visi baner 5

Halimi: KLD e viteve të fundit i dha goditje të rëndë gjyqësorit

Tiranë Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, akuzoi dje drejtuesit e KLD-së për keqfunksionimin e sistemit të drejtësisë, çka sipas tij është një nga shkaqet kryesore të korrupsionit në gjyqësor. Duke folur për promovim gjyqtarësh mbi baza klienteliste dhe jo meritokracie, Halimi tha se është pikërisht kjo mënyrë funksionimi e KLD-së që ka sjellë edhe nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi. Deklarata e numrit 1 të drejtësisë u bë në mbledhjen e katërt të Komitetit Drejtues të EURALIUS, ku veç të tjerash u diskutua drafti i qeverisë për riorganizimin e Gjykatës së Lartë, apo heqja e imunitetit të gjyqtarëve. Në fjalën e tij, ministri Halimi tha se dixhitalizimi apo miratimi i ligjeve nuk i jep fund korrupsionit në drejtësi. Duke iu referuar projektit Euralius, Halimi theksoi se me të drejtë ky projekt ka evidentuar se çështja e korrupsionit në drejtësi ka lidhje të drejtpërdrejtë me promovimin e gjyqtarëve, bazuar në meritokraci dhe jo mbi baza klienteliste.  “Projekti ka kërkuar prej vitit të kaluar që KLD të miratojë akte nënligjore të qarta për promovimin dhe karrierën e gjyqtarëve. Këto vendime akoma nuk janë marrë”- deklaroi ministri i Drejtësisë. Halimi nuk ngurroi ta quajë goditje të rëndë për sistemin gjyqësor mënyrën sesi është drejtuar KLD vitet e fundit. “Ajo që i ndodhi sistemit gjyqësor gjatë viteve të fundit, ishte padyshim një goditje e rëndë, e cila do shumë kohë të rinovohet. Vetëm promovimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në bazë të një sistemi të qartë karriere dhe vlerësimi, bazuar në kritere të qarta dhe transparente si dhe largimi i gjyqtarëve dhe prokuroreve të korruptuar nga sistemi, pa asnjë kompromis, do të sjellë një impakt real në përmirësimin e sistemit”- tha Halimi, duke shtuar se Euralius e ka evidentuar qartë problemin dhe ka bërë rekomandime të qarta. Reformimi i KLD-së dhe ndihmesa e misionit Euralius në këtë drejtim ishte një nga çështjet që u prek edhe nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Në fjalën e saj Beçaj theksoi se me ndihmën e këtij Misioni, do të ndërmerren disa hapa të rëndësishëm për organizimin e KLD-së. “Hartimi i ndryshimeve të ligjit për organizimin dhe funksionimin e KLD-së, hartimi i rregullave për transferimin dhe papajtueshmërinë e gjyqtarëve, hartimi i rregullave për procedurën e miratimit të fluksit të punës së gjykatave, studimi për pagat dhe shpërblimin e gjyqtareve janë hapa të rëndësishëm të cilët do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mëtejshëm të punës së KLD-së”- tha Beçaj. Një tjetër çështje e prekur gjatë takimit të djeshëm ishte edhe imuniteti i gjyqtarëve, i cili u përmend vetëm nga ministri i Drejtësisë. Në fjalën e tij Halimi tha se roli i misionit Euralius të përdoret edhe në sfidën e radhës, heqjen e imunitetit. “Çdo qytetar sot e kërkon në mënyrë logjike heqjen e imunitetit, si një mjet të qartë në luftën kundër korrupsionit në drejtësi. Kjo nismë, e cila mbështetet sot nga të gjithë qytetarët, duhet të mbështetet padyshim edhe nga aktorët politikë, por edhe nga aktorët e sistemit të drejtësisë, dhe unë shpresoj që në ditët në vijim Parlamenti të miratojë këtë nismë”- tha ministri i Drejtësisë.

Reklama-Eagle

2 Përgjigjet për "Halimi: KLD e viteve të fundit i dha goditje të rëndë gjyqësorit"

  1. Avokati  11/07/2012 në 5:11 pm

    Pse; ky nuk i jep goditje gjyqesorit, qe nderhyn sa majtas e djathtas per “hallet”” e veta dhe te “miqve” ne Gjykatat duke filluar nga e larta.

  2. Ciftelia  11/07/2012 në 6:38 pm

    Halim o djal,po sa bukur ke filluar ti biesh” Gerrnetes,o tu befsha ore.Po na kishte marr malli te te degjonim zerin o i uruar. Qe kur ta la gojen hapur ajo Kryeprokurorja ne ate komisionin e mallkuar su bere i gjalle.PO a i gjete ato cadrat pistolrte,ato thikat me helm more tu befsha,apo edhe per keto te pengoi KlD me Spahiun e Bamirin.Po sa jam gezuar qe u bere minister o te marsha te ligat se ke plot.Ma do zemra se me ty ne krye drejtesia do shtrmberohet edhe me shume se per te drejtuar se drejton dot,se nuk te le ai i madhi ote keqen une ore HALIM!Bjeri dhe nje here asaj gerrnetes se i bie bukur sa te na zere gjumi.

Komentet janë mbyllur