visi baner 5

Shoferi i autobusit të aksidentit, negativ testi i alkoolit

Elbasan-Del negativ testi i alkoolit, i kryer ndaj Mit’hat Biçakut, shoferit të autobusit që u aksidentua të shtunën në aksin rrugor Tiranë-Librazhd, në Qafë-Kërrabë. Sipas shefit të Njësisë Rajonale të Qarkullimit Rrugor për Qarkun e Elbasanit, Selman Pema, “drejtuesi i mjetit i është nënshtruar testit të alkoolit menjëherë pas aksidentit dhe nuk ka rezultuar pozitiv”. Kështu është hedhur poshtë një nga pretendimet e ngritura se shoferi ka qenë i alkoolizuar në çastin e rënies. Ndërkohë sipas tij, shkaku i aksidentit do të përcaktohet në përfundim të aktit të ekspertimit të gjendjes teknike të autobusit. Dje Gjykata e Elbasanit dha masën e sigurisë “burg” për 48- vjeçarin. Burime të Gjykatës së Elbasanit pohuan se “Mit’hat Biçaku do të qëndrojë në burg, pasi akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Kjo masë sigurie do të jetë e vlefshme deri në përfundim të ekspertimit. Biçaku akuzohet për aksidentin që solli dhe përmbysjen e autobusit që ai drejtonte, duke rrezikuar jetën e 32 personave që udhëtonin me të. Vetë shoferi dhe një pjesë e pasagjerëve kanë dëshmuar se ngjarja u provokua nga një makinë fuoristradë, e cila kreu një parakalim të gabuar, madje goditi autobusin në pjesën e pasme duke i shkaktuar humbjen e vëmendjes shoferit. Gjatë këtyre ditëve ka dështuar edhe përpjekja për nxjerrjen e autobusit nga vendi i aksidentit. Kjo ishte kërkesë e grupit hetimor dhe ekspertëve, e cila ka dështuar disa herë edhe gjatë ditës së djeshme. Gjatë ditëve në vazhdim pritet që të sigurohet një vinç tjetër më i fuqishëm sesa tre të parët që tentuan ta nxjerrin autobusin gjatë këtyre ditëve. Ndërkaq Prokuroria e Elbasanit po vazhdon hetimet me ekspertë të pavarur.

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur