visi baner 5

Masakra e Shëngjinit/ Rrëfehet gruaja e autorit: Sherri se nuk na lironin shtëpinë

Sandër Ndoj i kishte kërkuar së motrës që kishte ardhur nga Italia të dilte nga shtëpia, pasi donte ta linte atë me qira për pushues, por Dana Ndoj nuk ka pranuar duke i thënë se e kishte të trashëguar nga prindërit banesën. Ky ka qenë sipas bashkëshortes së autorit të masakrës së Shëngjinit, motivi i sherrit të së shtunës në mëngjes, që solli fillimisht vrasjen e kunatës së saj dhe bashkëshortit italian dhe më pas edhe vetëvrasjen e të shoqit. Burime të policisë thanë se Moza Ndoj kishte treguar në polici se nuk ishte faji i saj për ngjarjen, ndërsa ka thënë se konflikti ishte për shkak të shtëpisë, të cilën i shoqi kërkonte ta jepte me qira për pushues, por që ishte zënë nga e motra e kthyer nga Italia. Nga të dhënat mësohet se përplasja mund të ketë ndodhur pasi punonjësi 48-vjeçar i policisë ka shkuar në mëngjes në banesë dhe ka kërkuar që ajo të lirohej, por është kundërshtuar nga viktima Dana Ndoj.

Ndërkohë dje, dy nga viktimat e masakrës që ndodhi mëngjesin e së shtunës në qytetin e Shëngjinit janë përcjellë për në banesën e fundit, ndërsa Luigi Benicassa do të varroset në Itali dhe pritet të transportohet atje. Sandër dhe Dana Ndoj, përkatësisht 48 dhe 45 vjeç, janë varrosur rreth orës 15:00, në një ceremoni të përbashkët të organizuar nga familja, e cila ka vendosur të qëndrojë bashkë, edhe pse bëhej fjalë për një konflikt brenda saj që solli edhe masakrën. Megjithëse motrat e të ndjerëve e kishin akuzuar kunatën e tyre si shkaktare të vëllavrasjes, Moza Ndoj, bashkëshortja e Sandër Ndojit, ka qenë prezente në ceremoninë mortore së bashku me dy fëmijët, por pa pasur kontakte me kunatat, të cilat e akuzojnë si shkaktare të tragjedisë në familjen e tyre që përfundoi me 3 të vdekur dhe një fëmijë 9-vjeçar të plagosur rëndë.

Menjëherë pasi ka varrosur bashkëshortin, Moza Ndoj është larguar për në banesën e saj, ndërsa familjarët e tjerë të Sandër dhe Dana Ndojit kanë vijuar me pritjet e vizitave në shtëpinë e ndërtuar pak metra larg banesës që shërbeu si mollë sherri për krimin e dy ditëve më parë. Banorë të Shëngjinit, ashtu si edhe të afërm të viktimave, kanë shprehur habinë e madhe mbi atë çfarë ndodhi mëngjesin e së shtunës, duke e konsideruar aktin vrasës dhe vetëvrasës të Sandër Ndojit si të papritur.

Mëngjesin e së shtunës Sandër Ndoj (Prendi) është futur në shtëpinë për të cilën kishte 10 vjet që grindej me të motrën dhe pas fjalëve të rënda ka qëlluar me armën e shërbimit, për vdekje, kunatin italian, të motrën dhe po ashtu ka lënë për të vdekur nipin 9-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Pak minuta pas masakrës, ai  i ka dhënë fund edhe vetes. Ngjarja e rëndë ndodhi në Shëngjin, ndërsa policia thotë se vrasja e dyfishtë dhe vetëvrasja kanë ardhur pas një sherri të vjetër mes vëllait dhe motrës, të nisur për pronësinë e një dhome, por të vijuar më pas edhe për konflikte të tjera.

 

Viktimat

Dana Ndoj, 40 vjeç

Luigi Benincasa, 53 vjeç

Sandër Ndoj (Prendi), 48 vjeç

I plagosur

Fëmija 9 vjeç, N. Benicassa

 

Motrat e viktimave akuzojnë bashkëshorten e vëllait

 

TIRANË- Sherri mes kunatave dyshohet të jetë shkaku i masakrës në familje, ndodhur mëngjesin e djeshëm në Shëngjin. Motrat e viktimave akuzojnë gruan e vëllait të tyre Sandër Ndoj, si njeriun që kishte futur sherrin dhe sjellë masakrën. Prej vitesh Ndoj, i cili u vetëvra pak minuta pas krimit, dhe motrat jetonin në një atmosferë xhelozish, grindjesh dhe përplasjesh për arsye të ndryshme, përfshi edhe faktin që motra e tij dhe e shoqja nuk shkonin mirë me njëra-tjetrën. Fqinjët thonë se sherri kishte filluar pas vdekjes së prindërve dhe ka pasur të bëjë me pronën që ata lanë pas për fëmijët. Ato e akuzuan hapur kunatën pas ngjarjes, duke thënë se ajo ishte arsyeja e konfliktit.

Burimet e policisë thonë se konflikti i  bashkëshortes së Sandër Ndojit (Prendit) me motrat e këtij të fundit dyshohet se është edhe konflikti kryesor që mund të ketë sjellë edhe tragjedinë e mëngjesit të djeshëm, kur Prendi po nisej për të shkuar në punë në burgun e Shënkollit, ku punonte si efektiv policie. Burimet e Drejtorisë së Policisë së Lezhës thanë dje për “Mapon”-n se prej disa kohësh Sandër Prendi jetonte i ndarë nga bashkëshortja e tij, me të cilën ai kishte patur edhe dy fëmijë, por një javë më parë ai ishte ribashkuar me të, ndërsa një rilidhje e tillë duket se nuk u ka pëlqyer motrave të Sandrit dhe kjo mund të ketë qenë një nga arsyet e sherrit.

 

9-vjeçari kalon rrezikun për jetën, mjekët: Është i shokuar

TIRANË- Në Spitalin Ushtarak, në sallën e reanimacionit qëndron i shtruar djali 9-vjeçar i çiftit të ndjerë, Luigi Benicassa dhe bashkëshortes së tij Dana Ndoj (Prendi), i cili duket se ka shpëtuar prej një mrekullie. Mjekët thonë se gjendja e tij në momentin e mbërritjes ka qenë mjaft e rëndë, por sipas tyre, fëmija është përmirësuar pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe ai është jashtë rrezikut për jetën. Burimet thonë se ai ka pasur dy plagë të rënda në trup, por për fatin e tij të mirë, i mituri ka mundur të kalojë rrezikun.

 

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur