visi baner 5

Shefja e kabinetit të Ina Ramës emërohet prokurore në Tiranë

Tiranë Pak ditë para largimit nga posti i Presidentit, Bamir Topi ka miratuar me dekret propozimet e kryeprokurores Ina Rama për emërimin si prokurorë të shefes së saj të kabinetit dhe 9 oficerëve të policisë gjyqësore. Dekreti u zbardh dje në faqen e Presidencës, ku Miranda Bushi, shefe e kabinetit të Ina Ramës që prej kohës kur ajo u ul në karrigen e kryeprokurores, është emëruar prokurore në organin e akuzës të kryeqytetit. Më parë, zonja Bushi ka kryer detyrën e kancelares në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Prokurorisë së Tiranës i është shtuar një tjetër prokuror, i cili deri dje kryente detyrën e oficerit të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme. Erion Imeraj, djali i anëtarit të Gjykatës së Lartë, Besnik Imeraj, është në listën e të dekretuarve të djeshëm nga presidenti Bamir Topi. Lista e prokurorëve të rinj pasohet nga Erion Shehaj, i emëruar në Lezhë, pas një eksperience në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Aurel Zarka, i emëruar si prokuror në rrethin e Vlorës. Edina Kurti, një tjetër oficere e policisë gjyqësore të Durrësit është emëruar prokurore në Kavajë. Pesë oficerët e tjerë të policisë gjyqësore janë emëruar në prokuroritë e Matit, Gjirokastrës e Korçës, ku tash e tutje do të kryejnë detyrën e tyre si prokurorë. Këto lëvizje vijnë në prag të raundit të tretë për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa pak muaj më pas pritet të ndryshohet edhe shefja e organit të akuzës, Ina Rama. Zyra e shtypit e Presidencës bëri me dije se emërimet e reja në Prokurori janë bërë me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm. Po dje, kreu i shtetit ka dekretuar tri ligje të rëndësishme mbi çështjen e pronave, të cilat kanë kaluar kohët e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Ligjet “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë” dhe ai “Për tokat bujqësore të ish-NPV-ve” kanë marrë edhe vulën e Presidencës, pas miratimit në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare.

 

Prokurorët e dekretuar
Erion IMERAJ, oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, emërohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Miranda BUSHI, Drejtor Kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme, emërohet prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Erion SHEHAJ, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, emërohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Aurel ZARKA, oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, emërohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Vlorë.

Edina KURTI, oficere e policisë gjyqësore në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Durrës, emërohet prokurore në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Kavajë.

Simon PASHUKU, oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, emërohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Kukës.

Leonard FILOPATI, oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, emërohet Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat.

Lorenc MERKURI, oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, emërohet Prokuror në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Gjirokastër.

Pali DEÇOLLI, oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, emërohet Prokuror në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Gjirokastër.

Elion MUSTAFAJ, oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, emërohet Prokuror në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Korçë.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur