visi baner 5

Imunitetet e telefonatat e deputetëve, nërgjim nga Ina Rama

Në rast se drafti konsensual për kufizimin e imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët do miratohet në Kuvend më 6 gusht apo në shtator, atëherë e gjithë kjo kategori të zgjedhurish dhe nëpunësish të lartë do mund të përgjohen nga Prokuroria. Pavarësisht se në nenet e miratuara nuk flitet për përgjimin, mënyra sesi janë hartuar amendamentet kushtetuese në këtë pikë i japin mundësi prokurorisë që para se të ngrejë akuzën për një deputet apo zyrtar tjetër, të mund të përdorë mjetet e veta të survejimit të telefonave apo mjeteve të tjera të komunikimit të tyre. Një fakt i tillë konfirmohet nga deputetë juristë, të cilët kanë bërë të ditur gjithashtu se kjo është pranuar tashmë nga të dyja partitë e mëdha, të cilat janë të vetëdijshme për ndryshimin e bërë dhe të miratuar deri më tani vetëm në parim.

Përgjimi

Të martën e shkuar, Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve miratuan në parim me unanimitet draftin e negociuar nga demokratët dhe socialistët për kufizimin e imuniteteve të deputetëve dhe gjyqtarëve. Në nenin 73 të Kushtetutës, ku dhe trajtohet çështja e imunitetit të deputetëve, nuk përcaktohet asnjë lloj kufizimi ndaj organeve të ligjit për veprime të tilla hetimore, siç mund të jetë edhe përgjimi i mjeteve të komunikimit të tyre. Në pikën dy të këtij neni të ndryshuar përcaktohet vetëm se deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit, por nuk vendoset në të ndonjë ndalesë për mjetet që mund të përdorë prokuroria në hetimet paraprake, siç mund të jetë edhe përgjimi i telefonave. Pra, në mënyrën sesi janë formuluar amendamentet e miratuara tashmë në parim nga të dyja palët, organi i akuzës para se të kërkojë autorizim të Kuvendit për të kontrolluar një deputet fizikisht apo banesën e tij, ose në rastin më ekstrem arrestimin e tij, do ketë mundësi që në hetimet e tij të kryejë edhe përgjimin. Të kontaktuar dje nga MAPO, deputetë e juristë duke interpretuar mënyrën sesi janë hartuar këto amendamente lënë të hapur mundësinë për organin e akuzës që të mund të hetojë edhe duke përgjuar një deputet. E njëjta gjë vlen edhe për rastet e gjyqtarëve. Por sipas këtyre deputetëve nuk bëhet fjalë për ndonjë harresë, por për një veprim të vullnetshëm të legjislativit për t’i ekspozuar deputetët e vet edhe ndaj këtij lloji hetimi, siç është përgjimi i telefonit. Kjo sipas tyre, është bërë me qëllim që t’i krijojë mundësinë organit të prokurorisë që në rastin e kërkimit të autorizimit për arrest të ketë prova të mjaftueshme, por edhe si një përshtatje e legjislacionit tonë me atë të vendeve të tjera të Europës.

Gent Ibrahimi

Një mundësi të tillë e konfirmon edhe juristi Gent Ibrahimi, i cili ndryshimet e bëra në nenet e Kushtetutës që flasin për imunitetet, i lexon edhe si një mundësi që i krijohet Prokurorisë që të nisë hetimet paraprake edhe duke kryer ndjekje apo survejim të deputetëve edhe në mjetet e tyre të komunikimit, siç është telefoni etj. “Ajo çka bëhet me këto ndryshime, është që çdolloj mbrojtjeje që ka të bëjë me hetimin paraprak, bie. Pra një prokuror sot në Shqipëri është në gjendje të fillojë një hetim edhe të fshehtë kundër një deputeti, gjyqtari apo ministri, ta përgjojë atë, të përdorë llojet e tjera të hetimit, siç janë ndjekjet, gjurmimet apo dhe mund ta thërrasë personin që ka dijeni për çështjet, pra mund të bëjë gjithçka që ia dikton nevoja e hetimit, pa qenë nevoja për të kërkuar autorizim nga Kuvendi për deputetët dhe nga KLD për gjyqtarët. Imuniteti ka qenë mbrojtje reale, tani nuk ekziston më kjo mbrojtje”, – shprehet juristi Genti Ibrahimi. Por ajo çka e shqetëson atë është fakti se heqja e kësaj mburoje mund të sjellë dhe abuzime të organit të akuzës, i cili mund të keqpërdorë këtë mundësi që i jepet. “Natyrisht që mundësia teorike për abuzim ekziston”, – shprehet Ibrahimi. Megjithatë, që kjo mundësi të ligjërohet duhet që më parë amendamentet të miratohen edhe në seancë plenare në Kuvend, çka ka pak gjasa të bëhet në seancën e datës 6 gusht.

 

 

Projekti i miratuar me konsensus

Neni 1

“Neni 73

1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit dhe përmbushjes së të drejtave dhe detyrave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme apo ndaj tij/saj të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.

 

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

 

4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë të mbyllur për arsye të mbrojtjes së të dhënave.

 

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur