Në Shqipërinë e tranzicionit

Romani i pestë i Idlir Azizit, “Don Kanuni ose, ngadalë gjaksi fillon dremit në pritë”, zë fill me historinë e një vrasjeje diku në ato zona të Shqipërisë ku vepron akoma kanuni.  Mendohet se ai që ka humbur jetën është një mashkull dhe pleqësia pritet të dënojë vrasësin siç e kërkon kanuni, ndërkohë ekspertiza mjekësore vërteton të kundërtën. Për këtë kërkohet ndihma e filozofes Judith Butler, e njohur për kontributin e saj në çështje të feminizmit. Në aeroportin “Nënë Tereza”, gruas i duhet të kalojë një kohë të gjatë për verifikimin e gjinisë në dokumentin e identifikimit. Siç kuptohet edhe në historinë e treguar shkurt, bëhet fjalë për një histori të ndërtuar mbi ironinë dhe humorin për kanunin, temë e trajtuar dhe ritrajtuar vitet e fundit sidomos nga kinemaja. Qysh në hyrje të librit mësohet se  “Autori shqiptar i skenarëve u ngrit me idenë për të sajuar një film të bazuar te kanuni. Ngase të gjithë skenarët e filmave në Shqipëri tashmë bazoheshin te Kanuni i maleve të Shqipërisë. Madje jo vetëm kaq, porse edhe skenarët e të gjithë autorëve të huaj, sa herë që donin të bënin një film për Shqipërinë, bazoheshin ekskluzivisht te kanuni i maleve të saj”. Gjatë kohës që zhvillohet historia, njihemi me personazhe që kanë për të rrëfyer përvoja jete nga Shqipëria e pas viteve ’90, përvoja të lidhura me fenomenet e kohës, duke lënë të kuptohet mes rreshtave problemet e një shoqërie ende të paçliruar nga mendësitë e së shkuarës, por që jeton çuditshëm edhe në ditët tona. Po sjellim këtu një fragment të librit. Në vijim të leximit të “Don Kanunit….”, lexuesi njihet me disa personazhe të pazakonta, fshatarin eksentrik kinefil, një inxhinier që kërkon me zor një skenografi për Kanunin, një vajzë që sulmon përmes gazetës të dashurin e saj….Proza e këtij libri të njeh me lidhjen mes fictioni-t dhe realitetit.

Pjesë nga libri

E jo vetëm që kanuni donte të merrte një vendim të drejtë e përfundimtar për rastin. Por shumë raste të tjera sapo kishin ngritur objeksione, tashmë që ishte krijuar ky preçedent. Rënia në gjak, sipas kanunit, rrezikohej tani të hynte në rrugë pa shumë krye, pa shumë mundësi zgjidhjeje, duket. Sepse një rast tjetër vrasjeje për gjakmarrje ishte shfaqur në një zonë të afërt, ku i vrari rezultonte se dikur i ishte dashur të ndërronte gjakun.

-Domethënë, kishte sqaruar ai, i ishte dashur të bënte një transfuzion të plotë të gjakut. –E pas një ndërhyrjeje mjekësore të koklavitur, por të nevojshme, kishte treguar ai, me gazetën tub, kishte ndërruar gjithë gjakun në sajë të ndihmës së donatorëve. Mirëpo kjo kishte krijuar edhe një precedent tjetër, edhe më të vështirë për zgjidhje përfundimtare nga ana e kanunit. Sepse gjaku që ai kishte ndërruar, jo vetëm që mund të sillte një rebelim të ri: që familjet e donatorëve të mund të ndiheshin të prekur, ngaqë gjaku i njërit prej tyre të ishte gjithsesi në trupin e tjetërkujt. E gjaku s’bëhej ujë, se kjo dihej. E ana njerëzore, që ishte më pak e pranishme në nenet kanunore, si në çdo legjislacion, hynte prapëseprapë në lojë në rebelimin familjar, domethënë. Sepse përfshinte aktin e dhurimit të gjakut për dikë tjetër, për tjetrin, si thuhet e që s’e bën çdokush. Përfaqësuesi e kishte shpalosur mandej gazetën; e hapi të zhubrosur, duke imituar pa dashje aktin e shpërvjeljes së çarçafëve nga gruaja e vet, dhe kishte filluar të tregonte vështirësitë me të cilat përballej kanuni asokohe. Në shqyrtimet e fundit kishte dalë edhe elementi tjetër në pah: në gjakun e të vrarit me transfuzion, kishte edhe gjak nga ai i vrasësit. Nga varfëria që prekte shumë banorë të zonave veriore,  sikundër dihej, ai kishte qenë i detyruar të jepte gjak kundrejt pagesës. Në këtë epokë, ku media nxirrte çdo gjë në shesh, kanuni s’do kishte mundësi të eliminonte pikëpyetjet lidhur me këta precedentë, e për të cilat nenet kanunore s’kishin si të kishin zgjidhje përfundimtare. Në këtë tymnajë të atyre kohëve, si thuhet shpesh, ku edhe kanuni nuk kishte shpëtuar dot nga çudirat që ndodhnin përditë e më shumë, të paktën sipas mediave, përfaqësuesi priste një ditë të arrinin në një gjakmarrje, ku të dilte ndërrimi i gjakut si pasojë e dializës, dhe nuk do ishte fare habi e do vështirësonte gjërat përherë e më shumë për zgjidhje përfundimtare lidhur me rënien në gjak e pagimin e tij.

Në këtë fazë të trans-zanateve ku kishte hyrë Shqipëria, në këtë kohë të trans-profesioneve të shpejta, ishte bërë tashmë normale në Shqipëri, që asokohe, ish-oficerët të shndërroheshin në priftërinj. Nga ushtarakë të rangut të ulët, të gjithë ata ishin shndërruar ose po shndërroheshin ngadalë në priftër, dhe këtu kanuni, asokohe, kishte hasur ngacje të reja, meqë ligji i kahershëm nuk e lë as femrën, as priftin të bien në gjak.

Shefi i policisë nuk kishte ditur se çfarë të mendonte hollë-hollë për këtë mëdyshje se si do të trajtohej gjakmarrja e gruas sonë këtu, që mesa dukej ishte mashkull, apo që mjekësia gjykonte e dyshonte se mos kishte qenë mashkull, apo diçka e tillë. Shkenca në Shqipëri normalisht që vazhdonte të ishte fort e prapambetur se në të gjitha vendet e tjera të Europës. Mandej vështirësitë ishin shtuar sërish, përderisa, për të arritur në përfundim, teknikët e kishin shfaqur ashtu gjysma hapur se donin para, euro më saktë. Donin lekë edhe ata, sqaroi në gjuhë të përditshme ai. Ndryshe nuk zgjidhnin punë, që ishte tashmë pjesë e kulturës së arritjes së diçkaje në Shqipëri.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login