“Luftë” për hashashin në Lazarat, plumba mbi 200 policë

200 forca të policisë, përfshi edhe specialë të RENEA-s, janë sulmuar me mitraloz nga persona të armatosur brenda dy fuoristradave të zeza, ndërsa policia ishte duke shkatërruar plantacionet me hashash në zonën e Lazaratit. Policia i është përgjigjur zjarrit duke qëlluar në drejtim të mjeteve dhe në përleshjen disaminutëshe, në të cilën fatmirësisht s’ka pasur të dëmtuar, sulmuesit janë detyruar të braktisin makinat, ndërsa janë dëmtuar edhe dy bote uji dhe tre kamionë, të cilët duket se janë përdorur nga sulmuesit si barrikadë.

Lufta 

Forca të RENEA-s, Delta Forcë dhe ato të policisë së Gjirokastrës janë futur dje në fshatin Lazarat dhe rrethinat e tij duke shkatërruar 7 mijë rrënjë kanabis, ndërsa kanë hasur në rezistencë me armë të personave, që sipas policisë janë identifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur. Burime të policisë thanë se ata që kanë gjuajtur me armë zjarri mbi policinë kanë qenë disa persona me precedentë penalë, pra të skeduar më parë nga policia për veprimtari të ndryshme kriminale. Përplasja me armë midis efektivave të policisë dhe këtij grupi personash ka ndodhur në fazën e dytë të operacionit. “Pasi kishim asgjësuar disa sipërfaqe të mbjella me rreth 5 mijë rrënjë kanabis, duke parë edhe insistimin tonë në vazhdimin e operacionit këta persona me precedentë kriminalë kanë kundërvepruar me armë ndaj efektivave të policisë”, – thonë burimet policore. Në një segment rrugor, ndërsa policia po shkulte hashash, dy fuoristrada janë afruar vendit ku ndodheshin efektivët. Personat brenda mjeteve kanë gjuajtur me breshëri armësh mbi efektivat e policisë. Këta të fundit janë përgjigjur me armë zjarri kundër dy makinave. Duket se sulmuesit nuk e kanë pritur reagimin e menjëhershëm të policisë. Specialët ndërsa u kanë bërë thirrje banorëve të zonës të mos përfshiheshin dhe të distancoheshin nga sulmuesit, kanë dëmtuar mjetet që ata përdorën si barrikadë, ndërsa kanë sekuestruar edhe dy fuoristradat, të cilat ata i braktisën pas kundërpërgjigjes.

Hashashi

Ndërkohë, rreth 7 mije rrënjë bimë narkotike janë asgjësuar gjatë operacionit të gjerë antikanabis. Veprimet operacionale janë drejtuar nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të policisë së Gjirokastrës. Fillimisht, efektivat e policisë kanë asgjësuar 5 mijë rrënjë bimë narkotike si dhe kanë ndaluar pesë persona, të cilët ishin duke punuar në sipërfaqet e mbjella me kanabis. Në vijim të operacionit antikanabis në Lazarat, efektivat e policisë nxorën jashtë përdorimit disa mjete që shërbenin për transportimin e ngarkesave me pleh dhe ujë, si dhe dy furgonë me nga 1 mijë rrënjë kanabis në gota plastike që ishin gati për t’u mbjellë. Sipas përfaqësuesve të policisë së Gjirokastrës, puna për asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme në të gjithë territorin e Qarkut të Gjirokastrës. Ndërkohë, në operacionin e djeshëm policia ka gjetur duke punuar dhe ka arrestuar tre pronarë parcelash me hashash, dy prej Lazaratit dhe një nga Tepelena, ndërsa ka kapur edhe dy punëtorë, njëri nga Kukësi e tjetri nga Librazhdi. Burime të policisë thonë se janë shpallur në kërkim edhe personat që qëlluan me armë kundër bluve, ndërsa thuhet se ata kanë përdorur deri dhe mitraloz për të ndaluar shkatërrimin e parcelave.

 

 

Të arrestuar

 

Pronarë parcelash

 

Miço Kuro, 29 vjeç, lindur dhe banues në Lazarat

Aurel Huso, 28 vjeç, lindur dhe banues në Lazarat

Erion Ajdini, lindur dhe banues në Tepelenë

 

Punëtorë të hashashit

 

Gentian Halili, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kukës

Agron Blloshmi, 25 vjeç, lindur dhe banues në Librazhd

 

 

Burgaj “kërcënon”: Distancohuni nga sulmuesit, policia do u përgjigjet

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dha një deklaratë për mediat menjëherë pas përfundimit të aksionit policor në Lazarat, duke dhënë shpjegime edhe për përplasjen me armë mes policisë dhe personave që tentuan të mbronin parcelat me hashash, ndërsa ka lënë të kuptohet se forcat e policisë do të përgjigjen me armë nëse sulmohen. “Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcat RENEA, Delta Force dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në zbatim të planit të veprimit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, është konkluduar me sukses një operacion policor, që kishte si synim asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara në zonën perëndimore të fshatit Lazarat”, – tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. Ai njëkohësisht ka kërkuar shmangien e përplasjeve mes banorëve të zonave ku ka kanabis dhe policisë, duke “kërcënuar” se forcat e rendit do të përgjigjen me forcën e ligjit. “Policia e Shtetit iu bën thirrje banorëve të fshatit Lazarat që të distancohen nga disa elementë me precedentë kriminalë, të cilët kundërveprojnë me armë ndaj forcave të policisë, pasi policia do t’u përgjigjet me forcën e ligjit të gjithë atyre personave të përfshirë në akte të tilla”, – tha Burgaj. Ai theksoi se operacioni i djeshëm i zhvilluar pas mesnate e deri në mëngjes, është përfunduar me sukses duke shkatërruar drogën e mbjellë në pjesën perëndimore të fshatit Lazarat. Sipas kreut të policisë, operacione të ngjashme do të vazhdojnë në vijim dhe ndërkohë është duke u bërë monitorimi i zonave të mbjella me hashash me anë të helikopterëve të policisë italiane. “Ne po vazhdojmë monitorimet e kryera nga ajri me avionë të policisë italiane dhe helikopterë të policisë shqiptare në të gjithë territorin e vendit, për të përcaktuar me koordinata shumë të sakta zonat ku kultivohet kanabis, me qëllim asgjësimin e tyre dhe arrestimin e autorëve”, – tha Burgaj.

 

Janë asgjësuar:

5 mijë bimë hashashi

2 mijë rrënjë kanabisi gati për t’u mbjellë

 

U dëmtuan

2 bote uji

3 kamionë

2 mjete të tipit fuoristradë

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

2 Responses to "“Luftë” për hashashin në Lazarat, plumba mbi 200 policë"

  1. lucio  11/07/2012 at 12:12 pm

    nese vetem ne nje furgon jane 1 mije rrenje kanabis demi i shkaktuar nga shteti qenka i konsiderueshem, por ai mitra eshte i keq mos t’u dalin shume perpara nese nuk duan te hyjne te tjere ne listen e policise se fundvitit

  2. tarrasi  11/07/2012 at 2:25 pm

    Kjo lufte eshte e kote ne nuk i kemi fondet ose policine per te mbuluar gjithe vendin do ishte me mire te legalizohet ne Shqiperi.

    Kjo do sillte dy te mira

    1) Do ulte shpenzimet dhe do ruante faqen e policise qe nuk jane te zote.

    2) Rritje ekonomike nga krijimi i nje dege te re turizmi plus nxjerrjen e ketij biznesi nga rrethet kriminale.

    Per kritiket qe thone qe nuk eshte mire do thoja.

    1) Te gjithe njerzit ne Shqiperi kane akses tek kjo lloj droge ne qofte se duan ta perdorin.

    2) Pirja e alkolit nuk ka moshe ne Shqiperi por kjo sdo te thote qe ne kemi numrin me te madh te alkolisteve. Perkundrazi krijon nje kujdes individual te kerkuar tek individi dhe tek familja duke krijuar nje etikete kundrejt perdorimit.

    3) Demet nga kjo lloj droge jane minimale ne krahasim me perdurmit te alkolit apo te drogave te tjera.

    Une nuk jam perdorues i ndonje droge alkoli apo duhani.

You must be logged in to post a comment Login