Dyshimet për atësinë, babai hedh foshnjën nga dritarja e maternitetit

Tiranë Një foshnje e lindur tri ditë më parë është hedhur nga i ati prej katit të katërt të maternitetit “Kiço Gliozheni”. Ngjarja tronditëse ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00, në një nga dhomat e katit të katërt të maternitetit, ku ndodhej e shtruar prej tri ditësh bashkëshortja e Hysen Bibës. Ky i fundit, me origjinë nga Kukësi dhe banor prej disa vitesh në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë, në rrethana ende të paqarta ka marrë foshnjën dhe e ka hedhur nga dritarja. Burime të policisë pohuan se i sapolinduri është përplasur me tarracën e katit të dytë, ku edhe ka pësuar dëmtime të shumta. Ngjarja është parë nga persona që ndodheshin pranë maternitetit, të cilët kanë lajmëruar policinë. Burimet sqaruan se pas ngjarjes, Hysen Biba është larguar me shpejtësi nga materniteti në drejtim të Shkozës, ku edhe dyshohet se është fshehur. Pas ngjarjes së rëndë, foshnja i seksit mashkull është dërguar në reanimacion, por mjekët nuk japin shpresa për mbijetesën e tij. Është marrë dëshmia e nënës, e cila ka pohuar se i shoqi vuante nga depresioni, çka edhe dyshohet se është shkaku i ngjarjes së rëndë që shkaktoi panik mes nënave të reja në maternitetin “Kiço Gliozheni” në Tiranë.  Gjatë orëve të mbrëmjes policia e Tiranës ka ngritur postblloqe të shumta dhe kontrolle në zonën e Shkozës, ku dyshohet se fshihet babai që hodhi nga dritarja foshnjën 3-ditëshe. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ishte bërë i mundur arrestimi i Hysen Bibës.

Komentet janë mbyllur