Gerta Heta: Martesa ime e dytë në Kroaci, me Lunën dëshmitare

Gerta Heta, këngëtarja dhe prezantuesja e njohur, qysh pas lindjes së vajzës së saj Luna ka hequr dorë nga përkushtimi ndaj muzikës dhe prezantimit. Po, Luna tani është rritur, madje ajo ishte edhe dëshmitare në martesën e dytë të prindërve të saj të pak ditëve më parë në Kroaci. Është koha e duhur që Gerta t’u rikthehet planeve të saj artistike. Së pari, ka një këngë, e cila i dedikohet Lunës dhe që po pret ta lançojë së shpejti, e ndërkohë edhe prezantimi është në planet e saj të afërta. Prezantimi dhe kënga janë dy pjesë të pandara të saj për të cilat thotë: “Të dyja i shijoj shumë, si skenën e këngës edhe studion televizive. Te të dyja ndihem komode, por nuk e di nëse kënga do të më pranojë mua gjatë. Për prezantimin di që mund ta bëj tërë jetës dhe e bëj me shumë dashuri”. Gerta rrëfen edhe marrëdhënien e saj me Matkon, për të cilin thotë se lindja e Lunës e ka bërë më të fortë dashurinë e tyre në çift.

Gerta pas lindjes së Lunës duket se i keni lënë pak në hije aktivitet tuaja muzikore. Ia keni ndjerë mungesën skenës këto kohë?

Patjetër që ia kam ndjerë mungesën skenës, e cila më mbush me adrenalinë dhe emocione të bukura. Po, ndryshe nga skena që dhuron kënaqësi të momentit, ky produkti im që quhet Luna ma mbush jetën me gëzim në mënyrë konstante e pa ndalim.

Në projektet tuaja të afërta është muzika, ndonjë klip i ri apo diçka tjetër?

Ndonjë klip ndoshta, nëse gjej sponsor, por një këngë e re është rrugës. Më kanë kontaktuar dy producentë shqiptarë që jetojnë jashtë, dhe demo e tyre më pëlqeu. Mendoj të futem së shpejti në studio dhe ta regjistroj këtë këngë dedikuar sime bije.

Ke menduar për një rikthim të bujshëm?

Nuk e di sa i bujshëm është rikthimi pa videoklip apo pjesëmarrje në festival, por kam menduar për një rikthim ndoshta televiziv.

Ju keni provuar edhe prezantimin veç muzikës. Ku ndihesh më vetvetja, të themi?

Të dyja i shijoj shumë, si skenën e këngës edhe studion televizive. Te të dyja ndihem komode, por nuk e di nëse kënga do të më pranojë mua gjatë. Për prezantimin di që mund ta bëj tërë jetës dhe e bëj me shumë dashuri.

Nga këto të dyja, cila është pasioni yt më i hershëm?

Patjetër që është prezantimi, megjithëse mund të them se boshti i gjithçkaje është dashuria ime për muzikën, me të cilën kam qenë e dashuruar qysh fëmijë.

Cila është më e fortë, lidhja me televizionin apo ajo me muzikën?

Nëse televizioni është sezonal, lidhja ime me muzikën është e pashkëputur. Unë jam admiruese e muzikës, pavarësisht se nuk këndoj shpesh dhe nuk e kam këngën mjet jetese.

Sa rëndësi ka muzika aktualisht për ty?

Është shoqëruese e çdo dite. Jam e lidhur shumë ngushtë me të, pasi punoj edhe si drejtoreshë programacioni në një radio muzikore. Nuk ka ditë të mos dëgjoj muzikë dhe jam e azhornuar me çdo dalje të re muzikore.

A do të hiqje dorë një ditë prej saj përfundimisht?

Ndaj të kënduarit? Ndoshta po, megjithatë nuk kam pishmane, se e kam jetuar dhe shijuar gjithçka.

Nga repertori yt ke një këngë të veçantë, e cila të zgjon ndoshta kujtime të caktuara?

Me këngën e parë “My love” kam kujtime shumë të bukura. Udhëtime dhe koncerte në mbarë Shqipërinë. Njerëz që këndonin bashkë me mua tekstin e këngës, njerëz që më ndalonin e më thoshin se kanë kujtime me këngën time, se “My love“ ishte kënga e lidhjes së tyre etj. E kam shijuar shumë atë këngë.

Si kanë kaluar këto kohë si nënë?

Relativisht mirë. Me gjumin nuk i kam mirë marrëdhëniet, që kur kam lindur vajzën. Nuk kam fjetur në një vit më shumë se 6 orë. Më ka marrë malli të fle më shumë se 8 orë, e do Zoti po vjen ajo ditë. Rritja e fëmijëve përveçse është përgjegjësia dhe gjëja më e bukur, qenka edhe tepër e vështirë.

Cilat janë ndjesitë më të bukura që të ka dhuruar Luna?

Ekzistenca e vajzës dhe të qenit nënë është ndjesia më plotësuese në botë. Më e mrekullueshmja, dhe këtë nuk do e ndërroja me asgjë në botë.

Kujt i ngjan më tepër ajo?

Ajo ka marrë ngjyrat e Matkos, por më ngjan mua. Të paktën kështu duket deri tani.

Ti apo Matko është më posesiv sa i përket mirëqenies së Lunës?

Unë jam tepër autoktone përsa i përket mbajtjes së vajzës. Dua të jem prezente në gjithçka, megjithatë e pranoj edhe ndihmën dhe në fund fare përkujdesja dhe mirëqenia e saj është mbi gjithçka.

Kush shqetësohet më shumë nga ju të dy për të?

Patjetër unë. Mua më zë paniku për gjithçka.

Të jesh nënë e re dihet që ka shumë vështirësi. Cila ka qenë ndihma më e madhe për ty?

Fakti që prindërit më mbajnë Lunën, kur unë kam punë. Kjo është një ndihmë e madhe për mua. S‘ka gjë më të mirë sesa t’i besosh fëmijën një njeriu të besuar, siç janë prindërit.

Me vjehrrën si i ke marrëdhëniet?

Jashtë mase të mira. Vjehrra ime është një grua shumë e mirë, alegro dhe shumë e dashur me mua. Nuk mund të qahem.

Luna besoj duhet të ketë nisur të thotë fjalët e para. Në ç’gjuhë janë ato?

Në shqip, pasi kjo është gjuha që Luna dëgjon më shumë nga unë dhe prindërit e mi. Kam përshtypjen se ajo do preferojë të kthejë përgjigje në shqip edhe nëse Matko do i drejtohet në kroatisht.

Cilën gjuhë mendon t’i mësosh të parën, kroatisht apo shqip

Luna e ka vendosur vetë, pasi kthen përgjigje në shqip në ato pak fjalë që thotë, apo në ato gjysma fjalësh që thotë. Pra, flet shqip. Kroatishtja dhe anglishtja (unë dhe Matko komunikojmë në anglisht) do vijnë patjetër më pas.

Gerta, mesa dimë, pak javë më parë ti je rimartuar me Matkon në Kroaci, e këtë herë dëshmitare ishte edhe Luna. Si e përjetuat këtë martesë të dytë?

Unë i kisha përjetuar një herë emocionet e dasmës. Kjo e dyta ishte për të bërë një festë me familjarët dhe miqtë e Matkos, që edhe ata të njiheshin me mua. Kështu prindërit e tij organizuan këtë dasmë të dytë buzë detit, që doli shumë këndshëm. Me që unë nuk isha pjesë e organizimit, nuk përjetova ndonjë stres, madje vetëm e shijova.

A ishin të njëjtat emocione?

Jo nuk kisha emocione. U nisa me mendjen ta shijoj këtë të dytën, sepse në të parën, ngaqë u mora me organizimin, u stresova pak.

Si është të nusërosh dy herë, nisur pak këtu edhe nga shprehja e popullit “Të bëhem nuse dhe njëherë, që të di si të nusëroj”?

Është shumë në rregull. Shumë gjëra të cilat të kanë stresuar në të parën nuk të stresojnë më. Në dasmën e dytë kupton se cilat nga gjërat meritojnë më shumë rëndësi dhe cilat më pak. Patjetër eksperienca bën të veten, d.m.th. të ndihmon.

Gerta, si është të jetosh me një futbollist?

Nuk e di si janë futbollistët e tjerë, por ky i imi është shumë i përkushtuar në familje. Shumë i dashur, punëtor dhe qoftë kështu gjithmonë.

Lindja e një fëmije a e bën më të fortë dashurinë mes një çifti?

Lindja e një fëmije padyshim që e bën më të fortë dashurinë mes një çifti.

 

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

One Response to "Gerta Heta: Martesa ime e dytë në Kroaci, me Lunën dëshmitare"

  1. Kastraveci Alpin  15/07/2012 at 10:02 pm

    Urime per martesen e dyte e cila per ju mund te jete nje reabilitim pas nje fatkeqesie si mund te konsiderohet per njerez normal deshtimi i marteses se pare aq me e rende kur ju paskeni pasur dhe nje femije qe ne vend qe ajo te shijojedashurin e natyrshme dy prindrore mburreni qe ka asistuar ne martesen tuaj te …..dyte.A nuk ju vjen zor nga kjo a nuk ju vjen turp qe deshtimin tuaj si nene e shpalosni si vlere.Duke ju pare si nje rol real i shembullzuar i telenovelave latine uroj dhe Zotit i lutem qe te kete sa me pak femra si ju.

You must be logged in to post a comment Login