Dosja J. ose Jozefina tjetër

Alfred Lela

Kush ishte vajza e bukur që dashuronte matematikën dhe që mendonte se do të dilte në pension në arat e misrit të fshatit Dobraç?

 

Dëshmia e Aishe Ahmetagës, shoqes së ngushtë të kryeparlamentares. Si erdhi ajo nga qyteti verior në listat e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1997? Ishte propozim i Ali Spahisë, kujton Mero Baze, asokohe shumë afër Demokratëve. Jozefina Topalli nuk ka operuar keq si politikane, por ajo nuk përfaqëson humanzimin kristian, shpall Spartak Ngjela.

 

 

Të pashprehura publikisht, mbetur ende në cektinën e informalitetit të bisedave të pasdarkave mes miqsh të botës politiko-mediatike, ngrenë krye, herë me humor e herë me tragjizëm, edhe paradigmat e Avokat Ngjelës. Njëra prej tyre, që edhe lidhet me aktualitetin më shumë se të tjerat, është sindroma e Berias. Sipas saj, udhëheqësit promovojnë duke i konsumuar numrat 2 të tyre, në mënyrë që sa më lart të ngjiten aq më e madhe të jetë për ta urrejtja popullore. Kjo e bën më të lehtë rrëzimin e tyre në rast disidence. Theqafja përligjet më lehtë dhe për këtë shërben pikërisht urrejtja e akumuluar në popull gjatë ngjitjes. Në Shqipëri këtë rast e ka ilustruar Mehmet Shehu.

Duket se jemi pikërisht nën atë moment të aktualitetit politik shqiptar, kur paradigma e Ngjelës ose provohet ose bie, nën zhurmën e heshtur të kotnive të pasdarkeve urbane. Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, që pritet të kalojë përmes 5 raundeve makiavelike, shënon edhe momentin politik kur kryeministri Berisha provon tezën e Ngjelës duke e rrëzuar Dyshin e tij, Jozefina Topallin, bash atëherë kur kryeparlamentarja kujton se e ka më të sigurt se kurrë mbështetjen e shefit për një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit. Ose mund të ndodhë ajo tjetra: Berisha e ngre edhe njëherë tjetër topin për Topallin, por tashmë në një fushë tjetër, të re, ku ajo një ditë mund të mbetet edhe pa falangat e mazhorancës, por edhe pa murin e madh të Berishës, i cili e ka mbrojtur dyfish: nga kundërshtarët, por më shumë edhe nga vetja e saj.

Derisa paradigma të rrëzohet ose vërtetohet, është me interes një numërim mbrapsht i ditëve të Jozefina Topallit: si erdhi gruaja e re dhe e hijshme nga Shkodra në aulat kryesore të politikës shqiptare? Ç’dorë e fshehtë, apo ç’rastësi përzgjodhi emrin e saj në një qytet tradicionalisht antikomunist e ku si rrjedhojë nuk ishte e vështirë të pikasje gra të tjera, po aq të ethshme në predispozitat kundër së majtës e me po aq humus ‘klasash të përmbysura’?

1997; viti ku gjithçka merr fund e ku fillon gjithçka

Shpjegimi i Jozefina Topallit mund të fillojë fare mirë duke interpretuar Shkodrën. Kryeqyteti i veriut m’anë tjetër ka nevojë vetëm për pak shpjegime: edhe ato janë kryesisht vija të hequra trashë, siç bëhet çdo fillimverë në çdo guidë turistike; pothuajse asgjë s’ka ndryshuar vetëm se vizitorët, edhe në mos qofshin rishtarë, prapë e shohin çdo gjë me sytë e atij që e ka për herë të parë. Brenda kësaj logjike Shkodra mbërrin pothuajse si klishe: të gjithë e dimë se ajo është një prej poleve kulturore e politike të vendit, duke shkuar mbrapsht që në kohë të ilirëve. Siç dimë se ajo qe kështjella e fundit që ra në duart e turqve; e fundit ndër qytetet shqiptare që u shkel nga karvani i mundur gjerman, duke mbajtur ende të hapur debatin 28 apo 29 Nëntori si ditë e çlirimit dhe, sigurisht, e fundit që ra nën komunizmin shqiptar. Duke qenë e fundit në të gjitha këto, Shkodra ishte natyrshëm e para në lëvizjen për rrëzimin e komunizmit. E para që gurin e kufirit mes autokracisë dhe demokracisë e spërkati me gjakun e tre dëshmorëve 2 prillin e vitit 1991.

Dy dekada më pas historia e Shkodrës dhe historiku i Jozefina Topallit vijnë e puqen vazhdimisht, por si gjithmonë janë qytetet që rebelohen të parët dhe kërkojnë shmangien nga individët të cilët ata i kanë krijuar. Barriera politike mes Demokratëve e Socialistëve në Shkodër ka ardhur gjithnjë duke u holluar; ajo është bërë po aq delikate sa edhe pritat e ngritura për të mbajtur larg ujërat që rrethojnë qytetin veriperëndimor. Zgjedhjet e fundit lokale në Shkodër dëshmuan se varka e Demokratëve, në bash të së cilës gjendet Jozefina Topalli, futi më shumë ujë se kurrë. Vëzhgues të skenës politike, por edhe analistë të së djathtës, edhe pse duke iu përgjigjur fërkimeve të klaneve brenda Partisë Demokratike, e qëmtuan këtë rast dhe ia përmendën disa herë Topallit performancën e ulët në një zonë ku demokratët kanë fituar gjithmonë bindshëm e ku më shumë se fitorja pritet dominimi.

Hollimit të fillit blu që përshkon traditën antikomuniste shkodrane i ndihmon edhe njëfarë rilindjeje socialiste ose koplikëzimi të Shkodrës. Kryeqendra e Veriut ka pasur gjithmonë në të majtë të saj Koplikun, qendrën më të vogël që përfaqëson rrethin e Malësisë së Madhe, administrativisht pjesë e Prefekturës së Shkodrës, por ideologjikisht e kundërt me të. Nëse Shkodra ka lëvizur drejt Tiranës, Kopliku ka lëvizur drejt Shkodrës dhe kjo zhvendosje popullatash ka pasur pjesën e saj të ndikimit në një bjerrje të dominimit Demokrat atje.

E gjitha kjo ka ndodhur paralelisht me ngjitjen politike të Jozefina Topallit: paradoksalisht, sa më lart ngjitej Topalli me pasaportën e saj të veriores, shkodranes, antikomunistes, aq më poshtë marketingu politik e ulte kërkesën për këtë lloj diskursi. Për të ardhur në vitin 2012, kur Jozefina Topallit i duhet të braktisë pajën krahinariste të demokrates shkodrane për kostumin chic të Presidentes së Republikës, post i cili, me Kushtetutë, kërkon pikërisht këtë: një ofiqar mbi palët. Por, nëse nxjerr Jozefinën nga Shkodra, a mund të nxjerrësh Shkodrën nga Jozefina? Për këtë duhen interpretime shtesë.

Aishe Ahmetaga

Dy shoqe ne…

Të duhet t’i kalosh sytë nëpër fjalët e Aishe Ahmetagës, siç shkohen perlat në pe, për të imagjinuar Jozefinën tjetër. Atë që e mendonte jetën, lojën dhe vdekjen në arat e përzhitura me diell të Institutit të Misër-Orizit në fshatin Dobraç të Shkodrës. “Më thoshte se do të dalim në pension në këtë vend”, kujton Aisha më shumë se dy dekada më vonë. Q’prej atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo miqësia mes tyre, edhe pse njëra është në pallatet e pushtetit, e tjetra në një zyrë noteri përballë Gjykatës së Tiranës. Duket se fati i tyre është lidhur ngushtë nga ato vite të kahershme, por të paharrueshme, po të gjykosh nga drita në sytë e Aishës. Përpjekja për të gërmuar për Jozefinën tjetër; atë të mëparshmen, të butën, të pamundurën, vajzën, ëndërrimtaren, të panjohurën, të përball me befasinë e parë. Aisha fillon dhe e quan Inë, si për ta vendosur në një piedestal tjetër atë gruan e fortë në majë të aulës së Parlamentit, të cilën jemi mësuar ta dallojmë përmes emrash nga më të ndryshmit, si Jozi, Xhozi, Jozefina etj. Kështu Inës së saj dhe Topallit tonë u duhet të bashkëjetojnë, siç marrin e japin në mundim Jozefina që njohim përmes ekranit dhe ajo e arave me misër të rrethinave të Shkodrës. “Në Dobraç u takuam, por na bashkoi historia e përbashkët dhe e dhimbshme e familjeve tona”, kujton Aisha. “Im atë ‘e bekoi’ miqësinë me të kur mori vesh e bija e kujt ishte. Më pas u bëmë shoqe të ngushta, që i tregonim çdo të fshehtë njëra-tjetrës. Arka të ndryme.”

Aisha, në fjalët e së cilës ndihet ende gurgullima e ëmbël e shkodranishtes, e pikturon gëzueshëm shoqen e saj të atëhershme dhe të tanishme. Vazhdojnë t’i bëjnë pushimet së bashku dhe në këtë harmoni ka ndikuar edhe fakti se bashkëshortët, por edhe fëmijët e tyre shkojnë mes veti. Të tyret janë dy familje të lumtura, të mëdha, në një. Për shoqen e vjetër Jozefina ka mbetur e pandryshuar në vlera; si kur ishte vajzë si kur mori pushtetin. “E kam shumë idhull. Unë jam çfarë është ajo”, thotë me vendosmërinë e një murgeshe para ikonës së shenjtorëve, Aishe Ahmetaga. E njëjta përshpirtshmëri ruhet në vijim kur Aisha përmend urrejtjen, ose më saktë mungesën e saj tek Ina. “Ajo nuk ka urrejtje për askënd, pasi ka marrë në punë në Kuvend edhe bij komunistësh nga Shkodra”. Duke iu kthyer viteve të rinisë në fshatin Dobraç, Aisha rikthen Inën e mirë që, në mes të verës, nën përvëlimin e 40 gradëve temperaturë, ndihmonte fëmijët e fshatit për të zgjidhur detyrat e matematikës. I ndihmonte me italishten gjithashtu, dhe fëmijët kureshtarë, ulur mes rreshtave të misrit në qiell të hapur, duhet të jenë ndër klasat më jokonvencionale në botë. Po si atëherë, ajo vajzë e tillë u bë gruaja që është: konvencionale dhe e fortë brenda kostumit të pushtetares? E ashpër deri në kapje për zhelesh?! “Pozicioni i saj në Kuvend është i vështirë dhe askush  nuk do e kishte bërë më mirë se ajo. Ajo është shumë trime”, jep shpjegimin e saj si shoqe e mirë Aisha. Pranon se e ndjek kryeparlamentaren në të gjitha seancat e Kuvendit dhe se ajo e di këtë fakt. “Ajo i ka ruajtur të gjitha gjenet e familjes Çoba të cilat i vazhdon edhe në familjen Topalli”, thotë. Por a thua të kenë qenë pikërisht këto gjene që i bënë vend në politikë Jozefina Topallit? “U zgjodh nga politika pasi ishte një vajzë e cila spikaste me fisnikërinë ,zgjuarsinë , inteligjencën, thjeshtësinë, zemërgjerësinë… Padiskutim edhe bukurinë.”

Kur e pyet se ç’ëndrra thurnin kur vejevinin me biçikleta nga Shkodra në Dobraç, thotë se matematika ka qenë ëndrra e Inës: Ka qenë e shkëlqyer në matematikë. Tregon gjithashtu se ishte e etur për informacion, kërkonte të dinte se ç’ndodhte jashtë dhe i dëgjonte rregullisht radiot e huaja që kapeshin në Shkodër asokohe. Pa harruar një klering në kushtet e komunizmit: në pushimet 10-minutëshe ato këmbenin talentet e tyre: notat e violinës për fjalët e italishtes. Vazhdon nostalgjike partitura e Aishas për Inën, e tillë sidomos kur ato të dyja, arka të ndryme, hipur në biçikleta, me shami në kokë, iknin nëpër pasdite: të qeshura, të reja, e pa e ditur se njëra, do vinte një ditë, që do e rrëfente tjetrën, jo vetëm me dashurinë e shoqes, por edhe adhurimin për më të plotësuarën. Por e tillë është jeta, apo jo? E tillë, dhe me sa duket e bukur për të dyja. Frika e Inës se do të dilnin në pension duke punuar misrin në fermat e rrethinave të Shkodrës rezultoi e pagjasë. Ëndrra për matematikën m’anë tjetër u realizua, por a ka edhe një ëndërr presidenciale për Jozefinën? Nuk di ta them këtë, por di të them se gërshetimi i cilësive të saj e bën atë të aftë për çdo lloj detyre shtetërore, përfundon Aisha Ahmetaga.

 

Mero Baze

Ajo, as nuk është e persekutuar, as përfaqëson katolikët

Mero Baze, gazetari që dikur i njihte skutat e PD-së më mirë se xhepat e tij, nuk ka nevojë të kujtojë. Ai kalkulon dhe analizon. Sigurisht, mbështetur te situatat që janë lindur, zhvilluar e kthyer në fenomene, pothuajse para syve të tij. Ai mund të mos jetë burimi më i kthjellët, por është burimi që nis diku më lart se çdo rrjedhë tjetër në malin imagjinar të ngjarjeve që lidhen me Partinë Demokratike. Për këtë perspektiva e tij vlen. Baze e sheh Topallin si kandidaten më të mirë që mund të nxjerrë PD-ja dhe njëkohësisht kandidaten më të mirë për ‘shëndetin’ e partisë. Sipas tij, ajo e Topallit është kandidatura e vetme që e ndan Partinë Demokratike në dy pjesë: në pro dhe kundër. Të tjerat, vazhdon ai logjikën, e ndajnë në 6, 7 a më shumë pjesë. I pyetur se sa do e çlironte PD-në dhe hapte garën për një kryetar të ri nga grupi i më të rinjve, Baze siguron se ikja e Topallit nga PD-ja për në Presidencë nuk ndryshon asgjë. “Kjo parti është një trup i vdekur sa u takon balancave të brendshme, sepse dihet kush i ruan balancat.”

Shton se zgjedhja e saj, në fakt, e ndihmon Partinë Demokratike, sepse ia fuqizon imazhin. Në atë se elektorati e sheh si një parti fituese. Skenari për Topallin vjen e errësohet kur ajo, (nëse) bëhet presidente. “Konflikti i Berishës me presidentët është biologjik. Gjasat janë që edhe me Jozefinën presidente, ai të konfliktohet shpejt dhe ta shpallë armike”, parashikon Baze. Ai e ka një emër edhe për një President të denjë: Fatos Nano do të ishte i vetmi që do e kundërshtonte Berishën që ditën e dytë. Pikërisht për këtë asnjë prej të mëdhenjve të politikës nuk do që Nano të jetë President. Baze ka një teori tjetër që shpjegon konfliktet permanente Berisha-Presidencë: Kryeministri nuk i kërkon por i pret shërbimet nga ata që çon në Presidencë. Këto kushtëzime të pashprehura të Berishës, Baze ia brendashkruan dy kushteve: ai ose të konsumon ose të di një të fshehtë; të dyja këto shkojnë në funksion të asaj se, nëse ikën prej tij, nuk largohesh si njeri i lirë.

Por tema e bisedës ishte Jozefina, apo jo? Si erdhi ajo në Partinë Demokratike? Ç’mekanizëm apo ç’shkallë karriere lokale e ndihmuan të renë nga Shkodra për t’u ngjitur në majë të piramidës së partisë së parë opozitare paskomuniste? “Ka qenë propozim i Ali Spahisë: Berishës i ka interesuar identikiti i saj si grua, si katolike nga Shkodra dhe jo vlerat e saj”, thotë Baze. Kjo simbolikë ka vlerë për kryetarin e Partisë Demokratike. “Berisha i sheh shumë këto gjëra, mjaft të kujtosh se gjatë mandatit të parë qeverisës 1992-1997 Kryeministri ishte ortodoks, kreu i Kuvendit katolik dhe Presidenti musliman.” Në fakt, në një vend ku harmonia fetare ka funksionuar dhe këtë model e përmendin shpesh edhe vëzhguesit e huaj, kjo, përtej çdo qasjeje politike duhet lexuar si shenjë maturie e Berishës. As simbolika e një gruaje të krishterë në krye të shtetit shqiptar, pikërisht në 100-vjetorin e pavarësisë, nuk do të qe gjë e keqe. Por Baze mendon se znj. Topalli nuk i përfaqëson katolikët, madje kundërshtarët më të mëdhenj të saj janë katolikë. Përpjekja për ta destrukturuar profilin e Topallit është e pritshme kur përballë ke Mero Bazen, një gazetar krejtësisht të tëhuajësuar me lidershipin Demokrat. Por nuk mbaron me kaq. Pas zhveshjes së zonjës Topalli nga katolicizmi që duket se e ka sjellë në PD, Baze nis të heqë lëvozhgën e një tjetër atuje të kryeparlamentares: statusi i së persekutuarës në komunizëm. “Ajo ka pasur një marrëdhënie të çuditshme me komunizmin, për shembull ajo ka udhëtuar në Itali që në vitin 1989. Familja e saj gjithmonë është treguar servile e politikës: duke qenë tregtarë të pasur lidheshin me pushtetin. Familja e saj ishte kolaboracioniste tipike, ashtu si Serreqët.” Në dëshminë e gazetarit, ndryshe prej asaj të noteres Ahmetaga, Topalli ka punuar si sekretare në Institutin e Misrit dhe Orizit dhe jo si punëtore në arë. Edhe profesionalisht, Topalli e Bazes është e mangët: nuk ka mbaruar asnjë shkollë ditën dhe vuan nga kompleksi i atyre që nuk kanë një profesion.

Por mangësitë kompensohen me pasionin për pushtetin. “Jozefina e kërkon pushtetin me çdo kusht dhe për këtë është kthyer në një manekin të Berishës”, thotë botuesi i ‘Temës’. Ky pasion e shtyn që ta dëshirojë fort edhe postin e Presidentit. Për ilustrim, Baze nxjerr nga arsenali i momenteve pranë të pushtetshmëve, dikur miq të tij, një episod. “Javën që u zgjodh Topi President, Berisha na ftoi për darkë: Ishim unë, Topi, Blendi Fevziu, Fatmir Mediu e disa të tjerë. Ishte edhe Jozefina. Saliu në mes, Jozefina e Bamiri anash. Në një moment, një shakaje timen me Berishën ajo i përgjigjet: ku gjen, mor, kryetar partie si ky, që zavendsat i ban ma të mëdhej se vetja! Herën tjetër kam me u ba vetë.’

Kjo është edhe hera tjetër. Beteja ka filluar më 24 maj, por nuk dihet si do marrë. Në një kthesë të saj me siguri pret edhe mundësia e Jozefina Topallit si Presidente e Republikës.

 

Spartak Ngjela

Jozefina? Si politikane nuk ka operuar keq

Nuk di ç’të them për formimin kulturor të Jozefina Topallit, sepse është një proces, por ajo nuk është përfaqësuese e humanizmit kristian. Si politikane, nuk ka operuar keq. Por nuk ka ditur si të mos shpërdorohet nga Saliu, është ajo që unë quaj sindromi i Berias. Si kryetare Kuvendi kishte dy rrugë a- ose të krijonte figurën e vet, duke i qëndruar parimit të drejtësisë dhe ligjit, në mënyrë që të bëhej popullore, ose b- t’i nënshtrohej Saliut dhe të qeveriste nëpërmjet ligjësisë së berishizmit. Ajo zgjodhi të dytën.

Pyetja që shtrohet është: a e bënte do të parën? Po ta kishte prekur normalisht humanizmi kristian e bënte, por edhe me formimin  saj do e kish bërë, po t’ia vinte qëllim vetes. Në luftën midis dy qytetërimeve në Shqipëri, Jozefina ende nuk është radhitur në formacionin e qytetërimit perëndimor. Përsa i përket problemeve të tjera, background-it, aktivitetit të saj, ecurisë së saj në vështirësi, i ka të gjitha në favor. Por, duke mos dashur të bie në përsëritje, në rast se këtij backgroundi do t’i kish shtuar atë që thashë më lart, ajo do të ishte një lidere absolute e Shqipërisë: Megjithatë, ka ende kohë!

Marrë nga numri i qershorit i Revistës Mapo

 

 

 

Kujdes. Të gjitha të drejtat e këtij shkrimi janë të rezervuara nga Mapo dhe mapo.al.

Postoje në:

13 komente për Dosja J. ose Jozefina tjetër

  1. pirati

    26/07/2012 at 10:22 am

    Kur bani betimin si kryetare e parlamentit Jozefina tha jo pa pathos se do te ishte “Avokate e opozites”por ne realitet pame qe u ban “Prokurore e opozites” dhe ,nje prokurore krejtesisht irracionale,dhe qe reflektonte arrogance.
    Me erdhi keq per te…Kisha tjeter opinion!

  2. Mark.uk

    27/07/2012 at 3:35 pm

    Me thuaj te verteten se cila apozite te pakten ne Europe eshte e till.Ne cilin vend te kontinentit ka ndodhur qe drejtues te nivelit te lart te bejn thirrje sic beri e majta shqiptare ne 97:Me kto fjal O DJEM RREMBENI PUSHKET JA VDEKJE JA LIRI.Po perpara 21 janarit 2011 Te marrim shembull nga Tunezia.E keni mbrapa deres,po ju nuk e shifni[e thene ne parlament etj.Po pas 21 janarit,u vrane tre,jemi te pregaditur per 13.ooo.Nga emri qe ke vene lene per te pas dyshime.