visi baner 5

Dy atentate me tritol burrit, gjykata: 10 vjet burg gruas dhe të dashurit

Tiranë Një triller dashurie i denjë për skenarë Hollivudi ka përfunduar dje në gjykatë me dënimin e dy protagonistëve. Një vajzë 22 vjeçe dhe i dashuri i saj 27 vjeç do të qëndrojnë 10 vjet në qeli, pasi tentuan dy herë radhazi të vrasin me eksploziv bashkëshortin e vajzës. Klodeta Metkola, 22 vjeçe dhe i dashuri i saj Lulzim Meta, 27 vjeç, u dënuan me nga pesë vjet burg secili për vrasje të mbetur në tentativë dhe shkatërrim të pronës me eksploziv. Në vendimin e trupit gjykues u argumentua se veprimet e tyre janë më shumë mendim kriminal, që kishte si synim të kërcënonte bashkëshortin e Klodetës, në mënyrë që ai të largohej dhe të divorcohej prej saj. Largimi i bashkëshortit të Klodetës nga Shqipëria nuk do të sillte më pengesa në lidhjen e tyre të dashurisë. Trupi gjykues tha se dy të rinjtë nuk kanë pasur si synim kryesor vrasjen e shtetasit E. Lezaj, por kanë dashur ta trembnin atë dhe kjo gjë duket, jo vetëm nga përgjimet, por edhe nga një sërë letrash të vendosura në derën e shtëpisë së bashkëshortit të Klodetës, ku ai urdhërohej të largohej nga Shqipëria. Dy të rinjtë kanë shfaqur pendesë gjatë gjykimit dhe kanë deklaruar shpesh se synimi i tyre ishte vetëm të trembnin bashkëshortin e 22-vjeçares, e martuar me shkuesi me shtetasin E.Lezaj. Historia e pazakontë nisi të zbulohej pak nga pak pas episodit të parë mes çiftit të të rinjve dhe bashkëshortit të 22-vjeçares. Në datën 28 janar 2010, rreth orës 12:00, në rrugën e Durrësit, brenda në furgonin e shtetasit E. Lezaj është gjetur një sasi lënde eksplozive, e cila nuk ka shpërthyer. Vetëm disa ditë më vonë, në datën 21 shkurt 2010, rreth orës 18:30, në banesën e shtetasit E. Lezaj, bashkëshorti i Klodetës ka shpërthyer një sasi të konsiderueshme eksplozivi, e cila shkaktoi dëme të shumta materiale, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Lënda eksplozive ka shpërthyer në momentin që Lezaj ka ngritur automatin e energjisë elektrike, pasi kishte konstatuar se apartamenti i tij nuk kishte energji. Për të dyja këto raste ekspertiza ka treguar se lloji dhe sasia e lëndës plasëse është e ngjashme (tritol), në sasi rreth 500 gramë secila. Pas hetimeve të policisë dhe prokurorisë u arrit të zbulohej se autorët e vendosjes së eksplozivit në banesën dhe furgonin e shtetasit E. Lezaj ishin bashkëshortja e tij Klodeta Metkola dhe i dashuri i saj Lulzim Meta, të cilët kishin lidhje intime mes tyre. Lezaj dhe Klodeta bashkëjetonin pas dasmës tradicionale midis familjeve, e cila erdhi pas një lidhjeje me shkesi. Kjo martesë ka pasur probleme të shumta në marrëdhëniet midis tyre. Klodeta Metkola kishte filluar një lidhje intime jashtëmartesore prej disa vitesh me shtetasin Lulzim Meta dhe dyshohej se së bashku me të ishin autorët e dy ngjarjeve dhe disa kërcënimeve në adresë të bashkëshorti të Klodetës. Zbulimi i historisë së dashurisë u bë në datën 30 mars 2010, kur Lulzim Meta dhe Klodeta Metkola janë shoqëruar në ambientet e drejtorisë së policisë, ku pranuan se kanë qenë ata personat që kanë vendosur lëndën plasëse në furgonin dhe banesën e E. Lezajt. Të rinjtë kanë deklaruar se për shkak se kontradiktat midis shtetasve E. Lezaj dhe Klodeta Metkola kanë qenë të vazhdueshme, e pandehura Klodeta së bashku me të pandehurin Meta kanë vendosur që të bënin diçka kundër bashkëshortit të Klodetës, me qëllim që ai të ikte nga Shqipëria dhe të ndahej nga ajo. Pas përfundimit të hetimeve dosja ndaj tyre është dërguar në Gjykatën e Tiranës më 17 dhjetor të vitit të shkuar. Pas 6 muajsh proces gjyqësor, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Hoxha shpalli fajtorë të pandehurit duke i dënuar me nga 5 vjet burg.

 

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur