“Dëftesat” e Brzezinskit për tre presidentë amerikanë

 Megjithëse raporti me librin dhe leximin është tejet individual, statistikat dhe sondazhet tregojnë se për shumicën e lexuesve në stinën e verës libri është një argëtim komplementar, pra jo i dorës së parë në krahasim me mënyrat e tjera të kalimit të pushimeve dhe kohës së lirë. Lexohet më pak, preferohen një kategori e caktuar librash më të “lehtë” në të lexuar, që i drejtohen me shumë kureshtjes sesa emocionit, siç janë biografitë apo esetë për njerëz të shquar, librat divulgativë, por profesionalë për periudha dhe aspekte të ndryshme të historisë së botës e njerëzimit, romane dhe novela me aksion, e tjerë. Kjo nuk do të thotë se nuk ekziston lexuesi i njëtrajtshëm që nuk e lidh fare të lexuarit me stinën, me gjatësinë e ditës dhe të natës. Gjithsesi, në përputhje me tendencën e shumicës, do të mundohemi të rekomandojmë për këtë stinë libra “vere”, që një lexues mund t’i marrë me vete në pushimet e fundjavës apo stinës. Kemi përpara “Një histori e shkurtër e botës”, shkruar nga Ernst Hans Gombrich, botuar nga “Tirana time”; librin bestseller “Sekretet e mijëvjeçarit”, të  Katherine Neville, botuar nga “Dudaj”; romanin “Brida” të Palolo Coelhos, botuar nga “Toena”; monografinë “De Goli”; esenë “Shansi i fundit i Amerikës”, botuar nga “Helga’s serkret”… Do të shkruajmë në vijimësi për secilin prej këtyre librave, por lexuesi mund të jetë më i shpejtë se ne…

 

x  x  x

“Shansi i fundit i Amerikës“ është një libër politik i llojit të esesë, botuar në shqip nga shtëpia botuese “Helga’s secrets”. Autori i një libri të tillë kaq pretencioz nuk mund të ishte kush tjetër veçse Zbigniev Brzezinski, politologu i famshëm amerikan me origjinë polake. Ose një tjetër si ai. Brzezinski bën pjesë në elitën e shkrimtarëve politikë vizionarë, të cilët, me dhuntitë dhe njohuritë e tyre të thella për historinë dhe gjeopolitikën, duket sikur qëndrojnë mbi kohën dhe mbi sferën e Tokës për të parë nga lart tërësinë e gjendjeve dhe tendencave të zhvillimit në shkallë botërore, duke mëtuar të parashikojnë të ardhmen jo si orakujt divinë të antikitetit, por si studiues, si kërkues dhe, pse jo, dhe si artistë. Jo më kot institucionet më të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i mbajnë afër këta njerëz të mendimit, kërkojnë pikëpamjen dhe këshillën e tyre për formimin e politikave, i përfshijnë në hartimin e makroprognozave dhe makroprogrameve për të ardhmen e botës dhe për vendin e Shteteve të Bashkuara në skakierën e zhvillimeve afatmesme dhe afatgjata. Vetë Brzezinski, si përfaqësues i madh i “think tank-ut” në SHBA, ka qenë këshilltar i jashtëm i disa presidentëve, kryesisht për çështje të gjeopolitikës. Është e vërtetuar përgjatë historisë se forca e një fuqie të madhe pakësohet kur pushon së shërbyeri një ide. Përpara se të shemben nga koha apo forcat armike, perandoritë kanë rënë kur kanë humbur vizionin e së ardhmes. Këto përvoja janë studiuar e formuluar si aksioma. Forca e Shteteve të Bashkuara, sipas Brzezinskit, qëndron tek ideja ripërtëritëse e misionit të saj si fuqi e lirisë dhe demokracisë.

“Shansi i fundit i Amerikës” analizon veprimtarinë e tre presidentëve që kanë drejtuar Amerikën pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, si ngjarja më e madhe botërore e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Këta presidentë janë Bushi i Vjetër, Bill Klinton dhe Bushi i Ri. Me emrat e tyre shfaqet në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe në historinë e botës figura e liderit global, që është pasqyra e lidershipit të vetëm të Amerikës në botë nga viti 1989 e gjer sot. Asnjëherë, as në kohën e perandorive më të mëdha, nuk ka ndodhur që bota të njohë vetëm një pol fuqie, apo një superfuqi të vetme, siç ka ndodhur në dy dekadat e fundit. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një njeri i vetëm, në rastin konkret presidenti i SHBA-së, të ketë atributet e liderit global në trendin e zhvillimeve botërore.

Si lindi dhe u formua ky lidership, në ç’kushte, në çfarë konteksti? Çfarë ndodhi, pse ra perandoria sovjetike e së keqes? A ishte rënia e saj një vepër heronjsh, apo një proces i brendshëm që u zhvillua në vetvete, duke goditur si pika e shiut në gur? A pati efekte kundërthënëse prishja e ekuilibrave të Luftës së Ftohtë? Cilat ishin tiparet e lidershipit të Bushit të Vjetër? Po të Bill Klintonit? Po të Bushit të Ri? Si e ka përdorur Amerika dhe si e kanë përdorur tre presidentë shansin e jashtëzakonshëm për të zgjidhur krizat dhe për të formuar një rend të ri të paqes dhe bashkëjetesës në shkallë botërore? Për këto dhe për shumë pyetje të tjera kardinale, që lidhen me zhvillimet e mëdha të dy dekadave të fundit, lexuesi do të marrë përgjigje shteruese, të thella dhe njëkohësisht të thjeshta nga një penë e jashtëzakonshme si ajo e Brzezinskit.

Statura e profesorit ia lejon atij të “lëshojë dëftesa” për secilin prej presidentëve, duke i parë si individë me karakteristikat e tyre të veçanta dhe njëherësh si produkte politike të kohës kur u zgjodhën dhe qeverisen nga Shtëpia e Bardhë. Ai pohon me nota pozitive administrimin prej Bushit Plak të shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik. Në të njëjtën kohë, njeh me adhurim aftësitë diplomatike dhe shkathtësinë e këtij presidenti në ndërtimin e një koalicioni shumë të gjerë kundër pushtimit të Kuvajtit nga Iraku në fund të vitit 1990. Bushi i Vjetër kritikohet ndërkohë me fraza lapidare për moskurorëzim apo për lënien në mes të arritjeve të tij historike, qoftë në çështjet e postkomunizmit në ish-Bashkimin Sovjetik, qoftë në luftën kundër Sadam Hyseinit. “Shkurt, shkruan Brzezisnki, e meta më e madhe e George H. W. Bush nuk qëndron në atë që ai bëri, por në atë që ai nuk bëri. Ai e la detyrën duke gëzuar një respekt ndërkombëtar të paprecedent. Por si lider global nuk e shfrytëzoi mundësinë që t’i jepte formë së ardhmes…”.

Një analizë e gjerë i kushtohet presidencës tetëvjeçare të Bill Klintonit, liderit të “qëllimeve të mira”, që iu kushtua me përparësi problemeve të brendshme të Amerikës, duke shënuar suksese spektakolare në këtë drejtim, por duke lënë për të dëshiruar, sipas autorit, në fushën e politikës së jashtme. Partizan i lidershipit amerikan në botë, Brzezinski e lavdëron Klintonin për zgjerimin e NATO-s, për ndërhyrjen vendimtare në Kosovë, por e qorton për dështimin e përpjekjeve për paqen në Lindjen e Mesme dhe për injorimin e terrorizmit të Al Kaedas. Në dallim nga ajo që mendojmë dhe do të vazhdojmë të mendojmë ne shqiptarët, Brzezisnki pohon se lideri global numër dy, që është Klintoni, nuk la gjurmë historike me rëndësi botërore.

Nëse e lexojmë këtë libër në optikën e përfitimeve që kemi patur si komb nga tre presidentët e SHBA-së, “zhgënjimin” më të madh do ta kemi me vlerësimin e “ liderit katastrofik”, siç e etiketon autori Bushin e Ri. Por duhet të kuptojmë dhe sigurisht e kuptojmë se optika e autorit është shumë më e gjerë se ajo e mirënjohjes së popullit shqiptar. Ne do të vazhdojmë ta duam këtë president që vizitoi i pari në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane Tiranën dhe kontribuoi drejtpërsëdrejti për pavarësinë e Kosovës dhe futjen e Shqipërisë në NATO. Nga ana tjetër, Brzezinski u krijon mundësinë lexuesve të kenë vizionin e misionit të liderit botëror. Autori i ka rezervuar Bushit të Ri një kritikë të sertë për unilateralizmin e politikës së tij pas ngjarjeve të 11 Shtatorit, që u pasua me vendime që prodhuan më shumë viktima dhe më shumë armiqësi për Amerikën në botë. Si lider global numër tre, Bushi i Ri “ka keqkuptuar momentin historik dhe brenda pak viteve, në mënyrë të rrezikshme, ka minuar pozicionin gjeopolitik të Amerikës. Në ndjekjen e një politike të bazuar në bindjen se ne tani jemi një perandori dhe kur veprojmë krijojmë realitetin tonë, Bushi ka vënë në rrezik Amerikën”, shkruan Brzezinski. Këto rreshta të rëndë që kanë tingëllimin e një akuze, janë shkruar kur Bushi i Ri ishte ende në pushtet. Brzezinski i kërkon dhe i këshillon Amerikës si mund të rifitojë staturën e saj botërore në erën e sotme të zgjimit të ri planetar. Ky është shansi i fundit i Amerikës. Kjo është sfida e presidentit të ri. Ai nuk ishte zgjedhur ende kur u botua libri. Do të zgjidhej më vonë dhe do të ishte Barak Obama. Misioni i tij vazhdon. Brzezinski me siguri është duke e vëzhguar.

“Shansi i fundit i Amerikës” është një libër i rrallë në llojin e vet. Përveçse me thellësinë e përmbajtjes dhe bukurinë e stilit, libri të rrëmben si model i kritikës së motivuar nga qëllime të larta.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login