir Nela  16/06/2012 në 5:44 pm

    Saliu ka qene dhe mbetet nje i pafytyre, nje fshatar hileqar-dinak, qe me ne fund e sheh qe s’ka me asnje rrezik, tallet dhe me Arvizune se beri cdo gje ne kete vend Edi Rama eshte si harlekin-djale mamaje, dhe ai bombardoi Vloren dhe u be prape i pari…….dhe Amerika “nuk vuri dore”!!!!!!.Meta vodhi sheshit dhe na ben politike dhe me Moniken qejflie na zgjedhin dhe Presidentin kukull “I shkreti Nishani..”!!!!!!!!!!!!!!!!!!!Siduket ne kete vend s’ka me as burra as njerez me pak dinjitet pale intelektuale !!!!!!!!!!!!!!!!

  7. miri  16/06/2012 në 6:13 pm

    O shqipe te lodhura po ne kete shkrim ska lidhje as ideologjia as majtas apo djathtas…ky eshte nje shkrim me optike pragmatiste se c’mund dhe s’duhet te ndodhe ose te ndodhte. Nuk e di c’mund te shkruaj me qarte… imagjinoni se sa i pakuptimte ju duket kur shkruan Zheji… Mire ishte mos humbni kohe me lexime po shikoni arjan canin se ai i thote thjeshte dhe shqip gjerat

  8. Ili  16/06/2012 në 8:31 pm

    Zoti Cili nje korigjim: Rrepublika nuk filloj me Ismail Qemalin por me Ahmet Zogun. Deri ne 1925en ishte regjim monarkik pa mbret (perjashtuar Vidin).

  9. Ferdi  16/06/2012 në 9:09 pm

    Qe Atdheu Yne njihet ne boten intelektuale Perendimore si”vend i extremeve” kete e kam te konfirmuar heret dhe ne Konfliktin Kosove -Serbi ,me e theksuar!Por qe te privatizohet ne menyren me te pashembullt klanore,antikombetare nje Qeveri me gjithe “hallkat”ekzekutive te Saj,kjo ndodh vetem ne Shqiperine tone!Presidenti Yne(Junior)paste shendet ,se sa per te tjerat jemi mesuar me “merhumin Ahmet,Enver dhe tshme me Kralin e Shqiperise!-Dhe pse eshte nga vendi i Avni Rustemit,nuk ka kellqe ti thote “JO” Lajthitjeve dashakeqe ,te interesave mesk-ine tarafore,elitare partiake te Satrapit e kompanise se Tije!-Mjere ke ze halli!-Zoti H.Cili!-Migjeni ka kohe qe perfundoi “trilogjine”e “Legjendes se Misrit”,Lulit te vocer”!Po ashtu dhe Lek Dukagjini ka bere disa shtesa ligjesh makabre tek”Kanuni”(lejohet tashme meketa poli….edepsezash)qe te vriten pa ndeshkim ,dhe femije ,vajza,gra ,pleq…!!!-Dhe se fundmi kemi arritur ne nje kryqezim ruge prane Himare-Gerdec dhe sdime c’drejtim te marrim :-Profecine e Sami Frasherit(Shqiperia …cdo te behet)apo (“Anes Lumenjve “)te Fan S.Nolit!?

  10. Ndoc Sukaj  16/06/2012 në 10:11 pm

    Z Cili.Berisha e luajti bukur lojen e ,,konsensusit,,pasi pati ditur ta luaje mire ,,lojen,, e zgjedhjeve ne Tirane dhe neper Shqiperi ane e mbane.Ai deri sot i la te gjithe me ,,gisht ne goje,, qe nga Edi Rama e deri tek Fatos Nano.

  11. Nik Kodra  16/06/2012 në 10:33 pm

    Pershendetje dhe mirenjohje Z. Cili! Me ne fund Universiteti Europian i Tiranes na paska bere nje zbulim surprize: Arben Imamin si ideollog ne “reformimin e ristrukturimin ideologjik të PD-së dhe të djathtës shqiptare”!!!

    Tung,

    Nik

  12. shqiptar  17/06/2012 në 9:32 am

    KUR DUHET Z.CILI BEN SHKRIME TEJET TE SAKTA SI NE KETE RAST URIME zoti CILI.

  13. moralisti  17/06/2012 në 11:46 am

    Eshte hera e pare qe jam 100% dakord dhe sinqerisht besoj se Cili eshte objektiv ne analizen e tij.

  14. pjeter  18/06/2012 në 7:13 pm

    SHIKOJ QE NJE”shqiptari”I PASKE PELQYER….
    AJO QE THEM UNE SE ESHTE E SAKTE DHE NJEREZORE ESHTE URIMI QE BEN NE FUND NE DREJTIM TE PRESIDENTIT.
    PJESA TJETER ESHT PARAGJYKIM DHE ME VJEN KEQ QE KE RENE NE POZITAT E BRACES KUR THOSHTE NE KUVEND SE DO KEMI PERMBYTJE,RRESHQITJE TE DHERAVE DHE KISHTE NJE PLAN TRE MUJOR DERI NE MAJ, QE DUHET TE MERRTE QEVERIA BASHKE ME OPOZITEN,PER TE PERBALLUAR SEBASHKU PASOJAT QE DO TE LINTE BORA E GJATE E JANARIT…FAKTIKISHT AS PERMBYTJE NUK PATI AS RRESHQITJE E AS AS AS ASNJE GJE NUK NDODHI PER FAT..PARAGJYKIM OPOZITA E DIMRIT PARAGJYKIM CILI I FUND PRANVERES…..POPULLI OPOZITAR THOTE RAMA PO ASHTU DHE CILI(çILI)KA OPOZITE POR JO POPULL OPOZITAR.KA MAZHORANCE QEVERISESE POR JO POPULL QEVERISES……çili bej çilin e lere RAMEN TE BEJE RAMEN SE KA NGA 2005 SI ISH KRYETAR BASHKIE E NGA 2008 SI KRYETAR PARTIE QE E BEN SHUME KEQ..TI SE MENDON KESHTU??JO?OK PO? SHUME MIRE.

Komentet janë mbyllur