visi baner 5

Imunitetet, Manjani: Kuvendi s’mund të shndërrohet në gjykatë, ja zgjidhja jonë

Intervistoi: Nevila Perndoj

 

TIRANË Në funksion të një zgjidhjeje afatgjatë të imunitetit të zyrtarëve, Lëvizja Socialiste për Integrim depozitoi dje zyrtarisht në Kuvend dy drafte që përfshijnë disa shtesa dhe ndryshime në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Propozimet konsistojnë në zero imunitet për politikanët dhe imunitet të kufizuar për gjykatësit.

Për pasojë, në një intervistë për gazetën “Mapo”, sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, ka argumentuar gjerësisht arsyet se pse duhen mbështetur draftet sa më sipër, si dhe rrugën ligjore që do të ndiqet në Kuvend për kalimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar. “Ne do ta regjistrojmë nismën si kontribut shtesë brenda nismës aktuale, me qëllim që proceduralisht të jemi në rregull me kërkesat e nenit 177 të Kushtetutës”, – tha ndër të tjera Manjani.

Zoti Manjani, LSI paraqiti një nismë tjetër ligjore për heqjen e imunitetit. Cilat janë propozimet konkrete të draftit?

Javën e shkuar unë në emër të LSI-së bëra publik qëndrimin tonë për zgjidhjen përfundimtare dhe afatgjatë të imuniteteve në Shqipëri. Ne propozojmë që të çlirojmë zyrtarët politikë nga çdo lloj imuniteti (ndjekja penale dhe arrestimi) si dhe të rregullojmë imunitetin e gjykatësve, duke e ruajtur atë në mënyrë të kufizuar. Në vijim të këtij qëndrimi, tashmë kemi hartuar dy draft ligje. Njëri ka të bëjë me abrogimin e neneve të Kushtetutës ku flitet për imunitetin dhe i dyti është një draft që propozon ndryshime dhe saktësime në Kodin e Procedurës Penale për këtë çështje. Këto dy drafte janë tashmë pjesë e axhendës së diskutimeve parlamentare.

Ku ndryshon kjo nismë e LSI-së nga ajo e PD-së dhe me cilat propozime të demokratëve nuk jeni dakord?

Pikë së pari, dua të theksoj se ne nuk kemi hyrë në garë draftesh me askënd. E vërteta është që ftesa jonë publike për zgjidhjen e kësaj çështjeje nxiti Partinë Demokratike të depozitonte draftin e saj (draft i cili është hartuar vite më parë në bashkëpunim me PS-në). Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi na vjen mirë të konstatojmë se edhe këtë radhe LSI-ja u bë faktor nxitës për një reformë që duhet bërë me çdo kusht. Në këtë kontekst marrja e nismës është një element procedurial i domosdoshëm, sepse PD-ja i ka numrat parlamentarë për ta bërë një gjë të tillë. Ndërsa ne mendojmë se kjo nismë parlamentare duhet të shkojë drejt variantit maksimalist për zerimin e imunitetit për të gjithë politikanët. Drafti i PD-PS nuk është për këtë variant maksimalist, por thjesht kufizon imunitetin për politikanët njësoj si për gjykatësit.  Ne mendojmë se duke zeruar dhe jo kufizuar imunitetin për politikanët, adresohet në mënyrë të drejtpërdrejt shqetësimi që “politika është problemi”.  Kjo zgjidhje do të vendosë në raport sinqeriteti marrëdhëniet politikanë-zgjedhës dhe politikë-institucion.

Nga ana tjetër nuk do të ishte e sugjerueshme që Parlamenti në të ardhmen të shndërrohej në një lloj gjykate, që të lërë në fuqi apo të shfuqizojë masat e sigurisë ndaj deputetëve apo personave me imunitet, siç parashikon drafti i depozituar nga PD-ja. Kjo në fakt vetëm shton komplikimet në zbatim. Nuk besoj se kemi nevojë për zgjidhje të komplikuara, por zgjidhje të thjeshta. Gjithashtu ne propozojmë që ndërhyrjet në Kushtetutë të jenë të natyrës abrogative (shfuqizuese). Këtë konkluzion e nxjerrim për këto arsye: 1.Kushtetuta është ndryshuar deri tani 2 herë dhe qëndrueshmëria dhe siguria juridike kushtetuese është goditur rëndë nga ndërhyrjet e shpeshta. Po krijohet ideja që Kushtetuta është një ligj i zakonshëm, vlera e të cilit merret me rezervë, siç ndodh rëndom në praktikën e zbatimit të ligjeve në këtë vend. 2.Meqë ndërhyrja është e pashmangshme, e mira është që të çlirohet Kushtetuta nga tema të tilla si çështja e imunitetit që marrin ngarkesa të politikes së ditës. 3.Është e sugjerueshme, dhe ne si LSI do ta kërkojmë, që në logjikën e “çpolitizimit” të Kushtetutës të nxjerrim nga teksti kushtetues edhe dispozitat që përcaktojnë sistemin zgjedhor, duke i kaluar ato thjesht në tekstin e Kodit Elektoral. Ky është një rast ideal për t’i gërshetuar të dyja reformat në një ndërhyrje dhe kështu shpëtojmë disi Kushtetutën nga politizimi. Edhe Kodi Zgjedhor është ligj që kërkon shumicë të cilësuar, kështu që sistemi është përsëri i mbrojtur nga ndërhyrjet abuzive. Me në fund nisma jonë nuk mbaron me ndërhyrjet abroguese në Kushtetutë, por ne mendojmë se zgjidhja reale do të duhet të bëhet në Kodin e Procedurës Penale.

Konferenca e Kryetarëve vendosi që nisma e PD-së për heqjen e imunitetit, përmes ndryshimeve kushtetuese, të votohet në këtë sesion të Kuvendit në datën 6 gusht. E përjashton nismën e LSI-se kjo vendosje e draftit të PD-së në kalendar?

Jo nuk e përjashton. Të paktën jo për arsye ligjore dhe proceduriale. Ne do ta regjistrojmë atë nismë si kontribut shtesë brenda nismës aktuale, me qëllim që proceduralisht të jemi në rregull me kërkesat e nenit 177 të Kushtetutës. Por pavarësisht procedurave apo edhe numrave në dispozicion, LSI-ja do të argumentojë me variantin maksimalist në të dyja komponentët, pra: zero imunitet për politikanët dhe imunitet të kufizuar për gjykatësit. Ne do të insistojmë në reduktimin e barrës politike mbi Kushtetutën dhe në ndërhyrjet në Kodin e Procedurës Penale për zgjidhjen e këtij problemi. Sigurisht kjo proceduralisht mund të bëhet më e efektshme brenda nismës së marrë nga PD-ja. Por në çdo rast, propozimet tona do të bëhen prezentë në diskutimet parlamentare.

A do të tentoni si LSI të keni mbështetjen e opozitës në këtë iniciativë dhe nëse po, si? Do të ketë takim ekspertësh, apo në nivel kryetarësh Meta-Rama?

Kjo çështje nuk është çështje politike partish. Imunitetet janë pjesë e axhendës së integrimit, dhe si e tillë ajo kërkon zgjidhje, pavarësisht se ç’mendojnë partitë për këtë çështje.  Thashë edhe pak më parë që ne nuk kemi hyrë në garë me askënd, por thjesht përpiqemi të jemi faktor nxitës për përshpejtimin e reformave që na duhen për marrjen e statusit të vendit kandidat.  Në këtë kuadër, jemi të kënaqur që nisma jonë shërbeu si një nxitje reale për PD dhe PS që të pranojnë çeljen e procedurave parlamentare për këtë çështje. Tashmë debati bëhet në Kuvend dhe nuk besoj se ka nevojë për takime politike ekstra parlamentare. Brenda procedurës parlamentare ndoshta mund të ketë nevojë për një tryezë konsultimesh me juristë dhe institucione të shtetit, por jo detyrimisht takime kryetarësh partish… Nuk shoh asnjë arsye që kjo çështje të jetë pjesë e axhendës së takimeve të tilla, aq më tepër që tashmë vullneti i partive është zyrtarizuar me çeljen e procedurave parlamentare.

Nëse PD-ja nuk përfshin në draftin e saj propozimet e LSI-së, ë’qëndrim do të mbajë partia juaj, në një kohë kur deputeti Tavo, njëherësh edhe ministër i Shëndetësisë, ka hedhur firmën në draftin e paraqitur nga demokratët?

Nuk ka asnjë qëndrim tjetër përveç sa thashë për parë. Nisma e PD-së është sebepi për të çelur një procedurë. Ne do të kontribuojmë me idetë tona brenda kësaj procedure siç e kërkon Kushtetuta. Natyrisht edhe vota në fund do të përcaktohet nga ecuria e diskutimeve përgjatë gjithë procesit parlamentar.

 

 

 

som

“Ne mendojmë se kjo nismë parlamentare duhet të shkojë drejt variantit maksimalist për zerimin e imunitetit për të gjithë politikanët. Drafti i PD-PS nuk është për këtë variant maksimalist, por thjesht kufizon imunitetin për politikanët njësoj si për gjykatësit”

 

 

Për disa ndryshime dhe shtesa në Kushtetutë

 

Neni 1

Neni 61 paragrafi 3 shfuqizohet.

Neni 61/3

…Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

 

Neni 2

Neni 73, paragrafi 1  ndryshohen si vijon:

1. Deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj tjetër përgjegjësie ligjore për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrim të detyrave dhe të drejtave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

Paragrafët 2. 3 dhe 4 të nenit 73 shfuqizohen.

 

Neni 3

Neni 103 paragrafi 3, shfuqizohet.

Neni 103/3

Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit

 

Neni 4

Neni 137 paragrafët 1 dhe 3 ndryshojnë si vijon:

 

1.Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht sipas procedurave të parashikuara me ligj.

2.Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht sipas rregullave të parashikuara me ligj.

 

 

Neni 5

Neni 165 paragrafi 2, shfuqizohet.

 

Neni 165/2

…Kryetari i KLSH ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë

 

Neni 6

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur