Aksidentet, katër të vdekur dhe të paktën 10 të plagosur

Shpejtësia dhe humbja e kontrollit të makinës për shkak të saj kanë sjellë 3 të vdekur ditën e djeshme në Shkodër dhe Lezhë, 10 të tjerë u plagosën, ndërsa një person humbi jetën në spital pas një aksidenti të rëndë në Morinë të shtunën. Ndërkohë vetëm në javën e fundit kanë humbur jetën në përplasje makinash më shumë se 8 persona dhe janë plagosur disa dhjetëra.

Aksidenti më i rëndë ndodhi pasditen e së dielës në superstradën Laç-Fushë Krujë dhe u ka marrë jetën 2 personave, ndërsa 4 të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Aksidenti ndodhi në kryqëzimin e Mamurrasit, kur një automjet tip “Toyota” me targa KR 7440 A, që drejtohej nga Bashkim Farruku 56 vjeç, u përplas me një BMV me targa AA 858 FR, që drejtohej nga Ardit Kurrizi 38 vjeç, nga Elbasani. Përplasja mes mjeteve ka qenë tepër e fortë e për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i BMV-së, Ardit Kurrizi dhe Muharrem Farruku 77 vjeç, i cili ishte pasagjer në mjetin tip “Toyota”. Nga ky aksident ka mbetur i plagosur rëndë Bashkim Farruku, i cili është transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë, ndërsa gjithashtu janë plagosur, por jashtë rrezikut për jetën Jonida Kalemi 26 vjeç, nga Elbasani, pasagjere në mjetin BMV, dhe Vera e Xhevrije Farruku, përkatësisht 54 dhe 62 vjeçe. Mjeti që drejtohej nga Ardit Kurrizi ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Tiranës kur është goditur nga pas në mënyrë të befasishme nga mjeti tip “Toyota” që drejtohej nga 56-vjeçari Bashkim Farruku. Nga hetimet e para ka rezultuar se shkak për këtë aksident është bërë mosrespektimi i distancës së sigurisë në lëvizje i mjetit tip “Toyota” që drejtohej nga 56-vjeçari Farruku dhe shpejtësia e madhe e lëvizjes së tij.

Ndërkohë, nga një aksident që ndodhi të shtunën në mbrëmje në Hanin e Hotit, një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur. Policia tha se ishte një automjet tip “Benz” me targa AA 565 DH, i cili u përplas me një fuoristradë me targa MA 2249 B, e si pasojë e përplasjes ka humbur jetën drejtuesi i mjetit “Benz”, Besnik Burgaj, oficer i policisë kufitare, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i fuoristradës Isa Rama, kryetari i komunës Qendër Koplik. Oficeri i policisë ndërroi jetë gjatë natës në spitalin e Shkodrës, si pasojë e plagëve të marra nga përplasja e makinave. Dyshohet se dy makinat ishin me shpejtësi.

Ndërkohë, mbrëmjen e së dielës një tjetër aksident ka ndodhur rreth orës 20:00 në aksin rrugor Shkodër –Velipojë. Katër persona janë plagosur, pasi makina me të cilën udhëtonin ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një pemë. Burime nga policia bëjnë të ditur se katër të plagosurit, mes tyre edhe drejtuesi i mjetit Albert Peraj, udhëtonin drejt Shkodrës, pasi kishin kaluar një ditë në plazhin e Velipojës.

Ndërkohë ka vdekur edhe njëri prej të plagosurve në aksidentin e ditës së djeshme në segmentin e autostradës Kukës –Morinë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi”, rreth 6 kilometra larg qytetit të Kukësit. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se në këtë aksident të rëndë, të ndodhur rreth orës 10:00 të së shtunës, ku ishin përfshirë 3 automjete, humbi menjëherë jetën drejtuesi i njërit prej mjeteve, shtetasi Besnik Parllaku, 52 vjeç. Njëri prej të plagosurve në gjendje të rëndë u dërgua në spitalin civil të qytetit të Kukësit, por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve nuk u arrit t’i shpëtohej jeta shtetasit Osman Velaj, drejtues i një tjetër makine, ndërsa 3 të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, dalja nga rruga e një makine në Korçë ka shkaktuar dy të plagosur, një prej të cilëve ish-kryetar komune.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login