Rreziku i instrumentalizimit të gegnishtes

Ardian Ndreca

Vite ma parë kur në shtypin e shkruem shqiptar përbante nji blasfemi botimi edhe i nji shkrimi të vetëm gegnisht, më pat ardhë në ndihmë shkrimtari Ismail Kadare, i cili ndërhyni pranë kryeredaktorit të nji prej përkohshmeve ma të mëdha shqiptare, asokohe ndër ma të lexuemet, tue i thanë se s’kishte asnji të keqe në qoftë se do të botonin shkrime gegnisht. Muri i madh dogmatik u ça disi dhe pata nisë me botue herë mbas here shkrime, në disa prej të cilave mbroja idenë që raporti i standardit me gegnishten duhet të rishikohej për të mirën e vetë gjuhës shqipe.

Duhet thanë se asokohe kishte fletushka partiake që botonin pa problem shkrime gegnisht, por siç kuptova ma vonë prania e shkrimeve të tilla në gazeta totalisht të komprometueme provokonte efektin e kundërt dhe e reduktonte çeshtjen e gegnishtes në nji problem politik, zgjidhja e të cilit mvarej prej vullnetit të nji partie të caktueme.

Kam vijue me shkrue tue respektue sa ma shumë drejtshkrimin e gegnishtes letrare të vitit 1964, të aprovuem në Kosovë. Në lavrimin e gegnishtes kam pasë gjithnji parasysh mjeshtra të gjuhës si Koliqin e periudhës së Shêjzave, Camajn, Pipën, Át Zef Pllumin etj.

Ideja asht se gegnishtja, në të gjitha tonalitetet e veta, mbahet gjallë prej nji numri të madh shqipfolësish prej rretheve të Elbasanit e deri në luginën e Preshevës, ka nji letërsi zâmadhe e nji numër të madh veprash moderne, prandaj mundet dhe duhet ta ketë të drejtën e qytetarisë edhe në kushtet e sotme.

Në këto dy dekada anarkie politike dhe kulturore, misët e dikurshëm të Kongresit të 1972 dhe idhtarët e tyne janë tregue tejet dogmatikë dhe të shurdhët tue mos pranue asnji mundësi dialogu në ketë drejtim. Ndërkaq edhe ndonji prej gjuhëtarëve gegë, që edhe pse vijonte me na dhurue banalitetet e veta në standard, bante kinse po mbronte gegnishten, nuk kishte as aftësinë dhe as ekuilibrin me u paraqit si bashkëbisedues i besueshëm për nji debat serioz rreth gegnishtes.

Koha kalonte dhe flukset migratore të mbrendshme të popullsisë prej nji rajoni në tjetrin sillnin me vete de facto shkërmoqjen e standardit nën shtysën e nji mase që sillte me vete pasuninë e vetme që kishte: gjuhën. Në keto 20 vjetë zhvillimet sociologjike kanë qenë themelore në gjuhën shqipe e kjo gja ka ba që në jetën e përditshme, në televizion, radio dhe në shtyp të hynin fillimisht të ndrojtuna e ma vonë ma natyrshëm forma të reja me prejardhje gege.

Sot idea ma e përhapun asht se standardi asht ba i pamjaftueshëm dhe se gegnishtja përfaqson oksigjenin e nevojshëm që do të ushqente jo vetëm nji sintezë të re por mbi të gjitha nji gjuhë dinamike që do të përmbushte detyrat e shqipes përballë sfidave të globalizimit.

Kohët e fundit ka pasë ndonji përpjekje gjysëm institucionale për me ngjallë debatin rreth gegnishtes. Asnji sukses, pse mbas saj s’kishte asnji platforme logjike e shkencore. Nga ana tjetër un jam i primë mos i besue atyne që me fjalë e mbrojnë gegnishten por shkruejnë në nji standard me dopiopet të mbërthyem deri në fyt.

Tash kah fundi duket se maraku i gegnishtes po i han shumë edhe politikanët shqiptarë që bajnë sikur po qeverisin vendin por në fakt mbarështojnë vetëm pasunitë e veta. Në ketë rast e them pa frikë se gjuha shqipe nuk ban pjesë në inventarin e pasunive të tyne.

Për pasojë ditët e fundit gjuhëtari Kolec Topalli, i cili ka ndjekë gjithnji rrugën e moderacionit dhe të pritjes, doli me tezën e disa ndryshimeve në përdorimin e zanores -ë- në nji tipologji të caktueme fjalësh.

Entiteti i ndërhymjes ishte krejtsisht i papërfillshëm në kandvështrimin e nevojave që paraqet sot standardi, por i mjaftueshëm me heq vemendjen prej problemeve urgjente politike që kemi dhe sidomos për me shtërngue rradhët e nji elektorati të lodhun e të zhgënjyem veriorësh që e kanë pa tashma dështimin total të politikës së Berishës.

Ajo që asht shqetsuese për fatet e gegnishtes asht lidhja që disa po përpiqen me ba mes stigmatizimit që i bahet të folmes së Berishës apo Topallit dhe nevojës për nji standard të ri që t’i afrohet asaj të folme. Po të pranohet edhe hipotetikisht nji gja e tillë do t’i binte që po të kishim mbas 20 vjetësh nji kryeministër prej katundeve të Labërisë apo Devollit duhet të rishikonim standardin për me ba që të mos dukej qesharak në publik!

Problemi pse Berisha apo Topalli herë mbas here bahen krejt qesharakë në ligjërim nuk asht gegnishtja e tyne e mangët e nëndialektore, me të cilën kah ana tjetër komunikojnë me sa duket pa probleme edhe shqiptarë të tjerë, por thelbi i diskursit të tyne, ma së shumti alogjik, i vrazhdë, kontradiktor, i cektë dhe i pakuptimtë.

Debati rreth gegnishtes nuk asht debat për me i dhanë pashaportizimin shkodranishtes apo tropojançes, por gegnishtes letrare, të cilën as Berisha dhe as Topalli s’e njohin dhe s’e lavrojnë dot.

Kuptohet që çështja e përbuzjes ndaj dikujt për shkak të folmes që përdor shumë shpesh përmban edhe komponenta subjektive. Do të ketë gjithnji prej atyne që do të shtrembnojnë buzët përpara hundoreve të nji shkodrani, përpara zanoreve të hapuna si sheshe të nji korçari, apo përpara inflacionit të ë-ve në të folunën e nji labi, por këto janë qëndrime që nuk meritojnë vemendje tjetër përveç asaj të ndonji gaztori imitues.

Në qoftë se nuk duem me përsërit 1972-shin, çeshtja e gegnishtes nuk mund të lidhet kurrsesi me politikën por me të ardhmen e shqipes, e cila ka dy flatra: tosknishten dhe gegnishten. Dialektet nuk kanë resht së ekzistuemi mbas vitit 1972, ato mbeten burim ushqimi e sot të gjithë gjuhëtarët kanë për detyrë me gjetë konvergjencat e duhuna dhe zgjidhjet optimale për me shkue drejt nji sinteze ma të mirë, tue respektue parimin morfologjik i cili asht edhe parimi i gegnishtes letrare.

 

Kujdes. Të gjitha të drejtat e këtij shkrimi janë të rezervuara nga Mapo dhe mapo.al.

Postoje në:

33 komente për Rreziku i instrumentalizimit të gegnishtes

  1. ardian shamku

    12/07/2012 at 9:17 pm

    si perhere, berisha dhe topalli e kane fajin sipas ndreces

  2. batoni

    12/07/2012 at 9:37 pm

    Gjithmon e kam mendu se kombi shqiptare duhet t’kete nji standard gjuhsor dhe ky standardi duhet t’jete sa ma i perafert per gjithe shqiptaret, dhe te flitet natyrshem.
    Standardi duhet plotesue ( pra nga gegnishtja ) sepse i till sic ashte, ashte i gjymtuem.
    Keto te tjerat ( Berisha, Topalli ) me duket gjana koti e t’panevojshme per koment

  3. lexuesi

    13/07/2012 at 1:13 am

    Askush nuk po perpiqet te instrumentalizoje gegerishten, madje as qe e kane permendur fare ate. Propozimet e fundit te komisionit nderakademik synojne permiresimin e standardit te mbeshtetur mbi toskerishten dhe jo rishikimin e qendrimit ndaj gegerishtes. Ardianit do t’ia kishte qejfi qe te perfshihej ne diskutime edhe çeshtja e gegerishtes, por me sa duket as qe kane nder mend ta hapin ate debat. Ai u mbyll perfundimisht ne konferencen e Durresit.

  4. rapsodi

    13/07/2012 at 8:26 am

    Nuk dalim kurre nga gjullurdia/se shtepine e nisim nga çatia/prandaj nuk zane vend themelet/ gjithmone germadhe ngelet.Punet tona i nisim nga fundi/ prandaj djersen na e merr lumi/se duem te zgjedhim te pare/ ate qi s’di ç’asht pun’e mare. Jemi te pasun ne det e toke/ vorfnine e kemi veç ne koke/ ç’kemi ndrequn duem ta prishim/te mos e kemi ate qe kishim/prandaj jemi vend fukarà/ qi nuk ka ate qi e ka/ se per inat te njani-tjetrit/ç’kemi e prishim, e djegim.Kur uleriten qen-bastardet/ morem udhet nga syte-kambet/kur ne kupole hipen rrumpallet/ zbuluem prapanicen, shalet.Tash rrumpallhania i turret gjuhes/ me huqet e dalldite e mushkes/i kane dale per zot ditunise/sherbetueret e kryesojlise/ qe hungrine si ariu i malit/ kur mbledh barijte e stanit/ te mjelin grigjen e mire te tij/ dhe ta mesojne si te blegerije/duen te kthejne kohen e shpelles/ /kur dimni zgjaste pertej veres.Ky soji qi asht ditunue/kohen e shpelles do me jetue/nigjon si pellet ai mbi kale/per me u marre vesh me fjale. Me gjuhen e bejteve te mia/kenaqen shpellaret e kryesojlia.

  5. Toni

    13/07/2012 at 9:40 am

    Ndreca ketu paraqitet si shumehere, i frymezuem politikisht e jo shkencorisht apo intelektualisht! Kjo e damton nivelin e shkrimit te tij, vete thelbin e asaj cka ai deshiron me thane – te pakten une supozoj se ky thelb asht shqetesimi per gjuhen, e jo tjeter, dmth politika. Nisun prej kesaj, deshiroj me ia vu ne dukje 2 gjana:
    1.Perbuzja e tij per dialektin tropojan, tue e quejte “tropojançe”, asht ekstreme dhe e pajustifikueshme. Aq ma teper kur mu para ketij percaktori (plotesi) ai cileson dialektin shkodran si “shkodranisht”, kur, nese do te ruente te njejtin parim, do te duhej te kishte thane “shkodrançe”… Nendialekti apo ma sakte e folmja e Tropojes asht tipikisht nji e folme e dialektit kosovar, dhe megjithese nuk jam tropojan apo kosovar, do te deshiroja shume dhe besoj se i ka parakushtet me qene gjuhe standarde. Prej ksaj optike me duket tendencioze etiketa e Ndreces per “tropojançen” ne nji kohe qe ajo asht gjuha e Kosoves. Vetem nese nuk ka ndjeshmeni per Kosoven, mund te mbahet nji qendrim perbuzes per te folmen eufonike te Tropojes.
    2.Ndreca thote qe politika duhet te rrije larg gjuhesise dmth ceshtjes se standardit, perndryshe simbas tij do te rrezikonim me perserite 72-shin! Une mendoj bash ket gja, perseritjen e nji Kongresi gjithkombetar, madje me pjesemarrjen edhe te atyne miseve (anetareve) qe kane qene ne ate kongres, natyrisht edhe studiuesit e rinj, dhe te marrin nji vendim te perkundert me ate te 1972-shit, dmth te vendosin per nji standard kombetar e drejtshkrim te ri me baze dialektin gegnisht.
    Argumentet jane te thjeshta:
    1.Numri i gegnishtfoleseve asht 5 here ma i madh se i tosknishtfolesve.
    2.Tradita e shkrimit dhe letersise gege asht ma e vjeter dhe ma e stabilizieme historikisht se dialekti toske
    3.Gegnishtja si sistem gjuhesor asht ma e plote dhe ma e pasun tejet se tosknishtja. Ne keto kushte i ploteson te gjitha kushtet me qene standard kombetar.
    4.Se fundi, asht aspekti politik e kombetar, nacionalist… Kosova asht gegnisht-folese dhe prandej me tregue edhe pak patriotizem na takon te vendosim per kete standard.
    Te gjitha kto bahen me vendime politike, ligjore, prej parlamentit, qeverise, universitetit e akademise. Te tiranes e te prishtines…
    Ma thjesht se kaq s’ka ku shkon.
    Natyrisht s’mund t’i hahet haku edhe tosknishtes, por ajo duhet te mbaje rolin qe ka pase gegnishtja qysh prej viteve ’50 e deri me sot. Njiheresh edhe te mbrohet me ligj e te kete status te vecante si cdo pasuni kulturore e jona. Te kete madje edhe abetare e tekste ne tosknisht per nxanesit e nivelit te ulet shkollor.
    Por tosknishtja s’mund te jete kurrsesi gjuhe standarde, sepse ka mungesa te medha si sistem e sidomos pranine e panatyrshme te e-se se pazashme, ose sic e quente Arshi Pipa “shva-ne”. Shqipja nuk asht rumanisht ku cdo e dyta zanore asht “e” e pazashme.

    • Nikonestea

      18/07/2012 at 10:57 am

      Kur do te shkruash dicka qe ka te beje me shkencen dhe ndoshta me te ardhmen tone zhvishu nga nacionaliteti krahinor…. nuk kemi nevoje per kesisoj keshillash….pak me shume patriot per shqiperine dhe me pak per krahinen…!

  6. Astrit

    15/10/2012 at 1:42 pm

    epo, shyqyr qe te dha leje Kadareja, se perndryshe kishe mbete pa botue neper gazeta