Borxhi i largohet kufirit të rrezikut, bie në 57% të PBB

Ministria e Financave duket se i ka vënë fre borxhit. Totali i borxhit nga 59 për qind ka zbritur në 56.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke iu larguar kështu kufirit të rrezikut 60%, i konsideruar si i tillë nga institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Madje kjo rënie është artikuluar edhe nga kryeministri Berisha, i cili në mbledhjen e Bordit të Agjencisë për investimet e huaja (AIDA), tha dje se borxhi publik në raport me GDP-në ka rënë në 57%. “Dua ta deklaroj sot publikisht, që 60% nuk më duket më linjë e kuqe, jo, është portokall”, deklaroi Berisha. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të përpunuara nga Ministria e Financave që i përkasin tremujorit të parë të këtij viti, stoku i borxhit arriti në 787,9 miliardë lekë. Prodhimi i Brendshëm Bruto ka arritur mbi 13 miliardë dollarë, duke bërë që stoku i  borxhit në raport me PBB të arrijë në rreth 57 për qind. Megjithatë, shifra konsiderohet e lartë nga institucionet financiare monitoruese për shkak se pavarësisht se në rënie, borxhi i Shqipërisë në raport me PBB është nga më të lartat në rajon. Në raportin e fundit të Komisionit Europian për zhvillimet ekonomike të 6-mujorit të parë të këtij viti vlerësohet se ndonëse borxhi publik i vendit është ulur me dy pikë përqindjeje në tremujorin e parë 2012, në 57%, nga 58.8% të PBB-së, nga ai që ishte në fund të vitit 2011, përsëri mbetet mjaft më i lartë në raport me vendet e tjera të rajonit. Niveli më i lartë pas Shqipërisë është ai i Serbisë, Kroacisë  dhe Malit të Zi, përkatësisht me 47.7%, 45% dhe 43.3% të PBB-së në fund të tremujorit të parë 2012, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian. Treguesit më të ulët i ka Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina, përkatësisht me 28.2 dhe 25.7% të PBB-së. Pavarësisht parashikimeve në rritje që kanë vendet e rajonit për një tendencë në rritje të borxhit publik, ai nuk pritet të kalojë 52% të PBB-së në Serbi, 49.7% në Mal të Zi në vitin 2013. Zvogëlimi i borxhit publik në tërësi dhe lehtësimi i kostos së pagesës së interesave të tij janë sfida me të cilat po përballet aktualisht ekonomia shqiptare, sipas një deklarimi të mëparshëm të ministrit të Financave, Ridvan Bode. Sipas tij, sfidë e qeverisë mbetet kostoja e lartë e interesave për shlyerjen e borxhit. Kriza botërore solli një ndryshim te vlera e euros, duke rritur koston e borxhit në valutë, për shkak të ndryshimeve në kursin e këmbimit. Por sipas Ministrisë së Financave menaxhimi i borxhit mbetet në kontroll, për shkak se Shqipëria tre të katërtat e borxhit i ka hua të brendshme, ku risku i financimit është më i ulët. Qeveria synon që ta çojë borxhin publik deri nën 55% brenda vitit 2015. Nga ana tjetër ekonomia e vendit ka humbur ritmet e rritjes së saj. Madje në tremujorin e parë ekonomia pësoi një rënie me 0.2 për qind. Rënia e ritmeve të rritjes e bën edhe më vështirë uljen e kostos në buxhet të huamarrjes, e cila vetëm për këtë vit shënon rreth 400 milionë euro, duke u bërë zëri kryesor i shpenzimeve buxhetore pas rrogave dhe pensioneve. Ekspertët në Ministrinë e Financave pohojnë se rënia e borxhit në raport me PBB është arritur nëpërmjet një disipline fiskale që ka synuar mbajtjen e deficitit buxhetor nën kontroll.

 

 

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

2 Responses to "Borxhi i largohet kufirit të rrezikut, bie në 57% të PBB"

  1. lucio  11/07/2012 at 5:30 pm

    per te mbajtur nen kontroll koston e borxhit qeveria ka hequr dore taksa e sheshte duke adoptuar taksen e marksit mbi bizneset. Kjo mode me shume se protokalli eshte e theksuar e kuqe ne rritjen ekonomike

  2. Ardian  11/07/2012 at 6:03 pm

    A ka mundesi te me shpjegoje ndonjeri se si mund te ulet raporti i borxhit mbi PBB nga 58.8% ne 57% kur Banka e Shqiperise raporton rritje te borxhit dhe INSTAT raporton ulje te PBB ?

You must be logged in to post a comment Login