Bie taktika e tërheqjes së komisionerëve, votimi vijon edhe pa kuorum

Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që të heqin dorë nga taktikat bllokuese të procesit zgjedhor ditën e votimit. Me konsensusin e të dyja palëve, komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka vendosur të miratojë ndryshimin në Kodin Zgjedhor, i cili bën të mundur gjetjen e një mekanizmi zhbllokues të situatës kur njëra parti politike tërheq komisionerët e vet, siç ka ndodhur shpesh në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri, duke krijuar mundësinë që votimi të vijojë edhe pa kuorum. Ky është një nga ndryshimet e miratuara dje nga komisioni, i cili pas gati 10 ditësh është rimbledhur për të kaluar një sërë nenesh, për të cilat, për shkak të rëndësisë jo përcaktuese, ishte gjetur konsensusi paraprakisht mes ekspertëve të të dyja palëve. Ndërkohë që komisioni është ndarë edhe një herë për kërkesën e partive të vogla për të korrektuar sistemin zgjedhor, kjo pasi demokratët nuk kanë pranuar që ta diskutojnë atë pa u shqyrtuar më parë nga ekspertët.

Komisioni

Demokratët dhe socialistët kanë ngushtuar numrin e çështjeve të nxehta, duke ezauruar të gjitha ato nene për të cilat konsensusi ishte i mundur. Kështu dje, komisioni i Reformës Zgjedhore ka kaluar tre kapituj, por jo në mënyrë të plotë, pasi ka përjashtuar prej tyre çështjet për të cilat reforma është bllokuar deri më tani. Pra bëhet fjalë për kapitullin e administrimit të zgjedhjeve, por duke mos prekur nenet që kanë të bëjnë me KQZ, kapitullin e ankimimit, por pa prekur nenin që përcakton të drejtën e dy anëtarëve të KQZ-së për të hapur kutitë në proces ankimi administrativ, si dhe kapitullin e ankimimit gjyqësor. Sa i përket kapitullit të parë, pra atij të administrimit të zgjedhjeve, risia që në fakt përbën një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në këtë reformë, është ajo e heqjes së mundësisë partive politike për të bllokuar procesin e votimit nëpërmjet tërheqjes së komisionerëve. Me ndryshimin e bërë tashmë komisionet e qendrave të votimit do vijojnë votimin edhe pa kuorum. Gjithashtu, një ndërhyrje tjetër është dhe ajo për ngritjen e KZAZ-ve, të cilat tanimë do mund të plotësohen me anëtarë nga KQZ-ja, në rast se një subjekt zgjedhor nuk pranon të paraqesë përfaqësuesit e vet. Pra lind e drejta e KQZ-së për të emëruar anëtarë kryesisht. Kjo ka ardhur si një zgjidhje e fenomenit të vënë re në zgjedhjet e fundit vendore, pra kur PS nuk pranoi të paraqesë përfaqësuesit e vet për anëtarë KZAZ, duke rrezikuar seriozisht procesin.

Ankimimi

Megjithëse nuk kanë diskutuar çështjen e kërkesës së dy anëtarëve, anëtarët e komisionit kanë miratuar një sërë nenesh të tjera që kanë të bëjnë me kapitullin e ankimit si në nivel administrativ ashtu edhe gjyqësor. Sa i përket ankimimit administrativ, është vendosur që kur gjatë këtij procesi kanë dalë fakte apo prova të reja për të cilat ankuesi nuk mund të kishte dijeni përpara se të paraqitej ankimi, objekti i ankimit mund të shtohet apo ndryshohet përpara se KQZ t’i japë fund hetimit administrativ. Kërkesa mund të përfshijë ndryshimin e tabelës së rezultatit ose pavlefshmërinë e zgjedhjeve në QV të caktuara. KQZ është e detyruar të marrë në shqyrtim pretendimin e ri dhe të riçelë hetimin administrativ. Ndërkohë sa i përket procesit të ankimit gjyqësor, është hequr e drejta e partive për të përjashtuar nga shorti i zgjedhjes së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Tashmë partitë politike marrin pjesë në short, por pa patur të drejtën që të përjashtojnë 1 prej 8 emrave që mund të dilnin nga kutia. Gjithashtu edhe në proces gjyqësor kërkuesi mund të ndryshojë objektin e kërkesës së vet, në varësi të provave të dala gjatë shqyrtimit.

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Bie taktika e tërheqjes së komisionerëve, votimi vijon edhe pa kuorum"

  1. I-liri  06/07/2012 at 8:07 pm

    Nuk ka asnje ndryshim me kodin e meparshem. Edhe me pare votimi ka vijuar kur eshte larguar PS. Kujtoni Shijakun para disa vitesh dhe Ruzhdien.Lere pastaj ’96.
    Po keshtu neni per mosndryshimin e komisionereve nga partite deri 30 dite para votimit. Ndryshimi behet vetem nese komisioneri jep doreheqjen. C’do te thote kjo. Qr partia i kerkon komisionerit te jape dorehehjen edhe diten e votimit, dhe e zevendeson.
    Emerimi i komisionereve te KZAZ nga KQZ, kur nje parti nuk ben emerimin ne kohe, eshte bere dhe me pare.
    Pra asgje e re. Nuk u hoq dore nga komisioneret injorante te politikes. Do te emerohen trimat ne qendrat e votimit, jo te diturit.
    Ne kushtet kur Berisha trumbeton me te madhe se c’do vit perfundojne arsimin e mesem mbi 40 mije vete, le te vihej kushti qe te gjithe komisioneret te kishin arsimin e mesem. Asnje me tetevjecare. Le ti gjeje ku te doje Partia Injorante Demokratike. Nuk ka, le te mbetet vendi bosh. Ligji thote votimi vazhdon edhe pa kuorum.
    Perdryshe asgje s’ka per te ndryshuar. Sherri do te vazhdoje…

You must be logged in to post a comment Login