Profili i një neopolitikani servil

Na është thënë shpesh se shpresa e një rimëkëmbjeje shoqërore në vend do të burojë vetëm nga lindja e gjeneratave të reja politike, të cilat, nëse asgjë tjetër, do të sjellin një frymë moderne në politikëbërje. Në këta pak vjet eksperiencë si shtet që kemi, por shumë si shoqëri, s’kam sesi të gjej një copë shpresë në rrjedhën e neopolitizmit kosovar. Të rinjtë e politikës pavarësisht historikut akademik, kulturor e familjar, bëhen të njëjtë me seniorët destruktivë. Pra, në vend të reformimit ata bëjnë zëvendësimin. Madje, tragjedia e ecjes së tyre buron mu në idenë e nevojës për të imituar këta seniorë. Në një moment imitimi i tyre bëhet aq i përsosur saqë njeriu nuk dallon kush është kush. Më pas, po të njëjtit bëhen thithës të të rinjve të tjerë që për model kanë neopolitikanët e transferuar në seniorë.
E vërteta e hidhur është se pa një demokraci partiake, pa një pastrim partiak të vlerave, pa një grumbullim të njerëzve që besojnë në udhëtim e jo në jarani, rimëkëmbja politike e Kosovës do të jetë e pamundur. E pamundësia e rimëkëmbjes derivon mu nga brumi i politikanëve të rinj që ushqejnë qëndrimin e traditës anomalike në vend të kreativitetit, korrektësisë e politikës vizionare. Jo për të bërë ndonjë psikoanalizë amatoreske, por thjesht nga një observim personal, kam përshtypjen se brumi i politikanëve të rinj sot ushqehet nga tri grupe neopolitikanësh: ai “cool”, “oportunist” dhe grupi “pa gjasë”.

Neopolitikanët “cool”
Flasin bukur e shkruajnë bindshëm. Madje flasin edhe ndonjë gjuhë të huaj e që, vënë në peshore me kamikazët e tjerë partiakë, bënë një hop të madh; në fund të fundit ata mund t’i kuptojnë urdhrat nga të huajt për shkuarje apo jo në tualet. I quajnë “politikanë kullera” jo sepse janë të tillë (përkundrazi nuk kanë lidhje me të qenit “cool”; janë tërësisht “anit-cool”), porse në sytë e kushërinjve, miqve, akrabave e dostave të udhëheqësve partiakë ata kanë frekuentuar kafenetë e shehrit vite më herët se ta; të paktën këta dinë në cilën dorë të mbajnë thikën e pirunin. Meqë nuk janë azganë me gjoks, për shkak të ligësisë në sy e mungesës së mrrolave në ballë, ata bëjnë një rend më të holluar sesa kolegët e tyre partiakë para ndërkombëtarëve. Kjo i bën më të dalluar në shkallën e servilitetit e rrjedhimisht më të veçuar në haremin e përbashkët të kryepolitikanëve e ndërkombëtarëve turistë. Të tjerët nga haremi, ani pse kanë gjoks e mrrola, ndiejnë një dozë inferioriteti sa herë që përpiqen me ta.
Kanë një histori të lezetshme të karrierës. Disa të shkolluar jashtë vendit, të tjerë trashëgimtarë nga shoqëria civile e media, të tjerë badihavxhinj dinakë, kanë parë e mësuar prej filmave, muzikës, historisë e kulturës urbane nja dy a tri tregime për politikën e jetën politike. Si “Michael Douglas – wannabes” pushteti u duket i këndshëm e fuqishëm. Seç ka diçka magjepse e tërheqëse në të, seç ka diçka magjike që ngjall një shkëndijë narcizoizmi sa herë vënë veten para pasqyrës. Seç ju kthen burrërinë disi një fuqi e tillë, për t’ua marrë prapë sa herë që piqen me ata lart. Pavarësisht kësaj, politika u jep atë shkëlqimin e ecjes së tyre, respektin që se kishin kurrë më parë (as në shtëpi), vëmendjen e të tjerëve e mundësinë për t’u çlodhur. Puna jashtë politikës megjithatë për ta ishte e lodhshme. Tani një veturë, një shofer, një udhëtim e një shoqërim me kryepolitikanët bëjnë përmbushjen e epshit të tyre politik.

Angazhimi i tyre, megjithatë ka një defekt. Ky defekt nuk buron nga ideja e politizimit të tyre, meqë nuk ka asgjë të keqe me të, por buron nga paqëndrueshmëria e parimeve e principeve të tyre para dhe pas kyçjes. Së pari, vetë kalimi nga apolitizmi në politizëm bën një shkëputje radikale në mendime e shprehje. Mendimet e dhëna pas politizimit janë tmerrësisht të ndryshme prej atyre para-politike. Së dyti, politizimi i tyre i kontrabanduar kryesisht me vota të vjedhura apo me pozita të falura nga pamundësia e vjedhjes së aq shumë votave që nevojiteshin për ta, është më tepër një aktivitet nga çiraku, i një paskrupullsie servile ndaj gjithçkaje e çdo gjëje. Serviliteti i tyre ndaj sponsoruesve seniorë brenda haremit politik është aq masiv e aq i pakursyer saqë shndërrohet në një brutalitet publik politik i mbështetur në pispillosje e përdhunim të karakterit bazik human. Me këtë servilitet humbet çdo integritet i unit, nëse kanë pasur një të tillë.

Sot në politikë ata bëjnë rendin e  parë të ushtarëve mediatikë. Janë të parët që dalin pas çmendurive politike që kolegët inferiorë u bëjnë; janë të vetmit që pranojnë sakrificën e talljes me ta. Jo sepse nuk dinë ndryshe, porse kush bën zhurmë më shumë, kush bie në sy më shumë, kush mundohet më shumë, merr pikë serviliteti më shumë. Si ushtarë të parë, futen ku duhet e ku s’duhet. Jo të bëjnë argumente, as të japin një shembull logjik me fjalën e tyre, por vetëm të bëjnë zhurmë. Pra vërsulja prej servili nuk bëhet duke kundërargumentuar shëndoshë, duke dhënë numra, fakte, mendime e ide alternative, por duke bastardizuar idenë fillestare që kishte ngacmuar shefat lart.
Argumentet nuk zënë vend meqë nuk kanë se si t’i dinë, logjikën nuk e përqafojnë meqë dalin të humbur; zhurma është e tëra çfarë kanë. Me këtë zhurmë, si ushtarë të rendit të parë, ata duhet të reagojnë ndaj çdo shkrimi, ndaj çdo figure, ndaj çdo lajmi e ndaj çdo ideje që në një formë apo tjetrën, me të drejtë apo jo, ka prekur ndonjërin prej kryepolitikanëve të tyre e miqve përreth që megjithatë nga ahmakizmi i madh u prodhojnë probleme. Nuk ka lidhje se si reagojnë, pse reagojnë, e kur reagojnë, me rëndësi për ta është heqja e vëmendjes nga objektivi që ata mbrojnë. Si ushtarë të rendit të parë ata bëjnë rolin e një ndihmësi të matadorit, i cili bart një pelerinë të verdhë sa për të shpërqendruar demin që ndjek të kuqen e matadorit.
E meqë janë xhokerë politikë, pra fusin hundët edhe aty ku tagër s’kanë, flasin pa shumë sens e fyejnë me plot vrer, personaliteti politik i tyre bëhet i padurueshëm, pa stil e i neveritshëm. Janë pa simpati në publik, prandaj dhe pa vota në zgjedhje e pa miq apolitikë. Kjo për ta nuk ka fort rëndësi; shefi si shpërblesë kur nuk kanë vota u jep monedhën e servilizmit: çlodhjen, udhëtimet, fuqinë politike e injorancën ndaj publikut. E për shefin dhe inferiorët e tjerë, reagimet e tyre janë par ekselencë. Për ta, fjalët e përdorura në shkrime e paraqitje publike janë të padëgjueshme, shembujt nga filmat, dokumentarët, historitë antike, stripat e librat modernë janë të padëgjueshëm, të paparë, mbresëlënës e magjikë. Inferiorët s’kanë sesi të mos impresionohen; libri i fundit që ata kanë lexuar është Dituri Natyrore e klasës së shtatë.

Neopolitikanët “oportunistë”
Janë pakurrizorë politikë. Nuk besojnë në asgjë, janë thjesht amorfë. Nuk kanë filozofi politike, nuk kanë qëllim e nuk kanë ide për rrugën që duhet ndjekur. Janë thjesht notues të mirë që dinë t’u përshtaten mjeshtërisht anomalive të tranzicionit shoqëror. Ende pa mbushur një copë përvoje publike modeste, kanë eksperiencë në pothuajse të gjitha partitë politike. Kalojnë nga njëra në tjetrën, për të përfunduar në fund mirë. Se si përfundojnë mirë, nuk e kanë idenë as vetë. E gjitha për çfarë kanë ide është se si të notojnë tutje.
Zakonisht janë pa përvojë pune; madje puna e parë që kanë bërë ndonjëherë është mu politika. Nuk flasin gjuhë të huaj meqë gjatë studimeve nuk ishin edhe aq studiozë, por bënin pjesë në ato grupet e studentëve të përhershëm që angazhimin në unione e organizata studentore e kishin si paraligë politike. Secili prej tyre ka një eksperiencë goxha të mirë institucionale, madje edhe si ministra, e pas të njëjtës eksperiencë janë në gjendje të mbajnë ligjërata me orë për shtetndërtim e institucionalizim. Veçse, problemi i amorfitetit të tyre politik qëndron në faktin se sa ishin pjesë e institucioneve të njëjtit bënin thelbin e dallavereve, hajnisë e të turpit. Kjo ka pak rëndësi për ta; si pakurrizorë politikë fjalët e thëna sot mbysin të djeshmet dhe janë të destinuara për t’u mbytur nesër.
Ata nuk synojnë lart. Duan një mes të rehatshëm, një qetësi, por shumë mundësi në këtë mes e qetësi për të rehatuar gjithë familjen, miqtë e të tjerë nga mëhalla. Të gjendur në këtë mes shpeshherë përfundojnë në librat e hetuesisë, meqë sado të aftë që janë për të notuar, janë “naivë” duke vjedhur ashiqare e duke rënë në sy. E bëjnë këtë meqë duan të marrin sa më shumë që munden për kohën e shkurtër të zhvatjes që kanë. Ata që i shpëtojnë hetuesisë (pavarësisht tregimeve për shtëpi superluksoze me ngrohje për borë, vetura zero-zero – për ta dhe familjet e tyre, tokave të shumta e vilave në Brezovicë) herë pas here bëjnë paraqitje publike me fjalime alamet. Në këto paraqitje ata që janë ende pjesë e sistemit dalin me një stil të qetë e tendencë filozofike (ani pse në thelb fjalimi i tyre është i thatë) për të mbështetur çfarëdolloj akti të pushtetit. Ata që nuk bëjnë pjesë në sistem, pra që janë lënë jashtë e të harruar, i japin dhe më shumë zor, më shumë mund e më shumë vrull në tendencë për të mbrojtur shpeshherë edhe idetë që vetë sistemi i sheh të humbura. Duke rënë në sy kështu, ata përfundojnë diku si anëtarë të bordeve, profesorë në Universitet Publik, apo dhe zëvendësministra në atë listën e pafund të zëvendësministrave. E me një ecje të tillë ata përfundojnë të ricikluar.

Neopolitikanët, “imitues pa gjasë”
Janë imituesit më perfid të seniorëve më jokreativë. Janë mizëri e ardhmërisë politike të vendit. Në të vërtetë janë aq mizëri sa aq s’bëjnë asnjë lloj ardhmërie. Janë të dëgjueshëm ndaj mësimdhënësve universitarë në pafundësi; u shkojnë pas edhe në tualet. Organizohen në grupe studentore jo për të ngritur zërin e tyre, por për të imituar politikanët që shohin në televizor. Adhurimin e masave e kanë në gjak, madje aq naivë që janë saqë në thirrjet e tyre publike nuk kërkojnë mbështetje për ndonjë kauzë, por decidivisht adhurim. Të gjithë duhet të kenë një dozë nacionalizmi, të luftës, flamurit kuqezi e recitimeve nacionaliste, pa kuptuar mirë se nacionalizmi universitar i 1981 e 1998-ës është i përfunduar; filmi si duket u është këputur në protestat e paraluftës. Por meqenëse lëvizjet e fundit studentore i kanë parë vetëm në këto vite dhe meqenëse imitimi është e vetmja gjë që mund të bëjnë, s’kanë se si të dalin ndryshe e më kreativë. Vishen me kostume kurtuazie edhe kur është e diel, duke mos ditur as kur duhet ndalur imitimi, e mbajnë fjalime të lexuara nga një letër me shumë gabime drejtshkrimore në çdo rast kulturor me pak vëmendje; diçka absurde për studentë të dalluar që duhej të ishin.
Bëjnë zgjedhje studentore si politikanë, vishen e flasin si politikanë, madje edhe festojnë si të tillë, me valle e këngë diku në ndonjë ambient pak më të hapur se mendjet e tyre të mbyllura. Pas këtyre zgjedhjeve bëhen të humbur. U kthehen studimeve të stërzgjatura e u kthehen udhëtimeve prapë nacionaliste në Shqipëri nën moton “T’i njohim trojet tona”.
Nuk janë studentë, janë pretendues të politikës së ardhshme. Problemi qëndron në idenë se filmi i tyre i këputur vite më parë nuk prodhon as fijen më të vogël të atraktivitetit as te politikanët seniorë e inferiorë. Për këtë dhe nuk merren seriozisht; për këtë dhe nuk kanë gjasa për top-politikë. Thënë të drejtën, më e mira me çka mund të përfundojnë është si militantë partiakë në një zonë lokale zgjedhore.  -Marrë nga “Koha Ditore”

 

Komentet janë mbyllur