UET, një shkollë verore për qytetarinë

 “Aktivizmi, komuniteti dhe unë” ishte  tema e aktivitetit katërditor që u  zhvillua në kompleksin “Xixa Resort”, në Golem e që u mësoi më shumë se 50 të rinjve të përzgjedhur si të jenë qytetarë të përgjegjshëm, si të japin ndihmën e tyre në komunitetin ku jetojnë, të ngrenë zërin përballë shqetësimeve, të marrin pjesë aktive në përmirësimin e kushteve dhe t’u bashkohen nismave vullnetare për ndryshim.

 

Nuk ka pikë dyshimi që pushimet verore janë muajt më të lumtur për të rinjtë. E veçanërisht për ata që kanë lënë pas provimet e Maturës dhe nuk kanë pse shqetësohen për shkollën. Të paktën për pak, derisa të nisin sërish shqetësimet për pranimin në universitete. Ama vera e nxehtë është ekskluzivisht e dedikuar plazhit, relaksit, miqve dhe argëtimit. Po sikur në ditët e nxehta dhe të shpenguara të verës të të kërkonin të shkoje në shkollë? Po, po! Shkollë. Nuk tingëllon aq e çmendur ideja nëse do të thoshim që shkolla nuk është si të tjerat, sepse zhvillohet në korrik, buzë detit, me shokë e shoqe krejt të rinj, me pedagogë, personazhe të njohur nga jeta publike dhe mësimet nuk kanë lidhje aspak me atë që ke lënë pas në bankat e shkollës vetëm një muaj më parë…

Pesëdhjetë maturantë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës e provuan. U bënë pjesë e një eksperience krejt ndryshe; e shkollës verore të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës.

I kishte grishur ideja kur në faqet e fundit të broshurës së studimeve në UET ishte një njoftim ku të rinjtë nga të gjitha trevat shqipfolëse ftoheshin të bëheshin pjesë e katër ditëve, ku flitej dhe veprohej mbi aktivizimin dhe vullnetarizmin.

Reklama në median e shkruar dhe atë televizive i grishi edhe më shumë. Aplikimet ishin të shumta, por mes tyre u përzgjodhën 50 maturantë.

Një nga një mbërritën në godinën e Universitetit Europian të Tiranës, nga Korça, Fieri, Saranda, Durrësi, Lezha, Shkodra, Kukësi, Gjilani, Prizreni, Peja e Mitrovica. U desh vetëm një orë udhëtimi drejt kompleksit “Xixa Resort” në plazhin e Golemit, që akulli të shkrihej krejtësisht mes tyre. Nga qytete, shkolla, eksperienca dhe dëshira të ndryshme, të gjithë ata i bashkonte pjesëmarrja në këtë shkollë verore dhe kureshtja për atë çka do të zbulohej…

Aventura buzë detit 

Buzë detit i priste një aventurë e re, që herë takohej dhe herë i kapërcente kufijtë e argëtimit. Ata ishin të parët që nisnin një traditë që Universiteti Europian i Tiranës ka në plan ta vazhdojë gjatë. Një shkollë verore që ofron një shije të parë maturantëve të asaj çka i pret në auditorët e universitetit. E ndërthurur mes teorisë, e cila ndryshe nga leksionet klasike vinte në forma më origjinale dhe jashtë formalizmave, praktikës, e cila i vinte në lëvizje, komunikimit gjithëpërfshirës dhe interaktiv me njëri-tjetrin dhe lektorët e ftuar, lirisë për të bërë pyetje nga më të larmishmet dhe për të komentuar dhe asaj çka ishte qershia mbi tortë për çdo të ri: argëtimit, i cili ishte i pranishëm me fantazi dhe kreativitet në katër ditët e shkollës verore.

“Shkollat e verës janë një aktivitet shumë i përhapur kudo dhe organizohen për tema e grupmosha të ndryshme, si një mundësi shumë e mirë për të bërë bashkëpjesëmarrës me eksperienca e njohuri të ndryshme”, – shprehet pedagogia Ermira Danaj, një prej organizatorëve të Shkollës Verore.

Tematika që do të konturonte shkollën “Aktivizmi, komuniteti dhe unë”, ishte zgjedhur jo pa qëllim nga stafi akademik i UET-it. Një temë që do i përfshinte të gjithë, megjithëse të rinjtë vinin nga qytete të ndryshme. Një temë e cila me shembujt e gjallë nga personazhe të njohur nga jeta publike dhe aktivistë, përfaqësues të diplomacisë së huaj apo organizatash e lëvizjesh të ndryshme, do të bëhej eksperiencë e vlefshme për këdo, pavarësisht rrugëve që do të marrë karriera e tyre profesionale në të ardhmen.

U desh vetëm një thirrje nga asistenti i marrëdhënieve me publikun në Ambasadën Amerikane, Niles Cole, për t’i bërë të rinjtë të mendoheshin fort.

Ai foli mbi inciativën e Ambasadës Amerikane në Shqipëri “Albanian Citizens Together (ACT): “ACT Now!” e fokusuar në angazhimin e qytetarëve shqiptarë në projekte që ndryshojnë këndvështrimin dhe rëndësinë e rolit dhe përgjegjësive të tyre në shoqëritë demokratike.

T’ia nisësh aty ku je, me përpjekje modeste, nga gjërat e vogla… këto mesazhe ishin një shtysë për të rinjtë se edhe ata mund të bëjnë ndryshimin. Për të mos qenë pesimistë, për të mos pritur gjithmonë nga të tjerët, z.Cole solli disa shembuj të njerëzve të thjeshtë që me iniciativa të vogla kanë sjellë ndryshime të mëdha.

Pedagogu i degës së Psikologjisë në Universitetin Europian të Tiranës, Marsel Cara, mbajti një leksion mbi drejtësinë sociale dhe edukimin, duke sjellë shembuj të vërtetuar nga studiuesit që hedhin poshtë superioritetin apo inferioritetin racor etnik apo social, për ta luftuar diskriminimin.

Puna në grup

Për t’u përfshirë krejtësisht në këtë shkollë verore, për të qenë pjesëmarrës e jo vetëm dëgjues, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe të Edukimit në Universitetin Europian të Tiranës, Tomi Treska, u mësoi në një pasdite të gjitha hapat për të ndërtuar një projekt. Të ndarë në grupe prej 10 personash, maturantët pagëzuan me emra secilin prej grupeve. Fantazia ishte e lirë; nga “Vizion” për të treguar se ata janë të rinj vizionarë, te “Dosja 3”- të gatshëm për të përgatitur një projekt që nuk do të rrijë vetëm në dosje. Nga “Titanium”, për të simbolizuar energjinë e tyre me metalin më të fortë të “Jemi një”, për të shprehur larmishmërinë e grupit nga Kosova dhe Shqipëria e gjithaq unitetin, deri te “Think Green”- një grup që jo vetëm mendon, por edhe dëshiron të veprojë gjelbër.

Secili prej tyre dritëzoi një problematikë nga lokalitete të ndryshme, të cilat varionin nga riciklimi i mbetjeve, njoftimi i të rinjve rreth aktiviteteve vullnetare dhe promovimi i lëvizjes vullnetare, lufta ndaj analfabetizmit, e tek afrimi i të rinjve drejt kulturës me forma alternative e të pëlqyeshme prej tyre.

Të palodhur ata punuan disa ditë duke këmbyer ide e duke hedhur në letër të gjitha detajet për zhvillimin dhe implementimin e projektit, nga evidentimi i problematikave, te rrugët për ta realizuar, gjetja e sponsorëve dhe ndryshimet afatshkurtra e afatgjata që pretendojnë të sjellin me anë të projektit të tyre. Universiteti Europian i Tiranës, për të mos e lënë thjesht një projekt në letër, vendosi të sponsorizojë më të mirin prej tyre. Pas prezantimeve nga secili grup, të rinjtë votuan mes tyre dhe zgjodhën projektin fitues- “Think Green”, me projektin e tyre mik të mjedisit për riciklimin e mbetjeve në qytetin e Lezhës.

Mbi rolin e vullnetarit dhe vullnetarizmit dhe sa i rëndësishëm është ai në shoqëri dhe komunitet, foli sociologia Ermira Danaj, pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa aktivistët e lëvizjes kundër importit të plehrave, Kozara Kati dhe Blendi Kajsiu, diskutuan me të rinjtë mbi shembuj të organizimit në Shqipëri. Mbi zërin qytetar dhe të përgjegjshëm u bë edhe një prezantim i faqes online raportime.com, ku qytetarët mund të kontribuojnë në ndryshimin e vendit duke raportuar me tekst, foto, video ose audio problemet e ndryshme që pikasin.

Në fund të gjithë u pajisën me certifikata që do u kujtojnë ditët e bukura të kësaj shkolle verore, miqtë e rinj, argëtimin, por edhe që njëkohësisht dëshmon se mësuan më shumë si të jenë qytetarë të përgjegjshëm, si të japin ndihmën e tyre në komunitetin ku jetojnë, të ngrenë zërin përballë shqetësimeve, të marrin pjesë aktive në përmirësimin e kushteve dhe t’u bashkohen nismave vullnetare për ndryshim. Sepse vera nuk është e gjitha argëtim dhe pushime!

 

T’ia nisësh aty ku je, me përpjekje modeste, nga gjërat e vogla… këto mesazhe ishin një shtysë për të rinjtë, se edhe ata mund të bëjnë ndryshimin

 

Ledjana Musa

Shkolla “Naim Frashëri”, Durrës.

Ajo nuk u largua shumë nga shtëpia e saj brenda qytetit të Durrësit, por eksperienca e re, njohja me miq nga e gjithë Shqipëria e Kosova, leksionet mbi aktivizmin dhe lëvizjet vullnetare, puna praktike me projektet i lanë mbresa që do t’i kujtojë gjatë e që me siguri do e ndihmojnë edhe në rrugën e gjatë të studimeve të larta në shkencat shoqërore, të cilat Ledjana i ka me aq pasion. “Zakonisht jam shumë pesimiste dhe me pak besim ndaj eksperiencave të reja, por Shkolla Verore më tregoi krejt të kundërtën. Njoha miq të rinj, mësova shumë, mora pjesë në hartimin e një projekti që besoj se bashkëmoshatarët e mi nuk e kanë këtë lloj informacioni. M’u rrënjos edhe më shumë vullnetarizmi. Stafi ishte shumë aktiv, gjithnjë me ne, duke iu përshtatur moshës sonë. Jam shumë e lumtur që isha pjesë e brezit të parë të Shkollës Verore UET. Uroj që ajo të vazhdojë”.

 

Aulona Nallbani

Shkolla “B. Pejani”, Pejë

Aulona, vajza e qeshur nga Peja, pëlqen oratorinë, dëshiron të artikulojë mendimet dhe idetë e saj bukur, ishte reporterja e grupit “Jemi një”, e cila prezantoi idenë për të kthyer në traditë një festë kulture në kalanë e qytetit të Lezhës për të gjithë të rinjtë.

“Po të mos ishte ajo përvojë, do të ishte kot çdo gjë; ishte argëtimi.

Po të mos ishte ajo përvojë s’do të ishte e dobishme asgjë; ishte mësimi.

Po të mos ishte ajo përvojë s’do të ishte eksperiencë e re; ishte njohja…”

 

Dafina Peçi

Gjimnazi “Hidajet Lezha”, Lezhë

E lindur në Kosovë, Dafina jeton në qytetin e Lezhës, duke bashkuar traditat e mira të vendlindjes me ato të qytetit ku u rrit dhe u formua. Ajo është një vajzë që kundrejt rezultateve të larta në mësime, bën pjesë tek ata të rinj që angazhimin qytetar e ka pasion. Ka qenë pjesë e parlamentit rinor në shkollën e saj si edhe aktiviste në disa lëvizje qytetare e organizata jofitimprurëse, ndaj edhe kjo shkollë verore ishte vendi i duhur për të. “Nuk është e lehtë të përpiqesh të përshkruash drejt e me pak fjalë një përvojë të tillë e të mos mendosh se ka mbetur ndonjë gjë e rëndësishme pa u thënë. Edukim, ura bashkëpunimi e komunikimi, argëtim, diversitet, dashamirësi dhe miqësi. Nuk mungonte asgjë. Me nxënës nga treva të ndryshme, të përgatitur e energjikë, mentorë e profesorë të shquar, në zonë turistike të këndshme, në verë pas stresit shkollor, nuk kishte si të ishte më bukur”.

 

Floriana Spanca

Shkolla Mitrovicë

Ajo jeton në qytetin ku përleshjet mes serbëve dhe shqiptarëve e mbajnë të trazuar jetën, megjithatë Floriana është një vajzë e qeshur, e cila ka pasion fotografinë.

“Shkolla verore e hapi një dritare të re, në sensin analitik e kritik për mendjet tona. Na shfaqi dimension të ri të aktivizmit, ku diversiteti dhe rëndësia e të qenit aktiv në shoqërinë ku jetojmë zënë pothuajse pjesën më të madhe të pikturës sonë sociale.”

 

Zymrytë Kastrati

Shkolla “Gjon Buzuku”, Prizren

“Në Shkollën Verore UET mësohet, argëtohet, njihen mësues të përgatitur, krijohen miqësi të reja, ndihesh i lirë, qesh, mund të pyesësh për çfarë të duash. Thjesht më i miri.

 

Xhorxhi Kaçi

Shkolla “P. Meshkalla”, Shkodër

Në shkollë?! Ku e dëgjoi këtë propozim për të bërë shkollë në korrik nuk mund të mos i rrudhte buzët nga pakënaqësia, por kur dëgjoi që asaj shkollës i shtohej pas mbiemri verore mimika e parë do ia linte vendin një buzëqeshjeje dhe kur më në fund u zbulua se Shkolla Verore e organizuar nga UET do të ishte buzë detit, në plazh, qeshja në fytyrën e tij do të thoshte “shpejt të aplikoj për të qenë pjesë e saj”.

Këtë reagim Xhorxhi e solli me anë të karikaturave që vizatonte dhe jo vetëm kaq, por gjatë gjithë kohës fantazia dhe talenti i tij për grafitin i dha një ngjyrim tjetër emrave të grupeve, mesazheve sensibilizuese dhe vetë Shkollës Verore. Mes talentit për artin grafik dhe dëshirës për të sjellë një vlerë të shtuar shoqërisë, ai po sheh përpara për studimet universitare.

 

Pjesëmarrësit, shkolla e verës                                                                      

Ledjana Musa – shkolla ‘Naim Frashëri’, Durrës

Gerta Kapllani – ‘Numani’, Fier

Imelda Jaupllari – ‘R. Qirinxhi’, Korçë

Arilda Lleshi – ‘Academy Center Lezha’, Lezhë

Xhorxhina Ndoka – Lezhë

Altina Hoxha – ‘Gj. Buzuku’, Prizren

Valerija Ajkoviq – ‘28 Nëntori’, Shkodër

Alesia Sako – ‘H. Fulz’,Tiranë

Elina Jaupllari – “Petro Nini Luarasi”, Tiranë

Ermira Koçi – ‘N. Frashëri’, Durrës

Rebeka Dushku – ‘Araniti’, Elbasan

Anxhela Miholli – ‘R.Qirinxhi’, Korçë

Dafina Peci -‘H. Lezha’, Lezhë

Ferdi Kadriu – ‘F. Bardhi’, Mitrovicë

Rina Seferaj – ‘Gj. Buzuku’, Prizren

Ambra Ago – Shkodër

Enxhi Ismailaja – ‘Inkus’, Tiranë

Ina Levanaj – ‘H. Fulz’, Tiranë

Bora Kambo – ‘N. Frashëri’, Durrës

Muazez Merko – ‘Araniti’, Elbasan

Meriton Ahmeti – ‘M. Barleti’, Gjilan

Evaristo Vocaj – Lezhë

Floriana Spanca – ‘F. Bardhi’, Mitrovicë

Zymryte Kastrati – ‘Gj. Buzuku’, Prizren

Ledi Hyseni – Shkodër

Ira Nano – ‘Q. Stafa’, Tiranë

Iris Skifteri – ‘H. Fulz’, Tiranë

Benilda Mullai – ‘N. Frashëri’, Durrës

Esi Kocaj – ‘Araniti’, Elbasan

Eranda Isufi – ‘M. Barleti’, Gjilan

Irena Xhari – Lezhë

Kujtim Ademi – ‘F. Bardhi’, Mitrovicë

Aulona Nallbani – ‘B. Pejani’, Pejë

Xhorxhi Kaci – ‘P. Meshkalla’, Shkodër

Jona Bejko – “Petro Nini Luarasi”, Tiranë

Jurgen Muho – ‘S. Frashëri’, Tiranë

Sanie   Petritaj – ‘M. Zaka’, Divjakë

Adriano Topuzi – ‘Dh.Todri’, Elbasan

Albesa Aliu -‘Z. Hajdini’, Gjilan

Erjon Muja – ‘H. Nela’, Kukës

Roxana Gjonpalaj – Lezhë

Lirika Agusholli – ‘B. Pejani’, Pejë

Klaudia Lila – “Petro Nini Luarasi”, Tiranë

Kostina Prifti – “Petro Nini Luarasi”,  Tiranë

Andia Shtëmbari – Fier

 

 

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login