visi baner 5

Pasagjerja plagos shoferin e autobusit të linjës Athinë- Tiranë

TIRANE- Pasagjerja plagos me thikë shoferin e autobusit Athinë-Tiranë. Policia arreston gruan e dyshuar të krimit, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa kësaj të fundit i bllokohet edhe arma e krimit, një thikë e vogël që çuditërisht ka mundur të kalojë edhe në kufirin shqiptaro-grek, pa u ndaluar, pavarësisht kontrollit që duhet të kryhet në kufi. Duket se fluksi i emigrantëve që kthehen për pushime gjatë periudhës së verës ka bërë që hyrja të jetë e më e lirë për personat që hyjnë në drejtim të Shqipërisë. Fatmir Karaj, 45 vjeç, banues në Tiranë, mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e të mërkurës, në bulevardin “Zogu i Parë”, pasi u godit një herë me thikë në ijën e majtë nga Xheje Manxi, 53 vjeç, banuese po në kryeqytet. Burimet e policisë thanë si motiv zyrtar të ngjarjes plagosjen për motive banale në lidhje me një sherr që gruaja dhe shoferi kishin pasur gjatë rrugës mes tyre, për shkak se drejtuesi i autobusit, Fatmir Karaj, kishte ndaluar disa herë për të marrë porosi të ndryshme, ndër të cilat ishte edhe ajo e kunatit të tij, e marrë në një qytet grek.

Në këtë rast, sipas burimeve të policisë, Karaj kishte pritur më tepër se zakonisht, duke mërzitur pasagjeren Manxi. Kjo e fundit mësohet se goditi Karajin në ijën e majtë duke i shkaktuar atij një plagë të rëndë jo shumë larg veshkës, e cila për fatin e mirë të të plagosurit nuk ishte prekur. Burimet e policisë thanë se dyshimet e para të tyre kanë qenë të lidhura me një version të një historie rozë, por që më vonë gjithçka është sqaruar. Sipas hetuesve, kishte pasur dyshime se të dy ata kishin pasur një lidhje mes tyre, por ky fakt është mohuar nga krerët e Policisë së Tiranës, por edhe vetë i dëmtuari nuk ka pranuar të flasë në lidhje me një version të tillë, por as në lidhje me plagosjen e tij nga gruaja 53-vjeçare. Kjo e fundit tashmë ndodhet në qeli me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen me pasoja të rënda në dëm të një personi. Konflikti mes palëve mësohet se ka nisur thuajse që në nisje të rrugës, kur drejtuesi i autobusit të linjës Tiranë-Athinë-Tiranë, ka qëndruar pak momente jashtë orarit në stacionin e tij të nisjes.

Ndërkaq kur autobusi është nisur nga Athina në drejtim të Shqipërisë, mësohet se në disa qytete greke ai ka qëndruar sërish për të marrë porosi të ndryshme nga emigrantë të ndryshëm për të afërmit e tyre në Shqipëri. Ndër porositë që priteshin ishte edhe ajo e kunatit të Karajt. Vonesa e kësaj porosie acaroi gruan, e cila debatoi disa herë me drejtuesin e mjetit. Madje burimet e policisë thanë për “Mapon” se pasagjerja dhe shoferi kanë shkëmbyer fjalë të ashpra mes tyre gjatë rrugës. Ndërkaq Manxi kërcënoi Karajn se kur të mbërrinin në Tiranë, do të merrej vetë me të. Rrugës drejt Shqipërisë, gruaja mësohet se kishte komunikuar në telefon me një person, që mësohet se ishte i afërt i gruas. Këtij të fundit Manxi mësohet se i ka kërkuar të dilte ta priste pranë stacionit të autobusëve në bulevardin “Zogu i Parë”. Sapo autobusi mbërriti në stacionin e tij në Tiranë, është pritur nga  personi me të cilin foli në telefon, ndërsa nisi të debatonte me drejtuesin e autobusit.

Në grindje e sipër, ajo goditi me thikë në bark në krahun e majtë të tij, në ijë, Karajn, duke i shkaktuar atij plagë të rëndë. I plagosuri u dërgua menjëherë në spitalin ushtarak, ku pas ndihmës së mjekëve ai kaloi rrezikun për jetën. Hetuesit e policisë që mbërritën në vendin e ngjarjes, ndaluan në flagrancë gruan me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta. Policia bllokoi armën e krimit, një thikë, që sipas tyre plotësonte kushtet e armës së ftohtë. Madje me këtë mjet të mprehtë gruaja mësohet se kishte qëruar gjatë rrugës edhe fruta. Gjatë hetimit të kryer, policia konfirmoi faktin se gruaja kishte pasur konflikt me të plagosurin gjatë rrugës. Vetë drejtuesi i mjetit, i cili dje ndodhej në spital jashtë rrezikut për jetën, nuk pranoi të jepte asnjë versin në lidhje me ngjarjen apo shkaqet e mundshme të saj.

 

Reklama-Eagle

Komentet janë mbyllur