Zgjedhja e kanditatëve, për 2013-ën, deputetë

Erion Braçe nuk është i vetmi në Partinë Socialiste që mendon se kandidatët për deputetë nuk duhet të zgjidhen nga kryetari i partisë dhe kryesia e saj, por përmes një procesi demokratik, siç është parimi “një anëtarë-një votë”. Qëndrimi i tij i shprehur një ditë më parë nga Braçe ka krijuar pështjellim në radhët e socialistëve, dhe konkretisht të kolegëve të tij, të cilët dje janë ndarë në dysh sa i përket idesë së propozuar apo sugjeruar prej tij. Një pjesë e deputetëve socialistë të kontaktuar dje në telefon nuk e kanë patur problem ta mbështesin hapur idenë e hedhur nga Braçe, duke e konsideruar atë një domosdoshmëri për fitoren e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme për vetë faktin se do e lidhte deputetin me bazën. Por ka patur dhe nga ata deputetë, të cilët për shkak të raporteve njerëzore me Braçen i janë shmangur komentit, ndërsa kanë sugjeruar që ky debat të zhvillohet në forume.

Deputetët pro

Pro qëndrimit të mbajtur nga deputeti socialist, Erion Braçe, janë shprehur dje disa nga kolegët e tij, të cilët të kontaktuar nga gazeta MAPO nuk kanë nguruar që në mënyrë të hapur të mbështesin idenë për të ndjekur një rrugë tjetër nga ajo që ndiqet tani për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Megjithëse nuk kanë qenë plotësisht dakord me atë që propozonte Braçe, një pjesë e deputetëve të PS-së kanë theksuar se është e nevojshme që të ketë një mënyrë më konsensuale të përzgjedhjes së deputetëve. Një prej tyre është dhe deputeti i Lezhës, Gjovalin Kadeli, i cili përveçse kërkon një mënyrë më konsensuale të përzgjedhjes së kandidatëve nga socialistët e thjeshtë, sugjeron dhe një ide tjetër, që për t’u praktikuar kërkon dhe ndryshim të Kodit Zgjedhor. Sipas tij, listat e kandidatëve për deputetë të jenë të hapura dhe renditja sipas zgjedhjeve të bëhet në bazë të votave që ka marrë gjithsecili. “Unë e kam shprehur qëndrimin tim më herët me koleget e mi të PS, duke kërkuar që sistemi të jetë me lista të hapura, që do të thotë: renditja të bëhet pas daljes së rezultatit sipas votave të marra dhe jo sipas renditjes fillestare. Ky variant do të bënte të mundur që deputeti të ishte vazhdimisht në zonë pranë votuesve të tij dhe do të njihej konkretisht puna e secilit nga ne me njerëzit”, – u shpreh Kadeli. Një tjetër deputet pro sugjerimeve të Braçes ka qenë Ilir Gjoni, i cili megjithëse nuk ka pranuar të komentojë më gjatë, ka deklaruar shkurt se është shprehur se “unë jam dakord me gjithë çka shpreh Braçe në qëndrimin e vet”. Po ashtu, një deklaratë të përafërt ka bërë dhe anëtarja e Kryesisë, Eglantina Gjermeni, e cila është shprehur se nuk ka asgjë kundra atyre që deklaron Braçe, por duke theksuar se kjo çështje duhet diskutuar.

Kundër

Por përveç qëndrimeve pro, idetë e hedhura nga Braçe kanë gjetur dhe skeptikë brenda radhëve të PS-së. Bëhet fjalë për qëndrime që nuk është se kanë qenë kundra ideve të Braçes, por që më shumë kanë qenë shmangie nga thelbi i asaj që shtronte nënkryetari i Grupit socialist në analizën e vet. Kështu për deputetin Artan Gaçi, ky debat duhet të bëhet në forumet e partisë dhe jo nëpër gazeta apo rrjete sociale. Ndërsa për anëtarin e Kryesisë, Besnik Bare, debati në fjalë është i panevojshëm, pasi shmang vëmendjen nga çështjet që sot realisht shqetësojnë shqiptarët. Po ashtu deputetja e Beratit, Ermonela Felaj e ka konsideruar si diskutim shterp për sa kohë që nuk ekziston infrastruktura e duhur zgjedhore që të garantojë votën e shqiptarëve. “Ky diskutim i mënyrës së zgjedhjes së deputetëve më duket shterp para nevojës për të reformuar vetë zgjedhjet në këtë vend, për të ndryshuar KQZ-në dhe për të vendosur standardin e zgjedhjeve që nuk cenojnë dot votën, as kur ajo hidhet e as kur numërohet. E për sa kohë ndërgjegjësojmë këdo për këtë nevojë, çdo gjë tjetër do shënohej si një vrimë në ujë”, – tha Felaj.

 

Artan Gaçi: Unë, si për Braçen, ashtu dhe për çdo deputet tjetër preferoj të flas në forumet e partisë. Si çdo herë tjetër edhe ky diskutim duhet të bëhet në forume dhe jo nëpër gazeta apo Facebook. Nuk jam njeri që i bëj bisht debatit dhe besoj se është një debat që duhet të ndodhë, por gjithmonë në forume, dhe aty jam i gatshëm të kontribuoj siç kam bërë dhe herë të tjera.

 

Gjovalin Kadeli: Unë e kam shprehur qëndrimin tim më herët me koleget e mi të PS, duke kërkuar që sistemi të jetë me lista të hapura, që do të thotë: renditja të bëhet pas daljes së rezultatit sipas votave të marra dhe jo sipas renditjes fillestare. Ky variant do të bënte të mundur që deputeti të ishte vazhdimisht në zonë pranë votuesve të tij dhe do të njihej konkretisht puna e secilit nga ne me njerëzit. Po kështu, jam i mendimit se kandidatët duhet të marrin aprovimin real të socialistëve duke patur një konsensus më të gjerë, në mënyrë që ky konsensus të përkthehet në votë për partinë. Dhe do t’i shërbente realisht fitores së pashmangshme në zgjedhjet e ardhshme.

 

Asllan Dogjani: Nuk e kam parë çfarë ka thënë kolegu Braçe, sepse unë jam në Kukës dhe këtu gazetat vijnë pasdite. Megjithatë, ai ka mendimin e vet dhe unë në lidhje me këtë debat nuk dua të komentoj.

 

Eglantina Gjermeni: E lexova deklaratën e Braçes dhe është thjesht mendim i një deputeti. Megjithatë, do thosha se nuk kam asgjë kundra asaj që shpreh Braçe, por kjo është një çështje që duhet diskutuar.

 

Besnik Bare: Nuk më duket me vend që të hapet një debat i tillë në këtë moment, thjesht zhvendos vëmendjen nga debatet dhe problemet e tjera të ditës.

 

Ermonela Felaj: Ky diskutim i mënyrës së zgjedhjes së deputetëve më duket shterp para nevojës për të reformuar vetë zgjedhjet në këtë vend, për të ndryshuar KQZ-në dhe për të vendosur standardin e zgjedhjeve që nuk cenojnë dot votën, as kur ajo hidhet e as kur numërohet. E për sa kohë ndërgjegjësojmë këdo për këtë nevojë, çdo gjë tjetër do shënohej si një vrimë në ujë.

 

Ilir Gjoni: E kam lexuar atë që ka thënë Braçe, por duhet të sqaroj se aktualisht kandidatët për deputetë nuk i zgjedh kryetari, por Kryesia. Megjithatë, unë jam dakord me gjithë çka shpreh Braçe në qëndrimin e vet.

 

 

 

 

Qëndrimi i Braçes

 

Erion Braçe: Të mos i zgjedhë një njeri i vetëm, por vendimi të mos jetë edhe atribut i një grupi të vogël njerëzish në drejtimin qendror apo vendor të Partisë.
Në mënyrë unanime: të pyetet anëtarësia e PS, në rang kombëtar apo qarku, por duke nisur nga anëtari i thjeshtë, në organizatë, komunë, bashki, rreth. Të votohen në anëtarësi me “një anëtar-një votë”, madje të mund të organizohen primare, në rang kombëtar apo qarku.

Sugjerime të tjera: T’i jepet prioritet përfaqësimit të zonave vendore, duke kufizuar përfaqësimin me njerëz të importuar e pa asnjë lidhje me zonën ku kandidohen.
Në mënyrë unanime: Kandidatët duhet të jenë me moral të pacenuar, të ndershëm, të pakonsumuar në raport me ligjin, moralin, politikën, të papërfshirë qoftë edhe në një rast të vetëm në afera korruptivë, profesionistë, të angazhuar politikisht me PS në mënyrë konstante, të ndarë nga aktiviteti i tyre ekonomik-biznesi, të shërbejnë me kohë të plotë ndaj komunitetit që i zgjedh duke i qëndruar besnikë votës politike të marrë, të kenë moshë aktive.

 

 

Komentet janë mbyllur