visi baner 5

Frrok Çupi: Qendra, një institucion më afër artistit

Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës prej disa kohësh ka hapur dyert për të pritur projekte që do të kalojnë në strukturat e ngritura të kësaj qendre për miratim. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka lëvruar 30 milionë lekë për projektet që këtë vit i dedikohen 100-vjetorit të Pavarësisë. Kryetari Frrok Çupi në të parën intervistë si drejtues i Qendrën Kombëtare të Artit dhe Kulturës na jep detaje të funksionimit të kësaj qendre, misionin që ajo ka në zhvillimin e artit dhe kulturës, si dhe projektet e para që do të financohen dhe mbështeten nga kjo qendër.

Zoti Çupi, që një projekt të fitojë mbështetjen e QKAK-së në cilat hallka duhet të kalojë?

Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës është krijuar për t’i dhënë më shumë hapësirë artistit dhe projekteve në fushën e artit dhe kulturës. Bordet janë struktura kulmore e rëndësishme dhe ligji i ka përcaktuar, por jo vetëm kaq. Mendoj se bordet janë një normalitet për të vlerësuar një aktivitet apo projekt të artit, prandaj është e nevojshme që në këto borde të bëjnë pjesë personalitete të artit. Bordet janë dhe aq sa degë arti mbulon QKAK. Kemi bordin për artet pamore, muzikën, artin teatral dhe botimet. Kjo është struktura e parë. Një strukturë tjetër është eksperti për secilën degë të artit. Duhet kuptuar se eksperti nuk është një gjeni apo mbiartist, por është një njeri që i njeh këto çështje dhe do të vihet në ndihmë të artistëve dhe projekteve të tyre. Që do të thotë se do të jetë eksperti ai që do të presë projektet dhe do të udhëzojë artistët sesi duhet të aplikojnë online. Është po ky ekspert që për të gjitha projektet që prezantohen në QKAK do të japë një mendim të thjeshtë që do t’i bashkëngjitet dosjes së projektit që do t’i paraqitet bordit përkatës. Është dhe struktura e kryetarit të qendrës që ka të drejtat që i jep ligji. Kryetari në rast se sheh se janë 2-3 projekte që janë vlerësuar thuajse si të barazvleshme, në këtë rast ka të drejtën e vetos.

Eksperti ka të drejtë selektive përsa u përket projekteve që paraqiten në QKAK?

Jo, asnjë të drejtë. Sa projekte vijnë, aq ai është i detyruar t’i paraqesë bordit, sepse nuk mund të dalë eksperti mbi bordin. Të gjitha projektet janë të vlerësuara njësoj kur hyjnë në bord. Pastaj ballafaqohen me njëra-tjetrën dhe bordi shpall fituesit.

Krijimi i QKAK ka hapur debate dhe për faktin sepse shihet si një lloj strukture paralele e MTKRS, edhe pse ligji është i qartë në këtë pikë, që MTKRS-ja do të merret vetëm me politikat e artit…

Me politikat merret dhe MTKRS dhe QKAK. Nuk është ndarë në mënyrë kaq mekanike, por këtu bëhet fjalë për një bashkëpunim ku vetë qendra sugjeron ide dhe pastaj MTKRS vendos në varësi të buxhetit, apo vitit, siç është rasti i këtij 100-vjetori. Unë mendoj se krijimi i qendrës është një përpjekje për t’i dhënë sa më shumë hapësirë artistit dhe projektit kulturor, që ai të mos futet në ingranazhet e administratës. QKAK-ja është një institucion që afrohet më shumë me artistin në mënyrë të dedikuar, profesionale dhe shpirtërore. Anëtarë të bordeve janë personalitete të artit, të cilët krijojnë një klimë më të afërt me artistin dhe qendrën. Dhe së dyti, mendoj se krijimi i QKAK-së shmang fenomenin e copëzimit të artit. Një drejtori arti në MTKRS-së ishte e dedikuar për të mbështetur projekte të caktuara në fushën e artit dhe kulturës, qofshin ato dhe ndonjë ekspozitë e vogël, koncert i vogël etj. Ka ndodhur që këto politika administrative dhe kanë qenë dyshuese, se dikush ka ndikuar për të nxjerrë fitues ndonjë projekt të caktuar. Me krijimin e QKAK-së, artistët do të ndihen më të vlerësuar, kur mendohet në mënyrë të dedikuar për ta dhe për vlerat e artit. Por një nga qëllimet e rëndësishme që ka kjo qendër është padyshim krijimi i fondit të Artit. Ministria e Kulturës ka 20 vjet që paguan për artin dhe nuk ka një fond të vlerës, siç e ka Galeria e Arteve, Teatri i Operas dhe Baletit etj. Ideja e krijimit të këtij fondit është që disa nga veprat më të rëndësishme që ne financojmë do të bëhen pjesë e fondit të QKAK-së, ku do të ketë vepra muzikore, botime, piktura etj. etj. Ky është një moment shumë i rëndësishëm i krijimit të QKK-së. Qendra do të krijojë fondin e saj nga projektet që financon dhe mbështet.

Ku do të mbahet ky fond?

Do të mbahet në ambiente të caktuara që ende nuk janë krijuar, por që do të krijohen shumë shpejt dhe do të menaxhohet nga Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës.

A ka prurje projektesh ndërkohë?

Vjeshta është shumë e rëndësishme për ne, sepse jemi në kulmin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë. Projektet kanë filluar të vijnë. Ky është viti që do t’i dedikohet identitetit kombëtar kulturor, e artit të madh. Kemi një projekt për organizimin më 20-25 nëntor të një spektakli të madh për 100-vjetorin. Disa projekte, që janë akoma në skica, për të manifestuar artin e kombit me shqiptarët e Nju-Jorkut, Parisit, Romës etj. Ka projekte në fushën e muzikës, për të evidentuar vlerat më të spikatura të muzikës, të krijuara nga kompozitorë shqiptarë. Një projekt tjetër shumë interesant është teatri i rrugës dhe i shesheve. Do të dilet nga salla klasike e teatrit. Publiku, për shembull, do të mund ta shohë dramën e Lazër Filipit për Luftën e Shkodrës të ura e Dajtit ose te sheshi “Nënë Tereza”. Një moment tjetër shumë i rëndësishëm është bashkëpunimi me vendet fqinje. Nga eksperienca ime e di që sa shumë të interesuar janë dhe vendet fqinje për të bashkëpunuar në fushën e artit dhe kulturës.

Projektet e QKAK-së do të cekin vetëm Tiranën, apo si qendër kombëtare ajo do të mbështesë dhe projekte në rrethe?

Ne jemi një qendër kombëtare dhe sigurisht që projektet që do të mbështesim do të kenë shpërndarje në gjithë Shqipërinë dhe jo të përqendrohet vetëm në kryeqytet. Në këtë 100-vjetor kemi hedhur idenë e krijimit të amfiteatrit të artit të traditës. Për shembull në Korçë kemi amfiteatrin e serenatës, në Shkodër amfiteatrin e kishave dhe monumentit kulturor, të tilla kemi në të gjithë Shqipërinë. Pra, duhen ringjallur dhe këto tradita.

Të gjitha këto do t’i bëni me vetëm 30 milionë lekë buxhet?!

Më mirë te kesh ide, se e kundërta është shumë më keq. Mund të kesh para, por nuk ke ide.

Bordet janë krijuar ndërkohë?

Janë krijuar ndërkohë. Në borde ka emra të shquar në fushën e teatrit, si Mihal Luarasi; të muzikës janë emra si Limoz Dizdari dhe Edmond Zhulali e shumë e shumë personalitete të tjera, të cilët të kenë në krah dhe të rinj aktivë. Pra, ka një ndërthurje brezash.

Aida Tuci

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur