Boris Tadiç, hapi që mbeti vetëm simbolik

Dorështrëngim simbolik në Dubrovnik me Thaçin e pas kësaj një deklaratë e fortë se Serbia e ka pranuar faktin që Kosova është e pavarur. Gjynah që të gjitha këto vijnë vetëm nga një ish-president. Boris Tadiç ka humbur prej 31 majit fatin që të futej në histori jo si kreu i radhës i një shteti, por si ai që mund të çonte drejt fundit apo minimalisht drejt zgjidhjes konfliktin e shqiptarëve dhe serbëve për Kosovën. Sikur ajo që ai bëri në Dubrovnik këto ditë të nxehta korriku të mos kishte qenë thuajse dy muaj pasi la detyrën, akti vërtet do të kishte më shumë sesa vlera gazetareske të njoftimit të takimit mes një serbi dhe një shqiptari.

Boris Tadiç u vonua shumë të bënte një hap që mund ta kishte veçuar njëherë e mirë nga të tjerët që kanë mbajtur të njëjtin post në Beograd, madje duke zhgënjyer pritshmërinë e Europës dhe mjaft të tjerëve drejt tij si një president jo-nacionalist.

Në fakt ai vetë i ushqeu mjaftueshëm këto pritshmëri, pavarësisht politikave nën rrogoz për të penguar njohjet e Kosovës, apo nxitur dhunë në Veri, Tadiç ndryshe nga pasardhësi i tij pati ndërmarrë hapa seriozë në pranimin e krimeve të kryera nga ushtria serbe. Koha e tij përkon edhe me vizitën e parë të një kryetari shteti Serb në Srebrenicë (2010), ku ai vuri kurorë dhe lëshoi lot para përmendores së më shumë se 8 mijë të vrarëve nga ushtria e serbëve të Bosnjës, e mbështetur prej Millosheviçit.

Dje pasardhësi i tij jo vetëm që nuk shkoi në Bosnjë, por e ka mohuar gjenocidin në një intervistë për televizion shtetëror malazez. Shpresat se presidenca e Tomislav Nikoliç (Çetnikut) mund të zbusë marrëdhëniet e acaruara serbo-shqiptare janë venitur përtej zbehtësisë që tashmë e kishin pas kësaj deklarate. Ky mohim vënë përballë lotëve, ndoshta jo të vërtetë, fundja, por sidoqoftë lot, të Tadiçit dhe ndjesa e tij publike për vrasjet të paktën në Bosnje, bëjnë të dukshme se erërat që fryjnë nga Beogradi (që s’kanë qenë ndonjëherë të ngrohta), do të jenë më të këqijat, ndoshta që prej rënies së Millosheviçit.

Për këtë Perëndimorët dhe ndoshta edhe shqiptarët kanë njëfarë keqardhjeje për ish-presidentin e Serbisë. Boris Tadiç vetë duket se ka një keqardhje. Ai që gjatë presidencës thoshte se negociata për kufij dhe shtete mund të bëheshin vetëm mes Beogradit dhe Tiranës, pranoi vetëm tani që është një ish-president se Serbia, në një kuptim, e ka pranuar realitetin se Kosova është e pavarur dhe se edhe gjatë negociatave nuk e kishte ndërmend që ta bënte jo të pavarur Kosovën, por donte të përcaktonte kuadrin ligjor të asaj pavarësie.

Mund të thuhet se nxitimi për të thënë këtë vetëm pak muaj pas largimit nga pushteti, menjëherë pas dorështrëngimit me Thaçin, është në dukje një shprehje keqardhjeje për atë që duhej ta kishte bërë në kohën kur ishte President. “Ky është një moment që ka dimension simbolik, nuk duhet as nënvlerësuar, por as nuk është akt aq i madh me pasoja të mëdha. Nuk ka asnjë domethënie historike”, ka thënë ish-presidenti serb për mediat e vendit të tij pas takimit. E trishtë në fakt, pasi nga ana tjetër ashtu siç e pranon Thaçi pas takimit, nëse Tadiç do kishte pasur guximin ta bënte këtë kur ishte President, domethënia historike s’do të kishte munguar.   Por ndërsa “njohja” shumë e vonë e “pavarësisë” së Kosovës mund t’i kushtojë Tadiçit vendin në histori, ose më mirë rreshtat në librat e historisë, shqiptarëve dhe serbëve me shumë gjasa do t’u sjellë të tjera vite në pritë dhe në armiqësi, pasardhësi i tij në Beograd nuk ka ndërmend t’ia dëgjojë këshillën Tadiçit dhe të heqë dorë nga termi “Serbi e Madhe”.

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login