visi baner 5

Flet Ismail Kadare: Gjyqi me Nexhmijen, një mesazh nga regjimi i përmbysur

Ka pasur zhurmë në shtyp rreth dorëshkrimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe” qyshkur Ismail Kadare vendosi të ngrinte një aktpadi ndaj Nexhmije Hoxhës. Kaq u desh që të rikthehej edhe një herë vëmendja tek  “Dosja K”. Me këtë pretekst u rihapën edhe një herë dosjet, u gërmua në arkiva, nisi gjithashtu një fushatë shkrimesh kundër e pro shkrimtarit, anipse ai kërkonte të rimerrte atë që me të drejtë i takon vetëm autorit: dorëshkrimin e romanit të tij. Saga 15-vjeçare e kërkesave për rikthimin e atij dorëshkrimi u mbyll pak ditë më parë. Me hir apo me pahir, Nexhmije Hoxha e dorëzoi dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” në Arkivin e Shtetit. Për çdokënd kjo mund të quhet betejë e fituar, ndërkohë që “lufta” për të rimarrë dorëshkrimin do të zhvillohet në sallën e gjyqit. Por Ismail Kadare, thjesht ndjehet më i qetë tani që dorëshkrimi është siguruar në Arkiv. Të qetë e në pritje sesi do të procedojë gjyqi, e gjetëm shkrimtarin në vilën e tij në Malin e Robit. Një nga qëllimet e këtij takimi ishte një intervistë me të. “Nuk e kuptoj këtë ngut të shtypit”, – më thotë jo pa nerv Kadareja. Si e zënë në faj i përgjigjem: “Presioni është shumë i madh zoti Kadare, interesi i publikut gjithashtu”. “E kuptoj, – më thotë, – por prapë kjo nuk e justifikon ngutjen që ka ndonjëherë shtypi shqiptar”. Është ora 18:30 dhe jemi ulur në ballkon. Çifti Kadare është ulur me fytyrë nga deti që dukshëm dallon tutje kopshtit dhe një brezi me pisha. Helena si zonjë shtëpie sjell një kafe për mua dhe pa e pyetur, një çaj të ngrohtë për Kadarenë. Bisedojmë për gjithçka, e ndonjë moment biseda shkon edhe te dorëshkrimi, ndërkohë që unë ende nuk e kam marrë guximin t’i them se qëllimi i vizitës është edhe një intervistë, pikërisht për…dorëshkrimin. Ai do të kishte dashur të mos bëhej gjithë kjo zhurmë, të paktën deri në përfundimin e gjyqit. Por siç thotë dhe vetë, nuk varej prej tij. Ismail Kadareja pranon, vetëm pas disa vajte-ardhjesh Tiranë-Durrës, të na japë intervistën e parë pas gjithë amullisë që rrethoi “javën e dorëshkrimit”, ku rrëfen mundimin e 15 viteve për të rimarrë atë që i takonte dhe për të shpjeguar arsyet se përse Nexhmija Hoxha vazhdon të këmbëngulë deri në arrogancë për “pronësinë” e saj ndaj dorëshkrimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”.

 

Ka pasur zhurmë në shtyp rreth dorëshkrimit të romanit tuaj “Dimri i vetmisë së madhe”… Ju nuk jeni prononcuar, me gjithë interesin e madh…

Jam në dijeni të zhurmës. Do të doja të mos ndodhte, por kjo nuk varej nga unë. Çështje të tilla shpesh krijojnë pakënaqësi në opinion. Dihen reagimet: kemi probleme të tjera, nuk është koha, tërhiqet vëmendja etj., etj. Në këtë rast është thënë, për shembull, pse kaq vonë? Në të vërtetë, historia është e vjetër, mbi 15 vite.

Para pak kohe, Gjykata e Tiranës vendosi që, në pritje të vendimit përfundimtar, të sekuestrojë dorëshkrimin, për ta depozituar në një institucion të tretë, të pavarur, siç është Arkivi Qendror Shtetëror. Si e pritët këtë vendim dhe ç’mendoni për reagimin e palës tjetër?

Mendoj se ka qenë vendimi i duhur. Pikërisht kjo ka qenë edhe kërkesa e parë e avokatëve të mi. Ky akt, në dukje i thjeshtë, përcakton thelbin e çështjes: Nëpërmjet Zyrës së Përmbarimit, çka do të thotë nëpërmjet forcës së ligjit, thënë ndryshe me hir ose me pahir, pala e paditur detyrohet të dorëzojë dorëshkrimin. Reagimin e zonjës Hoxha e kam marrë vesh prej shtypit. Më është dukur gjithsesi i çuditshëm. Duke mos e pranuar këtë formë detyrimi, ajo deklaron gatishmërinë ta japë, madje “ta dhurojë” ajo vetë dorëshkrimin. Në këtë rast, ajo shkon edhe më tej, duke kujtuar se mund të vendosë kushte. Sipas saj, dorëshkrimi duhet t’i dorëzohet Arkivit të Shtetit, por kurrsesi autorit, njeriut që rresht pas rreshti e ka krijuar veprën.

Është interesante të vihet re ky refleks i vjetër i regjimit të përmbysur ndaj shkrimtarëve, sidomos shkrimtarëve të njohur. Në rastin për të cilin po flasim, shkrimtari jo vetëm ndahet nga vepra, por gati-gati përftohet si armik i dorëshkrimit të vet! Një përftim i tillë ka gjasë të ketë krijuar te zonja Hoxha iluzionin se ajo mund të bëhet pronare e dorëshkrimit të një romani, që nuk e ka shkruar vetë. Një gjë e paparë gjer më sot në këtë botë!

Përpara se t’i rikthehemi procesit gjyqësor: Sa i rëndësishëm është një dorëshkrim për shkrimtarin?

Një dorëshkrim (kam parasysh, një origjinal i shkruar nga dora e autorit, siç e tregon fjala) është gjithmonë i rëndësishëm. Shkalla e rëndësisë dhe e vlerës varet nga statusi që zë letërsia në jetën e një kombi, dhe sidomos nga statusi i vetë shkrimtarit. Me hyrjen e teknikave moderne të shkrimit, dorëshkrimet e mirëfillta sa vjen dhe rrallohen, rrjedhimisht vlera e tyre rritet çdo vit.

Vlera e një dorëshkrimi është në radhë të parë, morale, sidomos për autorin, por edhe studimore për të tjerët. Nga një dorëshkrim, përveç tekstit, ekspertët mund të zhbirojnë gjendjen emotive të autorit në çastet e shkrimit, trysnitë që veprojnë mbi të, pakënaqësitë, dyshimet etj. Dhe kjo nuk është kaq e fshehtë sa ç’mund të duket. Nganjëherë gjithçka del në sipërfaqe të tekstit. Po përpiqem ta shpjegoj, ndonëse nuk është e lehtë: falë procesit të shkrimit, është e natyrshme që shkrimtarët të ndryshojnë fjalë e fraza të tëra, për t’i zëvendësuar aty për aty me të tjera. Mbi tekstin e prishur vihet zakonisht një vizë dhe puna vazhdon. Janë pikërisht këto fjalë ose fraza të shuara, që shpesh mund të jenë një minierë për studiuesit. Në to mund të jetë fshehur kujdesi i shkrimtarit që diçka të mos dalë hapur në dritë, që të formulohet ndryshe, më butë ose më ashpër, që të jetë më e qartë ose qëllimisht më e errët.

Kjo ndodh sidomos në vepra delikate, siç ka qenë “Dimri i vetmisë së madhe”. Në një tekst rreth 1400 faqe, janë qindra fraza të shuara, pra një vepër e tërë e ndryrë brenda veprës. Për të qenë i qartë, dua të shtoj se zakonisht procesi ka shtysë artistike. Në raste të veçanta, riformulimi është bërë për shmangie keqkuptimesh, dhe rrallë, tepër rrallë për të maskuar fraza subversive. Nuk e kam pasur zakon një gjë të tillë. Vetë niveli serioz artistik, shpesh tingëllon si subversiv.

A ka ndonjë moment artistik apo historik që e bën posaçërisht të vlefshëm këtë dorëshkrim? Ndonjë shembull konkret…

Shembujt janë të shumtë. Po sjell vetëm njërin, të kapur rastësisht gjatë shfletimit të fotokopjes. Ndodhet në pjesën e dytë të romanit, faqe 172 (botimi i parë). Teksti është tejet delikat, ngaqë jepet një portret i shefit të komunistëve shqiptarë, Hoxhës, sipas perceptimit të shefit sovjetik, Hrushovit. Pra, një vizion aspak miqësor, përkundrazi. Ja teksti në librin e botuar. “Tani folësi do të përmendë tridhjetë asprat e Judës, mendoi Hrushovi. Kryqi, toka e Judesë, Golgothaja… po gjallëroheshin prapë në trurin e tij. Ai vështroi me bisht të syrit shqiptarët. Enver Hoxha ishte mbështetur te shpina e karriges. Pas gjithë këtij rrebeshi ai do të gjunjëzohet, mendoi Hrushovi. Nuk i kujtohej mirë përfundimi i Judës në Bibël. Ndoshta do të më duhet të tregoj mëshirë për të, mendoi përsëri.”

Siç e shihni, teksti nuk është aspak në stilin socialist. Krahasimi me Judën, qoftë edhe në një vizion armiqësor, tingëllonte i pazakonshëm për lexuesin. E aq më tepër profecia e gjunjëzimit të Hoxhës. Për çudi, teksti ka kaluar. Kurse në dorëshkrimin origjinal ka një ndryshim. Ai ndodhet te fraza më delikate: “Pas këtij rrebeshi ai do të gjunjëzohet”. Në versionin fillestar fraza është edhe më befasuese: “Pas këtij rrebeshi ai mund të vrasë veten”. Janë shuar, pra, tri fjalët e fundit, që, me sa duket, do të më jenë dukur si një pakujdesi e tepruar, dhe janë zëvendësuar nga “ai do të gjunjëzohet”.

Fraza ose paragrafë të ndryshuar janë me qindra, por dëshiroj të ritheksoj shtysën artistike për shumicën e tyre.

A nuk i sjell edhe fotokopja që zonja Hoxha thatë se ka dorëzuar një vit më parë në Arkiv?

Natyrisht që fotokopjimi i pasqyron ndryshimet. Por përshtypja ime është se fotokopjimi ka pakujdesi. Fakti që në dosjen e dorëzuar ka me dhjetëra faqe të daktilografuara që s’kanë asnjë lidhje me dorëshkrimin fillestar, por me ribotimet e mëvonshme, ma ka krijuar këtë përshtypje.

Cili është raporti në tërësi i një shkrimtari, sidomos në komunizëm, me dorëshkrimet, sepse dihen tashmë frika, kontrollet, censura etj. Dimë fatin e dorëshkrimeve tuaja të sekuestruara pas ikjes suaj, por edhe të dorëshkrimeve të kaluara nëpërmjet botuesit tuaj francez, me emra të rremë (shkrimtari gjerman Lenz)…

Natyrisht ka një lidhje tepër të veçantë, disa herë dramatike, sidomos në regjime të ashpra. Dihen rastet e dorëshkrimeve të shkrimtarëve të burgosur. Ankthi për t’i fshehur, për t’i nxjerrë jashtë burgut.

Në regjimet totalitare, dorëshkrimet kanë qenë shpesh burim fatkeqësish. Është një kronikë e gjatë: bastisje, akuza, spiunime. Por edhe kur nuk ka pasur të tilla, në një jetë, ta zëmë, më të qetë, dorëshkrimet, sidomos ato të pabotuarat, rrezatonin vetvetiu një hije dyshimi në sytë e autoriteteve. E bashkë me dyshimin ishte padurimi për të marrë vesh çfarë ishte shkruar.

Besoj se hyj në radhët e shkrimtarëve që, pa pasur një histori idilike me dorëshkrimet, nuk mund të them se ajo ka qenë dramatike, si rastet që fola më lart. Incidenti më i rëndë ka qenë bastisja e vitit 1990 dhe sekuestrimi i plotë i gjithçkaje. Për fat të mirë, pas dy vjet varavingosh, nga Ministria e Brendshme në hetuesi, së fundi në Arkiv të Shtetit, dorëshkrimet, me sa duket, nuk janë dëmtuar.

Nuk jam ndonjë maniak dorëshkrimesh, por as model i shpërfilljes ndaj tyre. Më kanë humbur disa pak dorëshkrime, për të cilat nuk kam fajësuar askënd. Lidhur me dorëshkrimin e “Përbindëshit”, që e ka përmendur shtypi, ia kam dhënë unë vetë, për ruajtje, mikut tim të hershëm, Gjergj Vlashit, të cilin përfitoj nga ky rast për ta falënderuar publikisht.

Pyetja e parë që duhej bërë është, pse Nexhmije Hoxha kërkonte ta mbante dorëshkrimin?

Po përpiqem të përgjigjem shkurt dhe saktë. Së pari, historia e kërkimit të dorëshkrimit është e vjetër dhe shtypi diçka ka sqaruar për këtë. Historia nis me një kërkesë të zonjës Hoxha për ruajtjen provizorisht të dorëshkrimit të romanit në Arkivin ku ajo ishte drejtoreshë. Shkaku: kushtet jo të përshtatshme të ruajtjes së tij në një banesë të ngushtë, siç ishte ajo e imja (rreth 40 metra katrorë), rreziku i dëmtimit nga ndonjë përmbytje apartamentesh (tepër e shpeshtë në atë kohë).

S’ka pasur as më të voglin presion nga ajo vetë dhe nga askush. Kam pranuar ta jap dorëshkrimin, pa më shkuar asnjëherë ndër mend se kjo mund të ishte një “dhuratë”. (Po shtoj këtu se në traditën botërore nuk njihet, me sa di unë, ndonjë rast dhurimi i një dorëshkrimi).

Me sa duket, znj. Hoxha ka një koncept disi ndryshe për këtë. Më lejoni t’ju kujtoj se topiku “dhuratë” në socializëm përdorej në mënyrën më befasuese. Shprehjet “partia i bëri dhuratë popullit këtë apo atë gjë” ishin të zakonshme. Kështu, quheshin dhurata të partisë hidrocentralet, akademitë, stadiumet, fermat e lopëve etj. Se ku i gjente partia këto dhurata, kjo nuk sqarohej.

Thelbi i konfliktit për të cilin një gjykatë shqiptare duhet të japë një vendim është: kujt i përket ky dorëshkrim: autorit apo ish-drejtoreshës së Arkivit. Kjo e fundit i ka bërë një favor autorit, duke e lejuar të shfletojë një nga dosjet më sekrete të Arkivit: grindjen shqiptaro-sovjetike. Kjo është e vërtetë dhe për këtë, me sa duket, asaj i ngjan e natyrshme që autori t’i jetë mirënjohës. Dhe kjo është e drejtë e saj. Pyetja shtrohet në se sinqerisht ajo beson se ka marrë një dhuratë? Pikërisht këtë, besoj se gjykata do t’i kërkojë ta vërtetojë. Gjer tani është fjala e autorit kundër fjalës së drejtoreshës. Ajo që vërteton një dhuratë është “akti i dhurimit”. Ju siguroj se një akt i tillë jo vetëm nuk ekziston, por ai s’ka ekzistuar kurrë as si ide.

Cili ka qenë pakti për shfrytëzimin e Arkivit ku ju shfletuat dosjen për “Dimrin…”?

Ka pasur një historik ky bashkëpunim, që mendoj se ka qenë krejtësisht jo tipik, pra i pazakonshëm. Ishte fjala për një marrëveshje, një lloj pakti midis meje dhe drejtoreshës së Arkivit, natyrisht me dijeni të shefave të tjerë. Pakti ishte i thjeshtë dhe i qartë: E para, do të shfletoja dosjen sekrete. E dyta, do të merrja shënime, me kusht që të mos i riprodhoja, dhe në fund t’ia ktheja Arkivit. E treta, faqet e romanit që do të kishin lidhje me dosjen, isha i detyruar t’ia tregoja Arkivit, para se t’i çoja në botim.

Iu jam përmbajtur me korrektesë këtyre pikave. S’kam pasur ndërhyrje nga askush për asgjë. Askush nuk e dinte ç’kam shkruar. Kam dorëzuar shënimet. Kam dorëzuar faqet e romanit që kishin lidhje me dosjen (rreth 40-45 të tilla). Sipas “paktit”, nëse s’do të kishte përgjigje negative brenda njëfarë afati javor ose dyjavor, do ta dorëzoja romanin në shtëpinë botuese.

Përgjigje nuk pati nga askush. Shtëpia botuese nuk bëri asnjë vërejtje për asgjë. Ishte e para herë që kjo ndodhte me një vepër letrare në Shqipëri. Romani doli në qarkullim i rrethuar nga një shurdhim dhe nga një atmosferë pothuajse misterioze. Një pëshpërimë e keqe kundër tij u ndie qysh në ditën e dytë ose të tretë. Ishte e pakuptueshme. Tirazhi prej 25 ose 30 mijë kopjesh, nuk më kujtohet saktë, u mbarua ditën e dytë. S’do të kalonte veçse pak kohë që një fushatë e pazakonshme të shpërthente kundër romanit. Ndër qendrat kryesore që nxisnin fushatën ishte Ministria e Brendshme, KQ i Rinisë dhe vetë aparati i KQ-së (ku bënte pjesë Instituti i Marksizëm-Leninizmit) bashkë me Arkivin!

Nuk kuptoja asgjë. Madje, as sot nuk e kam të qartë plotësisht ç’ka ndodhur.

A ka një kushtim (autograf) në dorëshkrim, që ndoshta e bën znj. Hoxha ta shohë veten si “pronare” të tij?

Nuk e kam të lehtë të vihem në vend të saj për t’iu përgjigjur pyetjes suaj. Ajo ka përmendur disa herë fjalën “mirënjohje”, që isha i detyruar të kisha ndaj saj. Do të ishte një gjë normale që t’i shprehja mirënjohjen drejtoreshës së Arkivit për dosjen e dokumenteve. Por ky s’është argument për të përvetësuar një dorëshkrim.

Sa për autografet (dedikimet në libra), ajo e ka përmendur një të tillë në një intervistë me gazetarë të huaj, si provë të marrëdhënieve të ngushta a të veçanta me autorin. Me sa duket, ashtu si në rastin e “dhuratave të partisë”, zonja Hoxha ka një koncept jo fort të saktë për autografet (dedikimet) e autorëve. Pa i futur të gjitha në të njëjtën kategori, mund të thuhet se shumica dërrmuese e tyre, bashkë me formulat “kujtim nga autori”, “në shenjë miqësie” etj., s’vërtetojnë ndonjë gjë dhe s’mund të jenë argument për asgjë.

Për t’ju treguar një kuriozitet, për të cilin kam përshtypjen se ka folur kalimthi edhe shtypi ynë, kur njërit prej vrasësve më të bujshëm të Francës, gjatë arrestimit iu gjet në çantën e shpinës një libri im. E si të mos mjaftonte kjo, gjatë një interviste në burg, kur tha, midis të tjerash, se I. K. ishte shkrimtari i preferuar i tij, askujt nuk i shkoi ndër mend të bënte qoftë edhe aluzionin më të vogël, të llojit: shkrimtar ballkanas, s’është ndonjë çudi që pëlqehet nga vrasësit ose, më keq, t’i frymëzojë ata.

Së fundmi, si e shpjegoni qëndrimin e zonjës Hoxha, si dhe një lloj arrogance të saj në këtë proces gjyqësor?

Mendoj se shpjegimi duhet kërkuar në faktin se zonja Hoxha ndihet e mbrojtur. Avokati i saj, duke thënë se “ky është një gjyq principesh”, ka dhënë, pa dashur, njëfarë shpjegimi.

Rendi i përmbysur nuk pranon se është thyer. Në këtë “gjyq principesh”, që në njëfarë mënyre është një test, një sprovë force, ai regjim kërkon të japë mesazhin se është ende i fortë. Me fjalë të tjera, të pohojë: Ne jemi këtu. Ashtu si më parë.

Është lehtë të thuash se ky është donkishotizëm. Mendoj se është një e keqe më e thellë. Regjimit të përmbysur, përfaqësuesve të tij, iu dalin befas ca aleatë të papritur, aty ku nuk të shkon mendja. Për shembull, gjatë “javës së dorëshkrimit”, nëse më lejohet ta quaj kështu, ca gjysmë letrarë, gjysmë informatorë, të afishuar gjer më sot si antikomunistë të tërbuar, me sulmet që shpërthyen në shtyp kundër shkrimtarit, u renditën praktikisht në krah të zonjës Hoxha.

Ka vite që flitet për afërsinë fashisto-komuniste, dhe ky është një rast i dëshmimit të saj. Që rendi i përmbysur ndihet i fortë, ky është vërtetimi i hidhur se Shqipëria ndihet ose është e dobët.

Dhe kjo s’ka pse të na duket e papritur. Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europë që ende nuk pranon të hapë arkivat e fshehtë, të dënojë krimet e të ndahet nga pjesa më e errët e ndërgjegjes së saj. Kjo është për t’u trishtuar, por më shumë akoma, për t’u shqetësuar.

Krijohet bindja se në gropën e arkivave dhe të dosjeve të fshehta lejohen të zbresin njerëz si ata që u përmendën më lart, që shërbejnë jo për të zbuluar krimet, por për t’i mbuluar më fort ato.

Mbrojtësit e së keqes shpresojnë në dredhinë e tyre të zakonshme: transferimin e krimit. Por krimet e një epoke si ajo që u përmbys, nuk janë pupla të lehta që mund të zhvendosen dinakërisht nga zyrat e hetuesisë, burgjet, qelitë e torturave e fushat e internimit, në ca vjershurina e tekste të nxjerra nga makina e propagandës zyrtare, rrjedhimisht të pabesueshme për sa i përket autenticitetit.

Letërsia dhe artet kanë përgjegjësinë e tyre, por në fund të fundit, ato janë publike dhe, si të tilla, lehtësisht të gjykueshme. Të fshehta janë tmerret e fshehura, në radhë të parë armata e informatorëve, atyre që i çuan kolegët e tyre në tortura dhe mort. E pikërisht këta vazhdojnë të jenë të mbrojtur, për të mos thënë të çmuar.

Kurtizanët e sotëm fashisto-komunistë kujtojnë se mund ta kenë të lehtë goditjen e shkrimtarëve të njohur. Harrojnë se këta të fundit dinë të jenë të ashpër gjithashtu dhe mund t’iu kthehen. Shumë vite më parë, Heine, duke i paralajmëruar detraktorët e vet, iu kujtoi se mund të shpëtonin nga burgjet ose veglat e torturës, por po të binin ndonjë ditë brenda tercinave të Dantes, për një mijë vjet nuk dilnin dot më.

Reklama-Eagle

8 Përgjigjet për "Flet Ismail Kadare: Gjyqi me Nexhmijen, një mesazh nga regjimi i përmbysur"

  1. deshperimi  31/07/2012 në 12:41 pm

    Eh mor Kadare shum bukur i thua dhe godet pikerisht ne ate plag te mbushur me qelb klyshesh paraardhesish !Shum vjet akoma ky popull do ndjej “gudulisjen” e ksaj klase te re qe diti te “hipnotizoj” e te paralizoj cdo deshir e krenari qe mund te zgjohet nga nje gjum 50 vjecar dhune ,shtypje ,e torturash te pa shembellta !Nuk ke fituar asgje kur mbi kok vazhdon te lodroj hija e pasardhesve qe ariten dhe vazhdojn te fshehin fytyren e vertet por edhe kur dikush mer guximin te deshmoj behet “qesharak”e i pabesushem se ky popull akoma nuk ka gjetur vetveten…akoma shpreson qe ta shpetoj Zoti………

  2. teuta  31/07/2012 në 3:19 pm

    Z.I.Kadare,me sa dime:Ju keni patur (ndoshta edhe e keni)dokumenin e antaresise te PP.
    Si e keni marr, si dhurate,u kane detyruar per ta mbajtur,apo jeni lutur dhe jeni betuar se do luftoni per idet komunste?
    JU ISH KOMUNIST, QAHENI NGA KOMUNISTET,POR NE ,QE JO VETEM NUK KEMI QENE KOMUNIST,POR EDHE NUK NA PRANONIT.
    lUTEM MUND TE NA TREGONI KUNDER KUJT TE QAHEMI?

  3. Edmond  31/07/2012 në 5:07 pm

    “Vlera e një dorëshkrimi është në radhë të parë, morale, sidomos për autorin, por edhe studimore për të tjerët. Nga një dorëshkrim, përveç tekstit, ekspertët mund të zhbirojnë gjendjen emotive të autorit në çastet e shkrimit, trysnitë që veprojnë mbi të, pakënaqësitë, dyshimet etj. Dhe kjo nuk është kaq e fshehtë sa ç’mund të duket. Nganjëherë gjithçka del në sipërfaqe të tekstit. Po përpiqem ta shpjegoj, ndonëse nuk është e lehtë: falë procesit të shkrimit, është e natyrshme që shkrimtarët të ndryshojnë fjalë e fraza të tëra, për t’i zëvendësuar aty për aty me të tjera. Mbi tekstin e prishur vihet zakonisht një vizë dhe puna vazhdon. Janë pikërisht këto fjalë ose fraza të shuara, që shpesh mund të jenë një minierë për studiuesit. Në to mund të jetë fshehur kujdesi i shkrimtarit që diçka të mos dalë hapur në dritë, që të formulohet ndryshe, më butë ose më ashpër, që të jetë më e qartë ose qëllimisht më e errët”.

    Nese gjithe kjo thenie e Kadarese ka dale vertet nga shpirti i tij, besoj se ashtu si per doreshkrimin e romanit ne fjale, ai vlereson dhe gjithe doreshkrimet e tjera, te cilat perbejne po sipas tij, po edhe te vertetes, vlera morale per autorin dhe per studjuesit. Plotesisht dakort me kete thenie te Kadarese. Besoj qe Kadareja disponon edhe ato doreshkrime te tjera te krijimtarise, jo vetem ne proze, por edhe ne vargje, jo vetem ne krijimtari artistike, por edhe ne analiza, diskutime e shkrime fjalimore, per artin e letersine e realizmit socialsit, qendrimin e reagimin e tij ndaj shkrimtareve te ashtuquajtur reaksionare e armiq nga regjimi hoxhist, si Fishta me shoke, qendrimin ndaj artit borgjezo-revizionist, fese, ideologjise se huaj, etj, etj, etj. Te gjitha keto doreshkrime perbejne sigurisht edhe ato, vlera morale per Kadarene dhe studjuesit e vepres se tij. Pra theksoj qe Kadareja, si nje talent i madh i penes letrare, duhet te plotesoje pa dorashka e anashkalime, gjithe vlerat e tij morale permes doreshkrimeve te shumta, c’ka ploteson me realisht dhe biografine e jetes se tij. Kesaj une i them kurajo qytetare, kurajo morale, kurajo krijuesi, kurajo njeriu qe ben katharsisin e vetes dhe del perballe publikut ashtu sic ka qene, me te mirat e te metat e tij, me virtutet e veset, me oshilacionet e karakterit e personalitetit, pra me gjithe kompleksin e njeriut e shkrimtarit te vertete, ashtu sic ka qene dhe jo ashtu sic deshiron sot te kete qene dikur. Vetem keshtu ai do kishte lartesuar me shume veten, e jo nisur nga talenti e njohja neper bote e krijimtarise se tij, t’i rikrijoje vetes nje biografi tjeterlloj nga e verteta, bile krej te kundert me te verteten, aq sa nuk thote haptazi qe ka qene nje disident ne ate regjim. Nese ai paska patur probleme e shqetesime, frike e me the te thashe ne ate kohe, kjo gjendje ka qene per gjithe popullin shqiptar, por ai si personalitet duhet te dije nje gje, qe vepra e tij krijuese ne ate regjim, ne te shumten e saj ka qene propaganda me hipnotizuese e bindese per popullin per dashurine ndaj sistemit, udheheqesit dhe PPSH-se, me shume se cdo propagande direkte e Partise. Lidhja e Shkrimtareve e Artisteve te Shqiperise ka qene vertet kompesuesja me e madhe e propagandes se sistemit per te mirat e atij sistemi e askush sot nga ajo Lidhje s’umnd te dale e te na beje te kundertin, deri ne disidentin ndaj atij sistemi e regjimi. C’ka linte manget ne propagande Partia e plotesonte mjaft bukur letrarisht kjo Lidhje, permes penave te saj letrare, ku pena e Kadarese jo vetem nuk bente perjashtim, por perkundrazi, na bente ne lexuesve me entusiazte per ate regjim.

  4. me ka çu nona me la gojen  01/08/2012 në 12:26 am

    Z.Kadare juridkisht nuk ke te drejte.Te isha avokat i Zj.Nexhmije Hoxha do te mbrohesha keshtu:
    Muzete e botes jane plot me vepra te autoreve nga me te ndryshmit te cilat jane mbledhur dhe ruajtur nga mecenatet e tyre, dhe kane qene dhe jane prone e mecenateve apo e familjeve te tyre
    Zj.Nexhmije Hoxha eshte mecenate e ketij doreshkrimi juve ju ka dhene “gurin” qe ta skalitnit vepren, dmth materialet e dosjes sekrete shqiptaro-sovjetike te cilat ju i kthyet ne mitin e pavdekshem te Enver Hoxhes
    Per kete u paguat sipas shperblimeve qe ekzistonin ne ate kohe per autoret e veprave letrare.
    Vepra e juaj u botua dhe u shit dy here, si ne variantin e pare qe ju thoni qe nuk u pelqye dhe ne ate te dytin qe ishte vepra me e studiuar ne letersine e shkollave tona.
    Babai im i ka blere dhe une i ruaj te dy romanet si Dimrin e Vetmise se Madhe si Dimri i madh.
    Dmth ju e botuat vepren qe doli nga “guri” i dosjes sekrete, ju u paguat me para por edhe me lavdi u bete i perjetshem si shkrimtari me i madh i realizmit socialist ne Shqiperi.Cdoni me shume z.Kadare.Mendoni se ne kohe te regjimit ju mbanin per shkrimtar te madh se kishit shkruar Uren me tri Harqe ?Jo z.Kadare e keni gabim
    Tani Ju nuk doni vetem kete por doni te fitoni ne gjyq kunder mecenates tuaj se atehere si duket nuk keni qene dakor me shperblimin, per vepren tuaj.
    Ju nuk jeni dakort me parate qe keni marre, me shperblimin qe jeni bere i perjetshem si shkrimtar i realizmit socialist tani ndoshta ju doni nje shperblim tjeter
    Tani ndoshta ju doni te shperbleheni me Nobel dhe kerkoni ne rreshtat e doreshkrimit ndarjen e atereshme midis jush dhe rregjimit dhe pageses se vjeter: realizmit socialist.
    Kete pagese z.Kadare nuk e ka ne dore zj.Nexhmije Hoxha mecenatja e juaj edhe sikur ajo te humbase gjyqin, kaq gje besoj se e kuptoni
    Me vjen keq per ju z.Kadare por juridikisht mecenatja e juaj ka te drejte, ajo e ka paguar nje here doreshkrimin, me perjetesine tuaj(edhe te te shoqit dhe te sajen per faji tuaj kuptohet)

  5. deshperimi  01/08/2012 në 10:56 am

    Shoh qe po duam te “vem me shpatulla per muri” nje artist te madh te asaj kohe aq pa shpres per rugdalje e trimerira patriotike liridashese ku vellai kallzonte vellan e dridheshe brenda ne shtepi te flisje se mos padashje femia yt te tradhetonte per cka ndjeje !! Kesaj i thon heroj pas betejes !! Pa shikoni o miqt e mi analizues ke kemi akoma mbi kok ! Edhe tani qe kemi “armen e madhe” ,VOTEN E LIR qe te vendosim ate qe duam ,perseri nga kta diskutant te ndryshem ketu ,shoh qe mllefi dhe etja per ta pasur ate ,mbetet ketu ne shkrime se realiteti tregon ndryshe ! Po te mos e keni haruar ate koh qe edhe ne ender po te cfaqej se dikush nga farefisi yt u arestua ,te dilde gjumi te mbytur nga djerset r tmerrit per pasojat..Cfar jemi pra ! Jemi ata spektator qe perpara syve tan ne oren 3 te mengjesit ngarkoheshin kamjonat per te derguar kushedi ku te deklasuarit e gjor qe kok ulur shkonin drejt purgatorit te panjohur Frik..frik..frik ne shpi, ne rrug, ne pun ,ne shoqeri e ne cdo pellemb te rruges qe hecje ish ajo jet…Kush esht ai hero qe e di qe nuk do paguaj vet pasojen e vepres se tij por ,femijt,prindrit,vllezrit,dhe ter farefisi …dhe te mos mendoj hapin dhe heroizmin e tij.. Ajo makin gjigante shpirt thyese e beri punen e saj qe ne embrion dhe llogariti te dal jo vetem pa lagur por edhe sot te te drejtoj atje ku do ,te te besh te harosh te kaluaren dhe djallin ta shohesh per engjell…Pra dua tju them me pak fjal ,Lerini “gjygjet” dhe gjykimet e njerezve qe jetuan ne ate ferr ,se me Kadare apo pa ,propaganda e asaj makine ishte boshti qendror i saj….Vlerat e nje artisti i sheh kur ai esht i lir pa shtypje ,pa cka shkruajta me lart dhe mendoj qe tani kan pesh dhe fjal e tij nuk humbet vlerat Ne akoma kemi nevoj nje njeri si Kadareja qe provoj ete ferr e te shohim cdo na thot per te tashmen..

  6. Toqcueville  01/08/2012 në 10:34 pm

    Keto perpjekje patetike te Kadarese te vete patentohet
    si kundershtar i diktatures,nuk bejne gje tjeter veçse
    shtojne ndjenjen e trishtimit e te pesimizmit per karakterin
    e ulet dhe oportunist te shqiptarit edhe kur nuk eshte e
    nevojshme.
    Kadare po te krahasohet me mjerimin intelektual te shoqerise
    shqiptare te sotme sigurisht qe eshte me i miri .
    Une e ftoj te krahasohet me A.Solzhenincin pasaj te
    shkoje te mbytet tek perroi i palpoçes.
    P:S:N:q.s.lana nuk ka uje le te shkoje ne Durres,
    atje ka gjithmone uje jo si ne Tirane qe eshte me orar.

  7. studenti  02/08/2012 në 9:57 am

    Nje e vertete ” e sajuar”.Zhurma erdhi nga kotesia per te gjykuar te drejten e dy njerezve te cilen me deshire e kane veteperdoruar.Mbi nje doreshkrim te “arshivuar” mirekuptimi ishte “trazuar”.Dukeqenese zhurma eshte tejkaluar mund te flasim te lehtesuar, duke kujtuar ne vijim ca aforizma qe Napoleon Bonapartit i jane atribuar.
    Fitorja e vetme kunder dashurise eshte ikja. Aleancat “familjare”midis sovraneve e oborrtareve shndrrohen ne skandale morale.Aleatet qe bashkohen vetem ne fitore vjen dita qe prishen prej xhelozive mizore.Me mire armiq te deklaruar se miq te fshehte pasi miqesia e patreguar behet armike lehte.Nuk i kemi sherbyer popullit duke u munduar te na pelqeje por vetem kur ne vepren tone kauzen e vet do te gjeje.Emri i njeriut te madh nuk eshte lavdia qe rrit krenarine e vet dhe bashkohesve te tij,por ajo qe rrit kenaqesine e breznive qe vijne.Oborrtaret me elozhet qe i bejne fronit nuk e dine ç’fatkeqesi i sjellin popullit.Aty ku denohesh pa u degjuar,ku duartrokitet nje fjalim i diktuar, ku euforia e virtytit eshte e tepruar,ku barazia e moderimi jane asfiksuar,shihni se ai vend eshte rrenuar.

  8. lexuesi.  03/08/2012 në 10:19 pm

    Pashe nje enderr te bukur, te embel/sikur qeshe bere i njohur,shkrimtar/isha bere tejet i dashur, i kendshem/me rrethonin punetore dhe shkollare.
    Ç’kisha shkruar ne proze dhe ne vargje/hyjnizonin partine dhe udheheqjen/revolucionin qe hapte, mbyllte varre/besnikerine ndaj tyre gjer ne vdekje.
    Kur me doli gjumi mbeta i vrenjtur/se nuk isha ai shkrimtari me emer/isha nje idhujtar i tij i vjeter/lexues i deshperuar, dy here i verber.
    U ndjeve nga kjo enderr i hutuar/pasi ishte shembur regjimi i vjeter/por idhulli im nuk ishte vonuar/ ishte vene ne sherbim te regjimit tjeter.
    (“Komentin”ne vargje e improvizova kete te merkure/ vetem per ata qe e “kane mizen nen kesule”.)

Komentet janë mbyllur