Francë – Gjermani, një çift në rrjedhën e fatit

François Hollande dhe Anxhela Merkel përkujtuan të dielën 50-vjetorin e miqësisë franko-gjermane, edhe pse marrëdhënia e tyre personale është shumë e ftohtë. Presidenti dhe Kancelarja i lanë mënjanë divergjencat e tyre, sa për të përkujtuar takimin historik të gjeneralit De Gaulle dhe Kancelarit Konrad Adenauer, dy pionierët që vulosën pajtimin e dy brigjeve të lumit Rin. Ceremonia e datës 8 korrik do të vijojë me përkujtimin e 50-vjetorit të Traktatit të Elizesë, të firmosur në janar të vitit 1963. Ky tekst vendosi objektivat e bashkëpunimit bilateral dhe shënoi pajtimin e Francës me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ndërmjet Francës dhe popullit gjerman, ne duam që tani e tutje të ketë vetëm mirëkuptim dhe miqësi”, deklaroi De Gaulle në qershor 1962 në Pontarlier, duke lajmëruar vizitën zyrtare të Adenauer në Francë, katër vjet pas takimit të tyre privat në shtëpinë e gjeneralit.

Të dielën, më 8  korrik 1962, ata u takuan në Mourmelon dhe, për herë të parë trupat franceze dhe gjermane parakaluan së bashku. Imazh tjetër i fortë i kësaj miqësie është homazhi që Presidenti Mitterrand dhe Kancelari Kohl, të kapur për dore, bënë në varrezën e Verdun, simboli i katastrofës së Luftës së Parë Botërore.

Çfarë ka mbetur sot nga Traktati i Elizesë ?

Këto ditë “çifti” po kalon krizën e radhës, sepse të dyja vendet po përqendrohen tek interesat kombëtare. Kjo ishte më se e dukshme gjatë samitit të Brukselit javën e kaluar, kur Presidenti francez doli përsëri nga aleanca tradicionale me Berlinin, për t’u radhitur përkrah vendeve të jugut, kundër Kancelares. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius e justifikoi se “Europa nuk mund të funksionojë vetëm me dominimin franko-gjerman që vendos për gjithë të tjerët. Italia ekziston, institucionet europiane ekzistojnë”.

Kancelarja kishte shpresuar se pikëpamjet gjermanoskeptike të Presidentit francez ishin sa për fushatë elektorale dhe do të harroheshin shpejt, por ajo është mjaft e acaruar me François Hollande. Në Francë, opozita akuzon pushtetin e ri socialist se i rrënoi brenda disa javësh marrëdhëniet franko-gjermane. “Miqësia franko–gjermane mund të përballojë divergjenca, kjo nuk është hera e parë”, zbut situatën ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle.

De Gaulle dhe Adenauer u miqësuan shpejt. Georges Pompidou dhe Willy Brandt, i zaptuar nga Ostpolitik gjermane, mbajtën marrëdhënie me ulje–ngritje. Valery Giscard d’Estaing dhe Helmut Schmidt  kishin punuar edhe më parë bashkë, si ministra të Financave. Kur erdhën në pushtet pothuaj në të njëjtën kohë, ishte vërtet dashuri me shikim të parë. Të ushqyer nga historia e vendeve të tyre, njohës të hollë të elektorateve dhe provincialë, François Mitterrand dhe Helmut Kohl ndërtuan një miqësi të thellë që i mbijetoi divergjencave të pasbashkimit gjerman dhe mosbesimit të francezit ndaj Gjermanisë. Jacques Chirac shpalosi mosmarrëveshjet e tij me Gerhard Schroder kur po negociohej traktati i Nice. Por më pas u lidhën me një miqësi të fortë rreth disa drekave kokë më kokë.

Nicolas Sarkozy iu kundërvu Angela Merkel-it për krijimin e Unionit për Mesdheun dhe rolin e BQE, u acarua nga ngathtësia e saj për të reaguar gjatë krizës, pohoi se Franca “vepron, ndërkohë që Gjermania mendohet”. Dhe tallej me dëshirën e madhe të Kancelares për të ngrënë djathin francez, ndërsa pretendonte se ishte në dietë. Por nga ana tjetër, ai e mbrojti funksionimin e dyshes, arriti të përfitonte lëshime dhe u rreshtua shpesh në krah të Gjermanisë, të cilën më në fund e konsideroi si model të suksesit.

Hollande dhe Merkel, do t’ia dalin të lidhen si të gjithë të tjerët para tyre ? “Marrëdhënia franko – gjermane mbetet boshti i ndërtimit europian, sepse historia na ka dhënë një përgjegjësi të veçantë”, thekson Kryeministri francez, Jean – Marc Ayrault, dikur profesor i gjuhës gjermane. E zhytur në një krizë ekzistenciale, Europa nuk mund të ketë luksin e përballjes së vazhdueshme të bllokut Jug me Francën në krye, me bllokun e Veriut, të udhëhequr nga Gjermania.

Vetëm përkujtimi i të kaluarës nuk mjafton. Nëse duan të kenë peshë përkundrejt SHBA dhe vendeve të tjera, është në interes të të dyja vendeve të përforcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Një lëvizje e tillë do të krijojë një dinamikë të vërtetë në Europë. Duhet një traktat i ri Elizeje.

Sipas “Le Figaro” dhe “Le Monde”

Përgatiti Blerta Hyska

Komentet janë mbyllur