Rubio: Nuk kam lojtarë dhe s’i njoh fare kundërshtarët

Tirana po përgatitet për Europa League dhe Hulian Rubio Sançez ka të drejtën e të gjithë botës që të bëhet me nerva dhe të ankohet për ato që po i ndodhin gjatë ditëve të para të rikthimit të tij me bardheblutë. Aty asgjë nuk shkon. Nuk ka lojtarë dhe mbi të gjitha nuk ka informacion për kundërshtarin e radhës. Natyrisht që kjo është më se e sikletshme për një trajner, por mesa duket te 24 herë kampionët i besojnë shumë aftësisë së Rubios për ta bërë fitues një grup ‘gjysmagjel’. Ndërsa drejtuesit trumbetojnë për një Tiranë Europiane, që do të jetë në elitën e futbollit shqiptar dhe do të kalojë ture në Europa League, mjafton që të asistosh në një seancë të vetme stërvitore të bardhebluve për të kuptuar se drejtuesit flasin më tym. Tirana është katandisur aty ku thërret qameti dhe mungojnë edhe uniformat e topat, ndërsa veç kësaj, Rubio me ata pak lojtarë që ka në dispozicion, do të udhëtojë drejt së panjohurës, për t’u ndeshur me një skuadër të lehtë në letër nga një kampionat modest siç është ai luksemburgas, por që mund t’i bëjë Tiranës keq, aq keq saç i bëri edhe kombëtarja e këtij vendi skuadrës kuqezi rreth një vit më parë. Grevenmaker quhet rivali nga vendi i vogël i Beneluksit, por të paktën gjysma e lojtarëve bardheblu nuk dinë ta shqiptojnë në mënyrë korrekte…

“Do bëjmë maksimumin për t’ia dalë mbanë dhe kaluarturin, por nuk dua që të mendohet se është e lehtë. Skuadra nga Luksemburgu ka bërë një kampionat të mirë, ka në përbërje lojtarë të huaj dhe futbolli në këtë vend është rritur shumë. Është për të ardhur keq që në ditët e sotme luan në një nivel kaq të lartë dhe nuk ke njohuri për kundërshtarin. Dhe jam i sigurt që kundërshtari ka të gjithë informacionin e duhur për ne”. Shprehet jo pak i mërzitur Hulian Rubio Sançez, që përpos kësaj ka edhe telashe të tjera për të zgjidhur, aq sa shumë shpejt do të vërë edhe peshqirin e lagur në kokë për të qartësuar pak idetë e tij. Mungesat janë shndërruar në një mallkim për Tiranën dhe, pavarësisht se bardheblutë janë përforcuar me tre elementë, Sina dhe Dushku janë të dëmtuar, Pisha dhe portieri Ilion Lika janë në dyshim, Karabeci është i pezulluar ndërsa Dabulla nuk është në listën e Europës. Pjesa e mbetur e lojtarëve nuk bëhen as njëmbëdhjetë mes titullarëve të mbetur dhe rezervave. Ndaj Rubio është i mërzitur sepse formacioni i tij është lehtësisht i parashikueshëm. ““Nuk jam mësuar të them formacionin por kësaj radhe edhe ju e keni të lehtë ta imagjinoni 11-shen titullare. P.sh. në mbrojtje kam vetëm 4 lojtarë, dhe kjo është një e dhënë që më pas zbulon të gjithë formacionin. Shpresojmë të mos kemi probleme të tjera dhe që të rikuperojmë portierinIlionLika, pasi ka pasur probleme. Shpresojmë të marrim një rezultat të mirë në Tiranë, por në të njëjtën kohë të njoh dhe kundërshtarin pasi nuk kemi asnjë informacion për të, në mënyrë që të përgatitemi më mirë për ndeshjen e kthimit.”

Bardheblutë do ta luajnë ndeshjen e parë ditën e enjte në orën 19:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ndërsa një javë më pas do të zhvillohet ndeshja e kthimit.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login