Prokuroria çon Rezarta Shkurtën në Apel: Të dëgjohet dëshmia e Sinan Hoxhës

Tiranë Konflikti mes dy vajzave të njohura të ekranit, tashmë pritet të transferohet në Gjykatën e Apelit, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj këngëtares Rezarta Shkurta, e cila u shpall e pafajshme nga shkalla e parë. Prokuroria ka vendosur të apelojë këtë vendim, të cilin e quan të padrejtë, duke analizuar argumentet e Gjykatës së Tiranës. Në ankimin që është dërguar në Gjykatën e Apelit, organi i akuzës thotë se argumentet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë janë të pabazuara, sa i takon faktit se Rezarta Shkurta ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Në kërkesën dërguar Gjykatës së Apelit, Prokuroria thotë se pak ditë para ngjarjes, Rozana Radi kishte kryer një operacion në gjoks dhe në këto kushte ajo nuk mund të reagonte e jo më të ushtronte dhunë ndaj ish-mikes së saj, Rezarta Shkurta. “Në vendim, gjykata arsyeton se e pandehura Rezarta Shkurta ka vepruar në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, por ky fakt nuk është i vërtetë, pasi ajo nuk ka pasur asnjë dëmtim. Në rast se Rozana do të kishte qëlluar Rezartën, atëherë ajo do të kishte dëmtime dhe një akt mjekoligjor. Vlen për t’u theksuar se Rozana para disa ditësh kishte bërë operacion. Në këto rrethana, kjo shtetase nuk mund të godiste njeri me grushte, për shkak të gjendjes shëndetësore”, – thuhet në ankimin e bërë nga prokuroria. Më tej në kërkesën drejtuar Gjykatës së Apelit, organi i akuzës thotë se u provua plotësisht para gjykatës se shtetasja Rozana Radi kishte bërë operacion në pjesën e përparme të trupit dhe nuk mund të sulmonte njeri. “Dihet që një person i cili ka bërë operacion, me zor lëviz e jo më të sulmojë. Pra, e thënë me fjalë të tjera, një i sëmurë nuk mund të rrahë”,- vijon prokuroria me argumentet kundër vendimit të gjykatës. Më tej në ankim theksohet se ka qenë Rezarta Shkurta ajo që ka marrë në telefon Rozanën për të dalë nga banesa dhe e ka goditur më pas, fakt i cili provohet nga tabulatet telefonike të Rozana Radit. “Gjykata arsyeton se Rozana Radi ka qenë në gjendje të dehur, kjo bazuar në dëshminë e dy punonjësve të policisë, të cilët deklaruan se Rozana dukej si e dehur. Pyetjes së prokurorit nëse ju e keni verifikuar me tub alkooli këtë fakt, ata iu përgjigjën se nuk kanë bërë verifikimin e Rozanës me tub alkooli, çka do të thotë se Rozana Radi nuk ka qenë e dehur”,- thuhet në ankim. Më tej, prokuroria i referohet dëshmisë së Ermal Hoxhës, bashkëshortit të Rezartës, i cili thotë se ka futur si ndërmjetës këngëtarin Sinan Hoxha që Rozana të falte Rezartën. “Kur është pyetur si dëshmitar shtetasi Ermal Hoxha, ai deklaroi se ka futur Sinan Hoxhën si ndërmjetës me qëllim që Rozana të falte Rezartën dhe ato të pajtoheshin. Me të drejtë lind pyetja, pse një person kërkon të pajtohet, kur ai nuk ka bërë asgjë? Sinan Hoxha, i pyetur në hetimet paraprake deklaroi se i ka thënë Ermali që të pajtonte Rozanën dhe Rezartën, pasi kjo e fundit kishte rrahur Rozanën. Ky dëshmitar nuk u pranua që të merrej si dëshmitar nga gjykata, ndonëse kishte dijeni për ngjarjen e ndodhur. Mosmarrja e kësaj prove përbën një shkak të rëndësishëm për zbardhjen e veprës penale dhe e bën vendimin të cenueshëm”- thuhet në ankimin e prokurorisë. Për këto arsye, prokuroria i kërkon Gjykatës së Apelit të prishë vendimin e shkallës së parë dhe të dënojë me dy muaj burg këngëtaren Rezarta Shkurta. Prokuroria thotë se dënimi me dy muaj burg duhet të konvertohet në 82 orë punë të detyruar në interesin publik.

 

 

Rezarta: Rozanë, do të të hedh në gjyq për prishje imazhi

Qesh mirë kush qesh i fundit. Me këto fjalë e ka komentuar Rezarta Shkurta vendimin e Gjykatës së Tiranës, që i dha pafajësinë pas sherrit me Rozana Radin. Në faqen e saj në Facebook këngëtarja shkuan se do ta hedhë në gjyq Rozanën, duke kërkuar tashmë dëmshpërblim prej saj. “Lajmin po jua jap unë më të freskët seç mund t’jua japin gazetat nesër. Jam e lumtur t’ju njoftoj se për sa i përket akuzave të bëra ndaj meje nga zonjushë Rozana Radi, gjykata sapo dha vendimin e saj, ku më shpall mua të pafajshme. Ndihmesë shumë e madhe për të nxjerrë të vërtetën ka qenë dëshmia e dy policëve në vendngjarje, që kanë deklaruar se Rozana ka qenë e dhunshme dhe në gjendje të droguar. E dashur Rozanë, po ta them publikisht, do të të hedh në gjyq për faktin që u mundove të hedhësh baltë në imazhin tim. Uroj të jesh në gjendje të më paguash dëmshpërblimin”, – shkruan Rezarta Shkurta në Facebook.

 

Për të komentuar rregjistrohuni këtu ose logoni me e-mail e Facebook. Për më shumë informacion lexoni

You must be logged in to post a comment Login