Polici i plagosur rrëfen 15 vjet më pas masakrën e Urës Vajgurore

Pesëmbëdhjetë vjet nga masakra e Urës Vajgurore, e ndodhur më 17 qershor të vitit 1997, e ku humbën jetën katër punonjës të policisë, autoritete lokale kanë përkujtuar Dëshmorët e Atdheut, të rënë në krye të detyrës. Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Urës Vajgurore merrnin pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Policisë së Beratit, asaj të Kuçovës, si dhe banorë nga tri qytetet në fjalë, të cilët kanë vendosur buqeta lulesh në memorialin e ngritur për nder të efektivëve të policisë, Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano. Thoma Tanku, efektiv i policisë së Beratit, dëshmitar dhe efektiv i atëhershëm i grupit që ra në krye të detyrës, rrëfen ngjarjen e 17 qershorit 1997. “Në atë periudhë, 17 qershori ishte dita e një fushate elektorale. Unë kam qenë komandant i grupit të gatshëm dhe sapo mora detyrën për të shkuar tek Pallati i Kulturës. Ne morëm urdhër nga shefi i rendit për të shoqëruar eskortën e ardhur nga Tirana deri tek shkolla e Poshnjes. Gjithsej në kthim kemi qenë 11 veta me dy makina policie, katër prej të cilëve u vranë. Pasi kishim shoqëruar eskortën, duke kaluar pikërisht në këtë vend ne na goditën me breshëri armësh dhe armë antitanke. Edhe pse ishim brenda në blindë, na hodhën një bombë. Nga shpërthimi i saj ne u plagosëm dhe u dogjëm”, – kujton i mbijetuari Tanku. Më tej ai ka rrëfyer momentet e tmerrit, kur grupi i policëve u gjend mes breshërive që vinin nga tarracat e pallateve. “Zjarri ndaj nesh u hap nga tarracat e pallateve dhe ne nuk mundëm të njihnim njeri, pasi të gjithë ishin me maska. Ne nuk mundëm dhe nuk kishim asnjë mundësi t’i rezistonim pritës. Pasi kemi dalë duke ndihmuar me aq sa mundeshim të plagosurit, mundëm të largoheshim mes pallatesh dhe aty mbaj mend se mua më ka ndihmuar një familje”,-tha punonjësi i policisë, i cili shtoi më tej se një makinë e rastit e ka çuar drejt spitalit të Beratit. Syrja Ormëni, kryetar i Bashkisë Ura Vajgurore, tha gjatë ceremonisë se vepra e katër efektivëve të policisë së Beratit, të rënë në krye të detyrës 15 vite më parë, duhet të kujtohet me gjithë respektin e duhur, pasi dhanë jetën për ruajtjen e qetësisë në vitin e mbrapshtë të trazirave të 1997-ës. Përplasja e armatosur në Urën Vajgurore ka filluar në orën 11:55 të paradites më 17 qershor 1997, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike. Atë ditë, në këtë qytezë ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS , i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD-në në miting i ndjeri Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD-së është larguar dhe pas saj ka ardhur ajo e Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit, si dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie. Në kthimin e eskortës së policisë, pikërisht në Urën Vajgurore, persona të armatosur dhe me maska sulmuan me armë të rënda antitanke autoblindën e policisë, ku për pasojë, dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut. Dy të tjerët, Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindës. Ndërkohë që të plagosur mbetën punonjësit e policisë: Thimi Tanku, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Engjëllush Pasha, Arben Bega dhe Shkëlqim Selfo.

 

 

NJë përgjigje për "Polici i plagosur rrëfen 15 vjet më pas masakrën e Urës Vajgurore"

  1. Ferdi  19/06/2012 në 11:19 pm

    Eh kush i ben “zullumet”dhe kush i paguan ato!?-Me ngjarjet e 1997-es,Gerdecin ,Gjakmarrjen mbi gra dhe femije te pafajshem,djegjet masive te pasurive Kombetare,vjedhjet dhe vrasjet makabre banale,trafikimi i femres shqiptare prej races sone jane nje njolle e “zeze”ne fytyren tone Kombetare!-Elita drejtuese ,e korruptuar thelle,e ben akoma me te veshtire pastrimin e kesaj felliqesie ,e cila bashkudheton ne tranzicionin tone!-Por nese nuk ndergjegjesohet klasa politike,per te pastruar institucionet e drejtesise dhe per te insistuar ne pavaresine e vendimarrjes profesionale,ketu do te “haje qeni te zotne”-thot populli!-Mos na Ktheni Prapa !-ju lutemi!Le ta pastrojme gjthesebshku fytyren “Shqiptarit”te kudondodhur ,per ti dhene Botes civile nje IMAZH Sa me human!

Komentet janë mbyllur