visi baner 5

Pëllumb Xhufi: Mustafa Kruja e Xhafer Deva, monumente të turpit tonë kombëtar

Çfarë po ndodh me historiografinë shqiptare këto 20 vjet? Një pyetje që ka hapur debat sidomos mes historianëve. Njëri prej tyre, Pëllumb Xhufi, thotë se në këto 20 vjet historia është kthyer në një palestër për injorantë e spekulantë, një skenë e denjë sipas tij për Shqipërinë e kohëve të budallallëkut. Por Xhufi vë re dhe një fenomen tjetër që po ndodh; promovimin e figurave hije në historinë e Shqipërisë, që jo rastësisht sipas tij përzgjidhen nga shtresa e bejlerëve, pashallarëve, bajraktarëve dhe klerikëve, duke anatemuar figura me rëndësi historike. E me sa duket, në këtë katrahurë roli i historianëve të huaj, sipas Xhufit, për të shkruar me objektivitet për ngjarje dhe figura të historisë së Shqipërisë është shumë i rëndësishëm.

Çfarë po ndodh me historinë këta 20 vjet?

Po ndodh ajo, që nga një shkencë tërheqëse e plot mistere për t’u zbuluar nga studiuesit, historia është kthyer në një palestër për injorantë, spekulantë e politikanë tartarinë, të cilët pasi kanë shpërdoruar male me letër për të rrëfyer “heroizmat e patreguar” të pleqve të tyre, të fshatit, të nahijes apo të “Shqipërisë pellazgjike”, d.m.th. të botës mbarë, kërkojnë që konkluzionet e tyre të njihen si arritje shkencore dhe si të tilla të mishërohen në librat e në tekstet shkollore. E prandaj, i lëshohen me tërbim historianëve, historisë dhe historiografisë së konstituuar (që ata e quajnë sipas rastit, “komuniste”, “konservatore”, “nexhmijiste”, “sllavo-komuniste” e ku ta di unë se çfarë) duke ulëritur e duke kërkuar që të vlerësohet historia e tyre e shkruajtur “sefte”, të akreditohen “tezat” dhe “heronjtë” e tyre, për të cilët kanë filluar të kërkojnë akordime dekorimesh presidenciale dhe ngritje bustesh monumentale. Vërtet, një skenë e denjë për Shqipërinë e kohëve të budallallëkut!

Është paragjykim, apo në këto 20 vjet sa herë që hapet debati për rishkrimin e historisë ka ndërhyrje nga politika? A ka një orientim në përzgjedhjen e figurave historike që po trajtohen këto 20 vjet? Një lloj selektiviteti nga vetë historianët, për të glorifikuar disa prej tyre e për të zbehur disa të tjera?

Për sa i përket politikës, sigurisht që ka. Nëse vihet re, politika zyrtare ka kohë që po këmbëngul që të promovohen disa figura, apo më mirë të themi disa hije historike, që jo rastësisht përzgjidhen nga shtresat sociale të bejlerëve, pashallarëve, bajraktarëve, klerikëve: pikërisht ato shtresa të regjimit të vjetër (dovletit), aksioni politik e produkti historik i të cilave është karakterizuar nga egoizmi, pavendosmëria, krahinarizmi, kolaboracionizmi dhe deri tek tradhtia e hapur ndaj interesave të atdheut. Në të kundërtën, politika e Shqipërisë së kohëve të budallallëkut nuk ka hezituar të stigmatizojë e të deklasifikojë hapur ideuesit dhe krijuesit e vërtetë të Rilindjes Kombëtare e të shtetit shqiptar, që nuk vinin nga bota e vogël e makute e bejlerëve dhe e bajraktarëve dritëshkurtër, por nga bota e madhe e idealistëve, e njerëzve të mësuar e të edukuar me idetë progresiste e emancipuese të Iluminizmit. Këta, pra, Vaso Pasha e Frashërllinjtë, Shahin Kolonja e Hil Mosi, Jani Vreto e Mihal Grameno, Fan Noli e Hasan Prishtina me shokë, ishin ata që projektuan dhe realizuan Shqipërinë, si shtet i pavarur, një dhe i pandarë, si një shtet modern, rreptësisht laik dhe evropian. Të tjerët, në rastin më të mirë u shtynë deri në Shqipërinë e katundit, bajrakut dhe të fesë së tyre, pra në Shqipërinë e cunguar, të dobët, pa dinjitet, pa sovranitet, kliente e monarkive shallvaregjëra të Ballkanit.

Në këtë forum mbi historinë është hedhur dhe teza se në këta 20 vjet janë shumë të pakta iniciativat e historianëve për rishikimin e historisë pas vitit ’45, ndryshe nga periudhat e tjera të historisë së Shqipërisë. Cilat janë arsyet, sipas jush?

Nuk e di, por jam i bindur se, siç ndodh shpesh, kjo kërkesë e kritikë njëkohësisht, është hedhur nga persona që nuk kanë të bëjnë me historinë. Unë e kuptoj ndjenjën e gjithsecilit, përfshirë edhe mua vetë, për të ditur shumë më tepër, nga ç’di sot, për periudhën pas çlirimit të vendit. Por duhet patur parasysh se historia është si puna e asaj verës: sa më e vjetër është, aq më e mirë dhe e sigurt është. Ne sot nuk mund të pretendojmë të njohim më mirë e më saktë historinë e viteve 1950-1990, sa ç’mund të njohim historinë e Skënderbeut, të Rilindjes kombëtare apo të periudhës së Zogut. Duhet një kohë maturimi. Duhet larguar sa më shumë nga zhurmat dhe nga interesat e ditës, për të gjykuar si duhet për një moment të dhënë historik. Nga ana tjetër, në Shqipëri, ashtu si në çdo vend të botës, ka ligje për shfrytëzimin e arkivave, të cilat nuk na lejojnë që ne sot të mundim të lexojmë dokumentet e viteve 1990 apo 1960. Mirëpo ne nuk do mund të mësojmë kurrë të vërtetën, p.sh., e prishjes së marrëdhënieve të Enver Hoxhës me Kinën, në 1977, apo atë të “ngrohjes” së marrëdhënieve të Sali Berishës me Greqinë, pas vitit 2002, pa lexuar dokumentet zyrtare respektive që ruhen në arkivat e Tiranës, Pekinit, Athinës apo edhe të vetë Sillogut Panepirot të Nju Jorkut. Sigurisht, ne mund të jemi të informuar për historinë e ditëve tona, për atë që ka ndodhur e ndodh brenda harkut tonë jetësor: atë histori e përjetojmë vetë apo e mësojmë çdo ditë nëpër botime, gazeta e media të tjera. Por kështu jemi ende në suazën e kronikës. Që ngjarjeve të sotme t’u jepet një sens historik, duhet më parë të hyhet në rropullitë e brendshme të tyre, të zbulohen motivet dhe arsyet e mëdha, që përcaktojnë veprimet dhe ngjarjet historike. Për arsyet që sapo përmenda, kjo kërkon një distancë të arsyeshme kohore, kur mund të gjykohet me qetësi e pa paragjykim për ngjarje e personazhe të caktuar historikë. Dhe, mbi të gjitha kërkon ballafaqimin me aktet dhe dokumentacionin  përkatës, konkretisht me atë të viteve 1944-1990, për të cilën ligji parashikon kufizimet përkatëse.

Një tezë e hedhur është edhe rishikimi i 5 Majit si Dita e Dëshmorëve. Një grup historianësh madje po diskutojnë për ndryshimin e kësaj datë. Mendimi juaj?

Nuk di e nuk besoj që të ketë historianë që të merren me 5 Majin. Përkundrazi, di që debatin për 5 Majin, ashtu si atë për 29 Nëntorin, po mundohet ta ndezë kryeministri Berisha. Por ky nuk është historian, dhe më duhet të them se në punë të historisë është akoma edhe më profan se ç’mund të jetë në atë të veterinerit. Nuk e di, por sa herë që dëgjoj Kryeministrin të flasë për historinë, më kujtohet vetëtimthi ajo fabula groteske, që ka për protagonist kaun dhe pelën. Askush nuk e diskuton faktin që Shqipëria ka prodhuar heronj e dëshmorë që nga koha e Batos, tek ajo e Skënderbeut e deri në ditët tona. E në këtë kuptim, do mund të zgjidhnim si Ditë të Dëshmorëve edhe ditën e të rënëve në betejën e Rrapit të Mashkullorës, apo në betejën e  Kaçanikut. Mirëpo ka një moment të historisë sonë, kur për herë të parë populli shqiptar u rreshtua me luftën e madhe të popujve dhe të demokracive të mëdha, dhe ky moment është Lufta e Dytë Botërore. Rezistenca antifashiste është një referencë e pangatërrueshme për të gjithë popujt e vendet që u angazhuan në atë luftë: kushtetutat e Italisë, e vetë Gjermanisë, e Francës, Rusisë, Polonisë, madje edhe Kushtetuta e Bashkimit Evropian e përcaktojnë qartë rezistencën antifashiste si gurin e themelit të Evropës së re. Siç po duket, edhe këtë rast fatlum historik, Luftën Nacional-Çlirimtare që i dha dinjitet popullit shqiptar dhe që si asnjëherë e bëri atë pjesë të familjes së madhe evropiane e të vlerave të saj të lirisë e të demokracisë dhe që prodhoi vërtet heronjtë evropianë të Shqipërisë, z. Berisha po përpiqet ta provincializojë, ta banalizojë e ta zhvleftësojë, t’i verë mustak e qylaf, duke promovuar figura të tipit Oso Kuka apo Çelo Picari. Të cilët, sigurisht, e kanë të gjithë respektin që meritojnë, por jo aq sa të kthehen në shëmbëlltyrë e Shqipërisë së re dhe e brezit të ri të Shqipërisë.

Po për rivlerësimin e figurës së Qemal Stafës, çfarë mendoni?

Po kufizohem të rikujtoj skenarin e ngjarjes së 5 Majit 1942. Në njërën anë ishte një djalosh i ri, 22-vjeçar, student plot ëndrra të bukura për botën dhe për atdheun e tij, një intelektual, të cilin nuk mund ta përfytyrojmë pa syze, pa çantë librash, pa kravatë e pardesy; një shpirt delikat që shkruante letërsi; një djalë modern, qytetar, që e donte jetën, që ngiste biçikletën e makinën, që ushtronte sportin. E mbi të gjitha, Qemal Stafa ishte një trim i rrallë, që në çastin e mbramë nuk nguroi të bëjë burrin e vërtetë, duke përsëritur në një nivel ndërgjegjësimi e fisnikërie të pashoq aktin heroik të sa e sa heronjve të popullit të tij. Në krahun tjetër ishin ata që e vranë, një tufë cubash, milicësh të paguar në shërbim të pushtuesit të huaj, injorantë e të pabesë si ata, “trima” mustaqellinj nga ata që ditën para kafesë e rakisë rrëfenin histori trimërie me “serbin” e me “grekun”, dhe natën bënin vrasësin me pagesë të bashkëkombësve të tyre që luftonin për lirinë e dinjitetin e vendit e të atyre vetë. Këta, pra, ishin “trimat” e Mustafa Krujës, Halil Alisë, Xhafer Devës, që sot po i shohim të përjetësohen deri edhe në monumente në qytetet tona. Monumente të turpit tonë kombëtar.

Me kë nga figurat historike, historianët janë treguar më subjektivë në trajtimin që u kanë bërë në të kaluarën?

Kjo ka qenë vazhdimisht në varësi të “udhëzimeve” të politikës. Zogu, p.sh., kur erdhi në pushtet, bëri gjithçka për të mbuluar me tisin e heshtjes, për të hedhur baltë apo edhe për të asgjësuar fizikisht figura, si Fan Nolin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin apo Hasan Prishtinën. Nga ana e tij, Enver Hoxha e shpërbleu me një damnatio memoriae Ahmet Zogun dhe gjithë periudhën e sundimit të tij, duke i hequr kujtesës së shqiptarëve një pjesë të rëndësishme të historisë së tyre. Dhe kështu, historia vazhdon edhe në ditët tona. Për fat, jetojmë në kohë të tjera, dhe tani asnjë historian nuk mund të justifikohet duke thënë: “heshta, ose gënjeva, sepse më detyruan”. Integriteti moral e profesional i historianit është shumë i rëndësishëm për t’i dhënë rrjedhën e duhur debateve mbi historinë, sidomos kur ato iniciohen nga politika. Në fund të fundit, vjen një ditë kur edhe historianëve u shkruhet historia dhe secili prej tyre duhet të tmerrohet nga ideja se një ditë, mbi pllakën e varrit të tyre, mund të gdhendet epitafi: “Rrojti për të gënjyer”.

Po për të huajt që shkruajnë rreth historisë së Shqipërisë, çfarë mendoni? Jo rrallë tezat e tyre kanë hapur debate të ashpra mes nesh…

Pikërisht, roli i historianëve të huaj që merren me historinë e Shqipërisë është shumë i rëndësishëm në kuptimin e mësipërm. D.m.th., të qenit larg interesave e presioneve, të cilave u nënshtrohen historianët shqiptarë, u mundëson historianëve të huaj të jenë më objektivë, më të prerë e ndonjëherë më të besueshëm. Absolutisht nuk e fetishizoj rolin e tyre. Kemi parë edhe historianë të huaj me njohuri të cekëta, me trajtime të paragjykuara e deri spekulative. Por duhet të pranojmë se historianë të huaj, të aftë e me integritet, kanë treguar se mund të bëjnë shumë për ta çliruar e për ta motivuar historiografinë shqiptare, duke e detyruar qoftë politikën të masë fjalët kur flet për historinë, e mbi të gjitha duke i detyruar historianët shqiptarë të jenë më seriozë, kur flasin për historinë e vendit të tyre. Dhe kjo ka ndodhur. Imagjinoni se ç’masakër intelektuale do ishte kryer mbi historianët tanë, sikur mos të kishte qenë një Bernd Fischer që, me fakte të pakundërshtueshme të provonte se Zogu vërtet nuk ishte “djalli” që përshkruante E. Hoxha, por gjithashtu nuk është as “engjëlli”, që përpiqet të na sugjerojë Partia e Legalitetit, apo edhe vetë Kryeministri i konvertuar në filo-monarkist.

Historinë, kush duhet ta rishkruajë?

Thjesht, ata që paguhen për atë punë.

 

 

Disa nga tezat që kanë hapur debat mes historianëve

Beqir Meta: Dita e Dëshmorëve nuk duhet të jetë 5 Maji

Për mua, dita e dëshmorëve që është caktuar 5 Maji, është një ditë totalisht e vendosur mbi kritere politike dhe ideologjike nga sistemi komunist, i cili kishte si synim që të përvetësonte vlerat më të larta të rezistencës së popullit shqiptar për çlirim kombëtar. Kjo për faktin se betejat e popullit shqiptar për çlirim kombëtar janë shumë më të hershme se 5 Maji i vitit 1942, kur u vra Qemal Stafa. Më të hershme dhe se betejat e Luftës së Dytë Botërore, me dëshmorin e parë Mujo Ulqinaku, i cili priti me armë në dorë anijet dhe tanket italiane, por dhe shumë dëshmorë të tjerë që u vranë atë ditë. Përpara kësaj ne kemi beteja për çlirim kombëtar që kanë bërë shqiptarët, të cilat e kanë fillesën që me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si betejat për mbrojtjen e Plavës, Gucisë Hotit, Grudës dhe Ulqinit, që janë beteja të lavdishme ku shqiptarët u shfaqën si komb, luftuan në emër të kombit dhe atdheut, për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë shqiptare. Dhe vendosja e ditës së dëshmorëve pikërisht në një nga këto beteja mund të diskutohet mes historianëve. Kjo nuk dëmton askënd dhe asnjë parti apo grupim politik, përveçse shqiptarët fitojnë dimensionin e tyre historik, fitojnë të vërtetën, identitetin kombëtar për të cilin ata kanë luftuar vërtet.

Paskal Milo: Po zbehet figura e Ismail Qemalit dhe po glorifikohet Zogu

Nëse Ismail Qemali në periudhën e parë të regjimit komunist mbeti në hije, duke filluar nga viti 1962 ai u ridimensionua si figurë dhe me të drejtë erdhi në formatin që i takonte atij, si një shtetar i madh, diplomat i shquar, themelues i shtetit të pavarur shqiptar. Tani ka një tendencë që të zbehet roli i Ismail Qemalit, të ngrihen në mënyrë artificiale figura të tjera rreth tij ose pas tij dhe ky të mbetet njëri midis tyre ose të paktën i pari midis të barabartëve. Ky këndvështrim për figurën e tij është i gabuar, i dëmshëm, sepse prek një emblemë të kombit që duhet të qëndrojë e tillë në kujtesën e njerëzve dhe në librat e historisë. Përkundrejt kësaj tendence për të lënë në hije figurën e Ismail Qemalit, kemi një tendencë të re rishikimi të figurës së Ahmet Zogut, që është vënë në fokus jo vetëm të historiografisë, por në mënyrë të veçantë të politikës, e cila kërkon ta pompojë dhe të bëjë një gabim të madh të radhës.

Valentina Duka: Ja kush duhet ta rishkruajë historinë

Së pari, dua të theksoj se librat e shkruar këta 20 vjet janë në nivele më të larta profesionale, sepse historianët shqiptarë kanë kontaktuar me dokumente, por dhe me metodologjinë e re të shkrimit të historisë. Por te brezi ynë i historianëve janë akoma prezent gjurmët e së kaluarës në rishkrimin e historisë sipas metodologjisë së vjetër. Te studentët e mi kurrsesi nuk mund të jenë prezente këto gjurmë, sepse ata njohin shumë gjuhë të huaja, janë më të lirë se ishim ne për të lëvizur, mundësitë financiare jam e bindur se do t’i kenë më shumë se ne për të hulumtuar në arkivat e huaj. Më kryesorja është ata po formohem me një mentalitet krejt të ri, sepse vë re se nuk mund t’i konceptojnë disa ide tonat të trashëguara nga e kaluara. Është pikërisht ky brez që do të marrë në dorë shkrimin me objektivitet të historisë së Shqipërisë.

Reklama-Eagle

8 Përgjigjet për "Pëllumb Xhufi: Mustafa Kruja e Xhafer Deva, monumente të turpit tonë kombëtar"

  1. Alda  30/07/2012 në 10:00 am

    Turpet tona kombetare nuk jane vetem kaq pak, Por po ju ven kapak turpi modern me emrin Edi Rama….

  2. blerti  30/07/2012 në 10:57 am

    edi rama baske me kete xhufen jane turpet tone, qe sdin cka bejne e cka thone

  3. ylber  30/07/2012 në 11:14 am

    ku ka ma turp se ti qe per 20 vjet demokraci ke trathtu cdo bamires tanin , nga NANO TEK META TANI TEK RAMA DHE MA VONE DO BAHESH ME BLUSHIN , vetem sistemin qe te shkolloj nuk ke trathtu

  4. agimi  30/07/2012 në 12:15 pm

    O shoku |Pellumb,ka ikur koha tende si mbrojtes i komunizmit>per Qemaj Stafen mos harrose cfare beri ai kalama,u vetevra si ish kryeministri,u vetevra se e pa vehten ne rrezik,rrezik qe e futi Enveri(tend)dhe Nexhmija. Dihet se ai kishte SHOQE Nexhmije,Enveri per ti mare Nexhin e SHITI TE italianet.Per te mbuluar kete krim e shpalli % majin dite te deshmoreve.Ne 5 maj nuk kishte filluarlumta e cfare heroizmash beri Qemali,heroizmen e beri Enver gjakatari.Sa per Xh D. ke te drejte ndersa per M Krujen po ja fut kot sepse eshte figure e madhe e (jo vetem ai) qe ti e shume te tjere historiane komuniste nuk e njihni e nuk dini ta vleresoni>Nuk e vleresoni sepse ju ndalon enverizmi/Histotine duhet ta rishikojme por jo nga ju qe keni semundjen komuniste ne koke!!!!!

  5. EC  30/07/2012 në 5:11 pm

    Fatkeqesia e shokut Pellumb dhe e te gjithe te tjereve qe synojne te ruajne me dhune status quo-ne ne historiografine enveriste eshte se tashme ne emer te kombit e te popullit tashme nuk ka tager te flase askush. Kombi e populli flasin e mendojne vete, pa pritur t’u japin leje Pellumbi, Paskali e Sabiti. Dhe nese Pellumbi e Paskali kane ndonje problem personal me Xhaferrin e me Mustafain dhe u pelqen t’i perbaltin, do te kete gjithmone te tjere burra e gra, pjese e ketij kombi, qe do te dine t’i vleresojne e t’i respektojne keta njerez per kontributet e tyre. Sa per faktin se kane vrare komuniste, eshte normale qe Pellumbit t’i vije keq, po aq sa c’ia ndjen Pellumbit per gjakun dhe vuajtjet e te burgosurve politike qe u shkaktuan nga komunistet, aq ia ndjen edhe pjeses jokomuniste te kombit per komunistet e vrare prej Xhaferrit e prej Pellumbit. Shoke te Partise, ju mund te flisni sa te doni, por nje gje duhet ta keni te qarte: iku koha kur na detyronin t’ia vinim veshin kenges tuaj. Per pasoje, iku koha juaj.

  6. ditunitari.  30/07/2012 në 11:23 pm

    I nderuom Xhufi.Jam kha du me thane se nuk jane kha i duhen njato burra ketij njiqindvjetori se e di dhe bufi qe nuk i do doktori. Doktorin Salbera nuk e lag shiu, nuk e rrezon era, prej trimnise iken, i ngjane mbretit duke e shtrenguar qesen e dovletit. Ai asht naltmadhnia qi digjet mas Zogut,prandaj shkon e shuhet mes dallgeve te Jonit.Ate e pat pushtue zulmi i kryeatit prandaj vete çmallet ne malin e Dajtit.A kane komunist per nder te atedheut se donte t’ia kalonte Verit e Nerbeut.Asht ai qi thone se nuk gjente lopen,por kish gjete arushen e i puthte doren. Ia puthte doren,ia ferkonte shpinen se punet e dovletit bahen vetem tines.Rrnofte ky Salbera qi bertet e çirret sepse milet-hania per te ne zjarr hidhet!

  7. Gjergji  30/07/2012 në 11:43 pm

    Edhe pse mendojë ndryshe nga komentuesit,kjo nuk do të thotë që t’u mbyllim gojën.Goja ka dhëmbë,ka qiellore,ka gjuhë si të urtë dhe të nepërkës…Për sa i përket historianit Pëllumb Xhufi në shkrimin e sotëm dhe të tjera të tij,nuk mund që ti bësh arna,pra tia arnosh shkrimet dhe kulturën e tij historike.Shfletoni dhe do të shikoni se ai është i saktë për ato që shkruan dhe ndërsa ngulmon për studime të tjera.Ai jo vetëm që është një historian,por trim historian,me tipare të plota të një Shqiptari të vërtetë e jo të një politikani sahanlëpirës siç bëjnë të ashtuqujturit historian rreth Berishës dhe Co.Historiani vlerësohet nga ato që shkruan dhe që mbështeten mbi dokumenta e jo për ato që thotë injoranti në histori Berisha dhe Co.Nesër në pllakën e historianit P.Xhufi do të shkrueht.”Trimit për të vërtetën në kohën e berishizmit fashist”…

  8. Sadiku  31/07/2012 në 3:51 pm

    Xhufi eshte sa komunist aq edhe islamik, çfare mund te presesh prej tij!

Komentet janë mbyllur