Provimet me zgjedhje, dalin përgjigjet e testeve

Ministria e Arsimit ka publikuar pasditen e djeshme skemat e vlerësimit dhe përgjigjet e sakta të testeve për të gjitha provimet me zgjedhje të Maturës, ku morën pjesë 44 mijë maturantë nga i gjithë vendi. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, këtë vit shumica e maturantëve kanë preferuar degët e profilit shoqëror, si: histori, gjeografi, qytetari, ekonomi, gjuhët e huaja, sidomos anglishtja, e cila është përzgjedhur nga 10 mijë të rinj. Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e maturantëve është fokusuar në lëndët natyrore, si: biologjia, kimia dhe fizika, provime që i çojnë ata drejt degëve të mjekësisë dhe atyre inxhinierike. Pas provimeve, maturantët në kryeqytet pohuan se testet ishin të niveleve mesatare, brenda të cilëve gjeje si pyetje të lehta ashtu edhe të vështira. Provimet e fundit dhe më të rëndësishme të Maturës, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj i ka ndjekur nga afër në disa shkolla të Elbasanit. Referuar numrit të kuotave të pranimit, mbi 26 mijë të tilla, ministri Tafaj tha se këtë vit, 70 për qind e të rinjve kanë mundësi të studiojnë në universitetet publike. “Përveç kuotave me kohë të plotë, do të ketë pak më vonë, ndoshta brenda gjysmës së parë të korrikut, një numër të konsiderueshëm kuotash part-time, çka do të thotë që çdo maturant që përfundon me sukses Maturën Shtetërore, do të ketë mundësi të përfitojë një vend studimi”, – deklaroi ministri Tafaj. Kreu i Arsimit ka njoftuar të gjithë maturantët se mesditën e së dielës, rezultatet e provimit të Matematikës mund të jenë hedhur në sistem dhe maturantët, në bazë të kodit të tyre identifikues mund të njihen me përgjigjet e këtij provimi.

 

We cannot load blog data at this time.

Komentet janë mbyllur