Mësueset e kopjeve të Maturës ballafaqohen me përgjimet: Duam avokat

Katër mësueset e shkollës “Ibrahim Rugova” të Kamzës janë ballafaquar me 3 prova direkte në mjediset e policisë, ku ndodhen të arrestuara që prej mesditës së të shtunës. Prangosja në ambientet e shkollës, përgjimet telefonike dhe seritë e parave që iu gjetën nëpër xhepa, konsiderohen nga agjentët e Antikrimit si provat që implikojnë mësueset në skemën e trafikimit të përgjigjeve të sakta, kundrejt ryshfetit. E megjithatë, asnjëra prej tyre nuk e ka pranuar akuzën. Burime nga policia e Tiranës i thanë mbrëmë MAPO-s se mësueset janë marrë në pyetje nga hetuesit, por kanë mohuar të jenë implikuar në provimin e fundit të Maturës Shtetërore. “Nuk kemi asnjë lidhje me këtë çështje. Paratë që na gjetët, i kishim me vete”, – mësohet të kenë dëshmuar njëra pas tjetrës katër mësueset e gjimnazit të Kamzës. Hetuesit tregojnë se kjo ka qenë vetëm fillimi i dëshmisë së të arrestuarave, pasi përballë mohimit, agjentët janë detyruar t’u vënë përpara bisedat telefonike të bëra mes tyre lidhur me zgjidhjen e pyetjeve të përgjigjeve. “Që prej këtij momenti, mësueset e kanë ndërprerë dëshminë dhe kanë kërkuar avokat”, -i thanë MAPO-s burime nga grupi hetimor. Agjentët e Antikrimit Ekonomik, të mbështetur edhe nga Task-Forca e Prokurorisë, besojnë se kanë siguruar provat e mjaftueshme për të mbrojtur këtë çështje abuzimi me detyrën para gjykatës. Një element rëndues për mësueset ishte fakti se gjatë zhvillimit të provimit ato ndodheshin në ambientet e shkollës, edhe pse kjo gjë është e ndaluar me rregullore. Por provën kryesore hetuesve duket se ua ka dhënë një bashkëpunëtor mes maturantëve, i cili më pas ka dhënë ryshfet paratë që kishin kaluar më parë nga duart e policisë. “Gjatë kontrollit fizik të katër mësueseve të Kamzës u kemi gjetur paratë, numrat e serive të të cilëve kanë qenë më parë të shënuar në regjistrat e policisë”, – shtoi më tej një burim zyrtar, duke lënë të kuptohet se policia ka përdorur hetimin e simuluar për të dokumentuar këtë rast. Katër mësueset dyshohet se bashkëpunonin mes tyre për t’u dhënë maturantëve përgjigjet e sakta të testit. Sipas policisë, ato merrnin nga 15-25 mijë lekë të reja nga çdo maturant, i cili merrte të zgjidhur tezën nga jashtë. Arrestimet e agjentëve të Antikrimit Ekonomik ndodhën gjatë provimit të fundit, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi sistemin e Maturës Shtetërore. Për këto arrestime reagoi edhe Ministria e Arsimit, e cila sqaroi se 4 mësueset nuk ishte pjesë e procesit të administrimit të provimit me zgjedhje. E mesa duket, kjo gjë nuk i ka penguar ato të përfitojnë nga nxënësit, që nga ana e tyre përdorin telefona celularë për të kopjuar gjatë provimeve të Maturës.

 

Mësueset e arrestuara

 

Nevila Fiku, 47 vjeçe, mësuese e Fizkulturës në shkollën “Ibrahim Rugova” të Kamzës

Klodiana Kryemadhi, 33 vjeçe, mësuese e Gjuhë-Letërsisë në shkollën “Ibrahim Rugova”

Fatbardha Mahmutaj, 49 vjeçe, mësuese e Gjuhë-Letërsisë në shkollën “Ibrahim Rugova”

Arjana Metaliaj, 32 vjeçe, mësuese e Histori-Gjeografisë në shkollën “Ibrahim Rugova”

Komentet janë mbyllur