“Djemtë ia kam falur mikut tim prej 30 vitesh, mos të ketë gjakmarrje”

Ballsh Me një djalë në ngujim dhe tjetrin në arrest, Xhemal Kamaj i bën thirrje publike mikut të tij prej 30 vitesh, babait të viktimës, që t’i japë një zgjidhje konfliktit, që të mos ketë gjakmarrje. Në kohën që djali i tij, Edison Kamaj ishte përballë trupit gjykues, Xhemali deklaronte se këtë çështje dëshiron ta zgjidhë me familjen e viktimës, më shumë sesa me shtetin. “Ia kam falur Bilbilit djalin tim, jo shtetit. Ndaj i ulem në gjunjë dhe i lutem mikut dhe shokut tim prej 30 vitesh, babait të viktimës, Bilbilit, që të vendosë ai se si do të zgjidhet  kjo ngjarje që më ka vrarë për së gjalli. Dua vetëm që të mos ketë gjakmarrje”, – thotë Xhemal Kamaj nga fshati Usojë i Mallakastrës. Familja e tij në jug është ngujuar që prej ditës kur i biri 13-vjeçar vrau me thikë shokun e tij, Xhevit Lamaj. Për këtë ngjarje u arrestua djali i madh, Edisoni, pasi ndodhej në vendin e krimit pas zënkës fatale mes dy të miturve. Vrasja e djalit të mikut të tij prej të birit duket se e ka helmuar Xhemalin, i cili i frikur për fatin e fëmijëve, kërkon besën e Bilbil Lamajt. Ndërkohë dje në Gjykatën e Fierit u vendos masa e arrestit me burg për të vetmin e arrestuar të kësaj ngjarjeje të rëndë, që ka sjellë frikën e gjakmarrjes edhe në Ballsh. 21-vjeçari Edison Kamaj, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, u paraqit mesditën e së martës në gjykatë, i shoqëruar nga policia. Ai ka mundur të takohet vetëm me tezen dhe nënën e tij, ndërsa familjarët e tjerë nuk janë lejuar të hyjnë në sallën e gjyqit. Prokurori i çështjes, Enklid Gjini paraqiti provat e mbledhura për vrasjen e 13-vjeçarit Xhevit Lamaj. Ai i kërkoi gjykatës që të vlerësojë  të ligjshëm arrestin ndaj 21-vjeçarit Kamaj, ndërsa i vëllai është liruar për shkak të moshës së mitur. Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga avokatja e të pandehurit, Brikena Lutaj, e cila i ka kërkuar gjykatës të marrë parasysh rrethanat e ngjarjes. “Vrasja nuk është kryer nga Edison Kamaj,  por nga vëllai i tij i mitur”, – tha ajo, duke lexuar një pjesë të deklaratës së 21-vjeçarit, ku ai pretendon se nuk është autor në krim. “21- vjeçari Edison Kamaj tentoi të shuante grindjen mes dy fëmijëve, duke u përpjekur t’i pajtonte ata. Edisoni i ka marrë të dy fëmijët dhe është përpjekur t’i pajtojë kokë më kokë. Në momentin që ai kishte kthyer kurrizin, sa hap dhe mbyll sytë i vëllai e kishte goditur me thikë viktimën, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme”,-tha avokatja para trupit gjykues. Vrasja e 13-vjeçarit Xhevit Lamaj, i njohur edhe me emrin Bushi, tronditi opinionin publik në vend, pasi krimi u krye nga bashkëmoshatari i viktimës. Policia tha se vrasjen e kreu i mituri, por për shkak të moshës së tij, ai u la i lirë. Në vend të tij u arrestua i vëllai, Edisoni, i cili ndodhej në vendin e krimit, ndërkohë që e gjitha familja Kamaj ndodhet në ngujim, duke e çuar rezonancën e Kanunit edhe në jug të vendit. Prej ditësh babai i të akuzuarve si autorë i bën thirrje të atit të viktimës, mik i tij prej 30 vitesh, t’i japë një zgjidhje kësaj situate të rëndë, të krijuar në fshat dhe mes dy familjesh.

 

We cannot load blog data at this time.

NJë përgjigje për "“Djemtë ia kam falur mikut tim prej 30 vitesh, mos të ketë gjakmarrje”"

  1. Vini  12/07/2012 në 5:37 pm

    Shoh se në këtë shkrim nuk paska entuziastë që shfrytëzojnë edhe gjakmarrjet e njerëzve të rëndomtë për të fajësuar Veriun, më pas Tropojën e më pas Berishën. Sepse rasti kësaj radhe qenka në jug. Në fakt, si në jug, ashtu edhe në veri, është e qartë se shqiptarët janë njëlloj të dhunshëm dhe njëlloj nuk i besojnë ligjeve të standardeve evropiane, siç u thonë këtyre farë ligjeve që nisin nga dënimet simbolike e lirimet për mosha “të mitura” e deri te heqja e dënimit me vdekje dhe lirimi për sjellje të mirë. Ndaj edhe shqiptarët pëlqejnë ta bëjnë drejtësinë vetë. Kjo i bën të dhushëm dhe i jep të drejtë atij ish-drejtuesit të CIA-s që thoshte se si mafia, ashtu edhe shqiptarët janë të dhunshëm, por mafia i ka ca rregulla. Në fakt, te ne njerëzit vrasin edhe në veri, edhe në jug. Pasi vrasin, ngujohen e fshihen edhe në jug, edhe në veri. Gjakmarrja e veriorëve është thjesht një “kod” (dhunë me rregulla, edhe ato të tjetërsuara për së keqi kohët e fundit, kur vriten edhe gra e fëmijë), ndërsa në jug vrasin e vriten pa rregulla. Po gjithsesi, vrasja mbetet vrasja e fshehja prej vrasësve mbetet ngujim. Është e rëndësishme që në një shtet normal, monopolin e dhunës që ushtron një shoqëri ta marrë në dorë e ta ushtrojë shteti sipas rregullave e jo individët si t’ua hajë mendja. Është e rëndësishme që, pavarësisht “kushteve të integrimit” (që e ritheksoj se pas heqjes së vizave nuk përbën më kurrfarë joshjeje), në Shqipëri të forcohen ligjet dhe të rikthehet e të zbatohet dënimi me vdekje.

Komentet janë mbyllur