Angjelin Preljocaj: Ju rrëfej marrëdhënien e vështirë me prindërit

Intervistoi  Ilda Mara

Në një përsiatje mes artit dhe metafizikës, balerini dhe koreografi francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, shtjellon konceptin e tij për artin, kulturën e dyfishtë që ai mbart, e realitetin që na rrethon. Kushëriri i engjëjve, siç e quan Kadare, rikthehet në tokën e shqipeve në tetor të këtij viti në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë me trupën e tij.

Çfarë ju ka mësuar arti dhe kultura juaj e dyfishtë në lidhje me raportin mes lirisë dhe kufizimit?

Në shtëpi ne flisnim shqip, këndonim shqip, dëgjonim muzikë shqiptare, dhe sigurisht që prindërit e mi na tregonin histori gjithashtu, e më pas në shkollë ishte kultura franceze, filozofia iluministe, historia e kartezianizmit, Dekarti etj. Mendoj që përfundimisht jam si shqiponja e flamurit shqiptar me dy krerë! Kjo kulturë e dyfishtë na ka pasuruar pa masë, sepse në të njëjtën kohë ne s’jemi tërësisht as shqiptarë e as francezë,  dhe po ashtu jam ai që jam. Një shqiptar për francezët, një francez për shqiptarët. E tëra kjo është një pasuri e madhe, si dhe një frymëzim gjithashtu. Atëherë, për sa i përket bllokimeve, lirisë dhe kufizimit, këto  janë koncepte që i kam hasur përmes baletit, sepse është vërtet diçka e veçantë në balet. Domethënë, kjo kërkon aq shumë punë, përpjekje me trupin tënd, për të vënë në lojë çdo herë të gjitha ato që ne dimë të bëjmë, dhe që ne mendojmë se dimë. Dhe kjo pikërisht ka të bëjë me të mësuarit në lidhje me lirinë dhe kufizimin, dhe s’jam aspak i vetëm që e mendoj këtë, edhe Igor Stravinski thoshte se liria është kufizim!  Kufizimi është një drejtim që të mundëson një liri të madhe.

Shkrimtari Paulo Coelho thotë se “baleti është një nga format më të përsosura të komunikimit me inteligjencën e pafundme.” Çfarë mësimi keni nxjerrë për ekzistencën për faktin se keni arritur përsosmërinë nëpërmjet artit tuaj?

Në lidhje me situatën e qenies njerëzore, për shkak të vertikalitetit të saj, ajo bëhet pothuajse gjeografikisht pjesë e universit. Është pak e çuditshme, çfarë po ju them, por unë besoj se qenia njerëzore në gjenezë nuk është e ndërtuar me të njëjtën lëndë, prandaj kemi më pas dhimbje të shpinës, e cila është një nga problemet që shfaqen më së shumti, qeniet njerëzore plaken, po kanë dhimbje shpine… Sipas mendimit tim, në nivel shpirtëror pozicioni gjeografik i qenies njerëzore, ndërgjegjja është pikërisht vertikalisht mes tokës dhe qiellit, dhe pyes veten shpesh nëse kjo pjesë e njeriut bën dhe veçantinë e tij. Dhe kjo më frymëzon shumë, në përsiatjet, reflektimet në punën time, dhe janë me të vërtet gjëra që më ngacmojnë pa masë.

Cila është kënaqësia më e madhe që ju ka dhënë baleti?

Kënaqësia më e madhe që më ka dhënë baleti është që të ndihem i plotësuar.  E dini që falë baletit jam ky që jam, d.m.th. baleti më ka bërë që të rizbulohem grafikisht. Baleti më ka bërë të zbuloj vetveten së pari, dhe më pas të shpalos veten time te të tjerët, dhe të zë vendin tim në botë me këtë.

Ju keni pasur raporte «të nxehta», për të mos thënë të dhunshme, me babanë tuaj, si ka evoluar raporti me të kur ju u bëtë i famshëm?

Do të thoja se i kam falur prindërit, dhe ata duhet të më falnin, sepse kam qenë një fëmijë trazovaç, tepër kompleks, isha një qenie… dhe e kuptoj ankthin e tyre tek më shihnin se ç’kah merrte jeta ime, sepse nuk arrita menjëherë te suksesi. Jam endur shumë në fillim deri sa gjeta rrugën time. Dhe në këtë endje, në këtë përhumbje të madhe, situata me prindërit nuk ishte e lehtë, por ajo që ka qenë më e vështira ishte sjellja e tyre me motrat e mia, në këtë pikë nuk pajtoheshim gjithnjë, dhe kjo nuk mund të kalohej lehtë.

Sipas jush, ne lindim artistë, apo bëhemi?

Besoj se njeriu bëhet artist! Besoj, megjithatë, se ne lindim asgjë dhe bëhemi dikush!

Cilin nga spektaklet tuaja do t’i këshillonit një publiku që se ka pasur shansin t’ju ndjekë?

Të fundit…

Ku e merrni më shumë frymëzimin: te jeta? Apo tek arti?

Pyetje interesante… Siç thotë Godart, filmi e bën jetën më interesante se filmi! Funksioni i artit është që t’i japë ndoshta jetës një interes më shumë. Arti është diçka që na shpie drejt jetës, që vjen nga jeta e pastaj merr sërish udhë drejt jetës…! Praktikisht, frymëzimin gjithsesi, e marr ose nga jeta, ose nga arti, s’ka rrugë tjetër! Mbase ka plot krijues që mendojnë se krijojnë nga hiçi, por unë them se jemi gjithmonë  pjesë e një vije të shkruar, e një historie! Histori artistike për shembull, ka pasur edhe para Da Vinci-t, Raffaelo-s, Velasquez-it, Rembrand-it, Picasso-së etj. Nuk biem nga qielli, jemi gjithmonë të vendosur diku, në një radhë…

A ndieni afërsi me artistë që ushtrojnë arte të tjera, e nëse po, me cilët?

Ah po, ndihem mjaft i afërt me shumë artistë, në radhë të parë me artistët me të cilët kam punuar, që më kanë ushqyer, kam parasysh këtu Shopenhausen, që ka pasur shumë rëndësi për punën time dhe ka qenë një model i vërtetë për t’u ndjekur, një figurë etike! Dua të them që nocioni i etikës është një nocion që mund të zbatohet në art! Është një mënyrë që të mund të ekzistosh në marrëdhënie me artin që bën, një lloj kodi moral, jo në kuptimin moral të moralistit, por të një lloj pozicionimi. Njoh shumë njerëz që thjesht zënë një vend pa u pozicionuar.

A ju ka ndodhur të mendoni si do të ishte jeta juaj në Shqipëri, sikur prindërit tuaj të mos e kishin marrë vendimin e të mos ia kishin dalë dot për t’u arratisur?

Po, e kam menduar shpesh dhe sidomos herën që u ktheva në Shqipëri, pas shfaqjes shkova në fshatin e tim eti, mes maleve. Dhe provova një gjë krejtësisht tronditëse kur ndjeva në thellësi të trupit tim se unë vija prej andej! Dhe e ndjeva fizikisht këtë! Më kishin thënë që babai im vinte nga ky vend, por kishte diçka që më lidhi thellësisht. Ishte një fat, e kur flitet për fat, flitet për rastësi, rastësia është forma që merr Zoti për të kaluar aty pa u vënë re!

Njëra nga motrat tuaja, duke folur për ju në familje, thotë: “ai ishte për ne si një dritare ndaj botës”. Ne shqiptarët e tjerë, krenarë për ju, mund të themi të njëjtën gjë. Do të kishit ndonjë mesazh për ta përcjellë tek artistët shqiptarë?

Edhe ata janë për mua një rikthim i kësaj që thoni ju dhe një jehonë gjithashtu, sa herë takoj Ismail Kadarenë, Luan Ramën, Anri Salën, Liri Begenë, dhe diskutojmë, ja kështu! Ndihem i përfshirë me ta dhe që bëjmë pjesë te një lëvizje e shqiptarëve që janë në fushën e artit dhe përmes kësaj i sjellim diçka Shqipërisë, një nxitje kolektive!

Atëherë, ju nuk jeni veç një dritare ndaj botës, ju mendoni se është një lëvizje e tërë! Cila është gjëja më e bukur që mund t’ju urojmë?

Të vazhdoj me krijimet e mia që na prekin të gjithëve, që na ndihmojnë të jetojmë më mirë, ta shohim…

(Marrë nga revista Art &Trashëgimi)

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login