Çelet Shkolla Verore, UET mbledh gjimnazistët shqiptarë

Pedagogia e UET, Ermira Danaj jep detajet për Shkollën Verore. Përballë nxënësve, për t’iu treguar rreth aktivizimit social do të jenë pedagogë të UET, aktivistë, diplomatë dhe përfaqësues organizatash e lëvizjesh, që do të rrëfejnë përvojat e tyre në një mjedis jashtëshkollor

 

Universiteti Europian i Tiranës organizon për herë të parë këtë vit një shkollë verore me gjimnazistët më të mirë nga hapësira shqipfolëse. “Aktivizmi, komuniteti dhe unë” do jetë tema e aktivitetit katërditor që do zhvillohet nga UET në kompleksin “Xixa Resort”, në Golem. Përgatitjet për organizimin e kësaj Shkolle Verore kanë nisur muaj më parë. Nëpër shkollat e mesme të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës janë lënë formularët përkatës. Aplikimet kanë qenë të shumta dhe kjo ka detyruar grupin e organizatorëve në UET që ta rrisin numrin e pjesëmarrësve deri në 50 nxënës. Nxënësit do të njihen me eksperienca dhe njohuri për sa i përket aktivizimit social, ngritjes dhe vënies në punë të projekteve në dobi të komunitetit. Aktiviteti do shoqërohet me ushtrime praktike dhe biseda interaktive për të përvetësuar njohuritë dhe për të përforcuar ndjenjën e aktivizmit të gjimnazistëve. Përballë nxënësve, për t’iu treguar rreth aktivizmit social do të jenë pedagogë të UET, aktivistë, diplomatë dhe përfaqësues organizatash e lëvizjesh, që do të rrëfejnë përvojat e tyre në një mjedis joformal. Ermira Danaj, pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, një nga organizatoret e Shkollës Verore, tregon në këtë intervistë më shumë detaje për Shkollën Verore.

 

Çfarë është një shkollë verore?

Shkollat e verës janë programe të ndërthurura mes teorisë, praktikës dhe argëtimit. Në përgjithësi, gjatë një shkolle verore njohuritë teorike merren në një formë më origjinale, më pak formale sesa në një klasë universiteti apo gjimnazi, komunikimi është shumë më gjithëpërfshirës mes pedagogëve dhe pjesëmarrësve, ka shumë më tepër ushtrime praktike në mënyrë që njohuritë të kuptohen më mirë dhe të mos mësohen thjesht përmendësh. Gjithashtu, një pjesë shumë e rëndësishme e shkollave verore është komunikimi dhe ndarja e eksperiencave të ndryshme mes nxënësve, të ftuarve dhe pedagogëve. Shkollat e verës janë një aktivitet shumë i përhapur kudo dhe organizohen për tema e grupmosha të ndryshme, si një mundësi shumë e mirë për të bërë bashkë pjesëmarrës me eksperienca e njohuri të ndryshme.

Ky është viti i parë që UET organizon një Shkollë Verore. Sa kanë mundur organizatorët të zgjerohen gjeografikisht në përzgjedhjen e gjimnazistëve?

Fakti që zhvillohet për herë të parë ka bërë që ta prezantojmë me shumë pasion tek të rinjtë shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Korçë, Prizren, Sarandë, Mitrovicë, Shkodër, Pejë etj. Duke qenë se është një program disaditor për të rinj gjimnazistë tema është gjithëpërfshirëse në mënyrë që çfarëdo dege që të zgjedhin ata më tej, përsëri kjo shkollë t’iu vlejë shumë.

Në rastin e kësaj Shkolle Verore të organizuar nga UET, mund të na thoni diçka për fazën e përgatitjes? Si janë përzgjedhur gjimnazistët?

Gjatë këtyre muajve ne kemi bërë njoftime të ndryshme pranë gjimnazeve dhe kemi lënë edhe formularët e aplikimit. Një gjë e tillë u bë edhe në panairin e “Horizonte Punësimi dhe Formimi” të para disa kohëve. Gjëja më e bukur është se ka pasur shumë aplikime nga qytete të ndryshme në Shqipëri e Kosovë. Deri javës së shkuar ishim në fazën e përzgjedhjes së aplikantëve. Duke u nisur nga numri shumë i madh i të rinjve që donin të merrnin pjesë, u detyruam edhe të rrisnim numrin e atyre që do të pranoheshin. Këtë vit do të marrin pjesë 50 nxënës. Ndërkaq, ata që nuk janë bërë pjesë këtë vit të Shkollës Verore, do i ftoj që të aplikojnë përsëri vitin e ardhshëm.

Sa do zgjasë aktiviteti dhe çfarë përmban programi?

Aktiviteti do të zgjasë katër ditë, nga data 5 deri më 9 korrik, dhe tema është “Aktivizmi, komuniteti dhe unë”. Kemi menduar që një temë e tillë është shumë e nevojshme për të rinjtë dhe, sikurse e thashë, është një temë gjithëpërfshirëse, pra e vlefshme për këdo, pavarësisht se në të ardhmen do të bëhet mjek, jurist, arkitekt, inxhinier, mësues etj. Në lidhje me programin specifik do të ketë ndërthurje të prezantimeve teorike me shembuj praktikë nga Shqipëria apo rajoni. Një pjesë e prezantimeve do të bëhen nga aktivistë të fushave të ndryshme, sepse mendojmë se eksperiencat e tyre janë shumë të vlefshme dhe nxënësit do të përfitojnë shumë më tepër prej tyre. Gjithashtu do të ketë dhe pjesëmarrje të të rinjve në konceptime apo zbatime projektesh të ndryshme në lidhje me temën. Përveç kësaj do të organizohen edhe vizita në qytetin e Durrësit, duke qenë se shumica e pjesëmarrësve vijnë nga qytete të tjera nga Shqipëria e Kosova.

Çfarë synoni me këtë Shkollë Verore?

Qëllimi i shkollës, ashtu si çdo program tjetër edukues, në radhë të parë ka të bëjë me dhënien e disa njohurive teorike dhe praktike mbi aktivizmin dhe rëndësinë e aktivizmit në komunitet, sidomos për të rinjtë. Nëse ka diçka me të cilën duhet të merremi më shumë është pikërisht aktivizmi i të rinjve. Pavarësisht iniciativave dhe lëvizjeve të ndërmarra deri më tani, vihet re një mungesë e aktivizmit dhe përfshirjes së të rinjve në jetën komunitare. Gjithashtu, duke pasur pjesëmarrës nga qytete të ndryshme, nga Mitrovica në Korçë e Vlorë, edhe shkëmbimi i eksperiencave të tyre do të jetë shumë më i pasur, dhe ne shpresojmë mjaft që këta të rinj në të ardhmen të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë në të mirë të komunitetit të tyre.

Konkretisht, çfarë do përfitojnë gjimnazistët dhe komuniteti?

Pjesëmarrësit në këtë Shkollë Verore do të përfitojnë jo vetëm nga programi formal, por edhe nga diskutimet me njëri-tjetrin, si dhe me pedagogët dhe studentët e UET-it. Gjithashtu, të ftuar do të jenë pedagogë, aktivistë dhe diplomatë, për të ndarë eksperiencat e tyre në lidhje me rëndësinë e aktivizmit dhe organizimit. Ndërsa nëpërmjet programit formal të shkollës ata do të munden të kuptojnë rëndësinë e aktivizmit, të identifikojnë çështje të ndryshme për të cilat do të duhen të organizohen dhe të dinë se si të organizohen. Dhe, nga kjo e fundit, komuniteti do të përfitojë shumë më tepër.

 

 

Komentet janë mbyllur