visi baner 5

BSH ul “çmimin” e lekut në minimumin historik, 4%

Banka e Shqipërisë ka ulur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar në 4%, niveli më i ulët historik. Lajmi u bë i ditur nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dje, menjëherë pasi Këshilli i Mbikëqyrjes mori këtë vendim.

Me këtë ulje synohet një qarkullim më i madh i parasë në ekonomi, me interesa më të ulëta për kreditë dhe depozitat. Sipas tij, ulja e prodhimit të energjisë dhe tkurrja e ndërtimit ndikoi negativisht në ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e parë. Ai e vuri theksin në faktin se ka mungesa të stimulit fiskal. “Të ardhurat buxhetore kanë qenë të ulëta, por qeveria ka ulur shpenzimet dhe deficiti është ngushtuar në 2% të PBB-së”, – tha Fullani. Investimet private janë të ulëta, ndërsa individët po kursejnë më shumë. Që nga gushti i vitit të kaluar, BSH ka ulur katër herë normën bazë të interesit dhe ajo aktualisht është 4.25%. Por kjo ulje nuk është reflektuar shumë në koston e parasë, teksa interesat e kredive në lekë kanë mbetur të larta. Fullani tha dje se, ndonëse në një kontekst global gjithnjë e më sfidues, ekonomia shqiptare ka vijuar të ruajë parametrat e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të saj gjatë gjysmës së parë të vitit 2012. Inflacioni i çmimeve të konsumit, treguesit e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, bilanci i pagesave dhe gjendja financiare e sistemit bankar rezultuan të qëndrueshme apo në përmirësim. Në veçanti, sektori financiar i vendit mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i aftë të ushtrojë funksionin e tij të ndërmjetësimit. Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe, ekonomia shqiptare është përballur me disa goditje të ofertës, me lëvizje strukturore në tregjet e brendshme financiare, si dhe me një kërkesë të ngadaltë të brendshme dhe të huaj. Këto zhvillime ndikuan në rënien e PBB-së në tremujorin e parë të vitit dhe njëkohësisht vështirësuan veprimin e politikave stabilizuese mbi kërkesën agregate. Informacioni ekonomik i zotëruar për tremujorin e dytë të vitit është i pjesshëm. Të dhënat e tërthorta të disponuara sinjalizojnë një gjallërim të ngadaltë të ekonomisë në këtë periudhë. Analiza e tyre mbështet vlerësimin për vijimësi të ecurisë së dobët të kërkesës agregate, veçanërisht të asaj të brendshme. Nga ana e prodhimit, pritet që dinamika e shfaqur nga sektorët e ekonomisë në tremujorin e parë të vitit të mbartet edhe në tremujorin e dytë të tij.

 

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur